Feja dhe ndikimi i saj në gjuhën e përditshme

Frazeologjia popullore e pasur e një populli është karakteristikë që tregon për përvojën e pasur të popullit dhe aftësinë e tij në përdorimin e gjuhës në jetën e përditshme. Tashmë një pjesë e madhe e frazeologjisë popullore që ka qenë dikur në përdorim sot ka dalë nga përdorimi, edhe për shkak të zhvillimeve të mëdha e të shpejta teknologjike. Po t’ua përmendim disa shprehje fëmijëve tanë, të cilat mund t’i konsiderojmë sot si të vjetra, ata nuk do të arrinin të kuptonin asnjë fjalë nga ajo shprehje. Ndërkaq, një sasi e madhe të këtyre frazeologjive gjatë viteve ’50-’80 të shekullit të kaluar u luftuan si mbeturina të një bote të mykur turqish të prapambetur dhe mikro-borgjeze. Fjalori filloi të spastrohej nga turqizmat qysh në vitin 1954, kohë kur u botua një fjalor i shqipes. Kjo luftë për spastrimin e fjalorit nga fjalët e huaja, sidomos ato turko-arabe, të cilat konsideroheshin si pasojë e pushtimit turk, u vunë në qendër të vëmendjes së gjuhëtarëve komunistë të kohës dhe të fushatave të vazhdueshme të shoqëruara me politika gjuhësore të rrepta në arsim, dhe për përgatitjen e brezave të arsimuar dhe arsimtarësh, të cilëve iu kërkohej të flisnin e të shkruanin sipas normës letrare. Ajo që mund të vërehet nga një grup shprehjesh të tilla, të cilat i gjeni të cituara më poshtë është se një pjesë e tyre nuk janë thjesht shprehje frazeologjike me përbërje fjalësh turko-arabe, por edhe kanë kuptime e nënkuptime nga morali fetar islam. Një pjesë e madhe e këtyre shprehjeve nuk përdoren më, dhe shumë pak prej tyre janë në përdorim sot, por siç thotë edhe populli “le të mbeten e zezë në të bardhë”, e dokumentuar me shkrim. Kampioni i shprehjeve që kemi mundur të sjellim këtu mund të zgjerohet edhe disa herë më shumë, por është i mjaftueshëm për të kuptuar se feja islame dhe morali i lartë i saj kishin hyrë në qelizat më të imëta të jetës njerëzore, si dhe në marrëdhëniet ndërvepruese në shoqërinë e kohës. Letërsia e bejtexhinjve është një shembull klasik i përdorimit të këtyre shprehjeve frazeologjike dhe ku mund të kemi një akses më të plotë rreth përdorimit të gjuhës dhe mentalitetit mbizotërues, ku gjen botëkuptime të pasura dhe përdorimin e materialit gjuhësor me shumë elokuencë e zgjuarsi.

Ra në islah – shprehje që do të thotë se u përmirësua dhe e kuptoi gabimin apo gabimet e bëra më herët.

Nuk di asnjë harf apo nuk merr vesh asnjë harf – do të thotë që nuk merr vesh, nuk di, nga fjala arabe harf-germë. Pra nuk di asnjë germë për atë punë, apo nuk merr vesh fare.

Filan person i ka sifatet e mira – Nga sifat – cilësi apo veti, pra përdorej për të treguar se personi ka cilësi apo veti të mira.

Vallahi – bilahi – betim me emrin e Zotit.

Tobe istigfar – Zot na fal.

Bjer në tobe o rob i Zotit – me kuptimin pendohu o njeri.

Nuk i ka ardhur vakti – nuk i ka ardhur koha.

I rënë nga vakti – zakonisht përdorej për njerëz të pasur, apo që kishin tituj si bej apo aga dhe që nuk i kishin më pasi i kishin humbur përgjatë kohës.

I dha një vakt bukë – e ushqeu një herë.

E thirri exheli – i erdhi afati, pjesë e besimit që personin e thërret exheli për t’u kryer caktimi i Zotit.

O më vër kadi, o mos më rruaj mjekrën! – ka kuptimin që nëse më jep një punë më lër ta bëj vetë, apo mos më ndiko se si do ta gjykoj unë një problem apo një çështje.

Shihe, se ç’ka bërë kauri! – është formë habitore për të treguar mahnitjen rreth diçkaje të importuar nga Perëndimi.

Bjer në shehadet o rob i Zotit – i thuhej ndokujt që kishte gabuar rëndë, apo që kishte bërë ndonjë gjynah të rëndë.

Inshallah me shehadet në gojë – ka të bëjë me përmendjen vazhdimisht të Allahut, por iu drejtohej si urim të vjetërve në moshë, që të largoheshin nga kjo botë me fjalët e fundit dëshminë islame – shehadetin: La ilahe il-Allah, Muhamed resulallah.

Është mysliman me pesë vakte namaz – pra me kuptimin që është njeri i devotshëm dhe i ndershëm.

I hyri në hak – apo – mos i hyr në hak tjetrit – me kuptimin i bëri të padrejtë, mos i bëj padrejtësi.

Haka e Zotit – me kuptimin e drejta e Zotit, është realitet.

Shkoi haka tek i zoti – do të thotë që gjërat u rregulluan dhe shkuan në vendin e vet.

Fukarallëk maskarallëk – varfëria është një gjendje e palakmueshme.

U bë fil – fil nga arabishtja elefant, pra i thuhej dikujt që ishte sëmurë dhe bëhej mirë, apo edhe me kuptimin erdhi në vete.

Jallan dynja – botë e rreme, përdorej si pasthirrmë në raste vështirësish.

Jallan shahit – dëshmitar i rremë. – I doli jallan shahit – apo- nuk bëhem jallan shahit.

Ka rënë shehid – ka rënë dëshmor, por përdorej edhe në mënyrë ironike për ndonjërin që ishte dembel në punë.

E ke të shkruar te qitapi i hoxhës – nënkuptonte që është e shkruar në Kur’an.

T’dhashtë Zoti shnet e kuvet! – nga fjala arabisht kuvet -forcë.

E fitoi davanë te kadiu – e fitoi çështjen te gjykatësi, apo edhe thjesht e fitoi davanë me kuptimin e fitoi një çështje apo ia doli ta zgjidhë një hall apo problem.

Bën vaki – me kuptimin që ndodh.

Na e nxori një bidat – solli diçka të re, përdorej edhe me kuptimin që na solli diçka të papëlqyer.

Filani është bidat – me kuptimin alegorik që është i paparashikueshëm, që bën gjëra që ti nuk i pret.

Ik more iblis – ik more njeri i keq, Iblisi si i pari i djajve, demonëve, shejtanëve.

Shejtani i dreqit – përdorej në mënyrë ofenduese, por edhe për ndonjë tip të shkathët, që dinte të dilte nga situatat e vështira.

Ia bëri kabull – ia pranoi.

Rahmet pastë – shprehje frazeologjike, që do të thotë:

Zoti e mëshiroftë! – dhe përdoret për të vdekurit.

Rëndësi ka nijeti i mirë – nijet- qëllim, motiv, pra rëndësi ka qëllimi, motivi i mirë.

Fëmija janë meleq – meleq, melaqe do të thotë: engjëll, engjëj.

Ia uli qibrin! – ia uli kryelartësinë, fudullëkun.

Dita e mirë duket qysh me sabah – nga turqishtja sabah-mëngjes.

Bëri shefat, ose bëj shefat – ndërmjetësoi apo në formë lutëse: ndërmjetëso!

Ia tha açik – açik nga turqishtja haptas, ia tha haptas.

E dërgoi në esfel – e humbi, e treti, e dërgoi poshtë – pra me kuptimin e poshtëroi me fjalë, saqë e bëri të parëndësishëm krejt. Ndërsa në formë shumë përbuzëse dhe përçmuese përdorej në jug të vendit: e dërgoi në esfel të gomarëve.

Nuk futet minarja në thes! – pra thuhej për diçka që nuk mund ta fshehësh.

Roald A. Hysa

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login