Familja shqiptare përballë sfidave


Familja shqiptare, kjo ka qenë tema e trajtuar mbrëmë në natën e 6-të të emisionit “Me syrin e zemrës”.

Shoqëria moderne shqiptare po përballet me ndryshime të vazhdueshme në marrëdhëniet e njeriut me familjen dhe shoqërinë. Ky trekëndësh social duket se po bëhet më i brishtë, i papërcaktuar. Vetë raportet e njeriut me këto dy institucione të sigurisë morale, kanë ndryshuar ndjeshëm në dekadat e fundit. Shumë dukuri të relacioneve të njerëzve tanë në kohën e qytetërimit modern janë të pangjashme në krahasim me familjen dhe shoqërinë tradicionale shqiptare.

Për të folur rreth kësaj teme, të ftuar në studio ishin: znj. Elma Tershana, sociologe dhe z. Armando Bora, regjisor. Në lidhje direkte ishte edhe z. Elton Karaj, teolog, pedagog në Universitetin Hëna e Plotë (BEDËR).

Disa nga çështjet e trajtuara gjatë këtij emisioni ishin:

Familja shqiptare historikisht, dikur ishte kryekëput tradicionale, patriarkale dhe mbështetej në këto parime: të bashkuarit e njerëzve që jetojnë nën të njëjtin kulm, ku si qëllim kryesor kanë zhvillimin e tyre trupor dhe mendor, si dhe shtimin nëpërmjet martesës.

Roli i familjes në fenë Islame.

Roli i fesë në formimin e një familjeje të shëndoshë.

Raportet shpirtërore brenda familjes shqiptare, duke marrë parasysh se për të qenë një familje e stabilizuar, e emancipuar, me parime morale të konsoliduara, raportet shpirtërore janë tepër të rëndësishme.

Sociologët e familjes janë të mendimit se ndërtimi dhe riparimi i marrëdhënieve në familje, bërja e tyre e qëndrueshme dhe funksionuese, janë në përgjithësi investime afatgjata të pjesëtarëve të saj.

Shoqëria moderne shqiptare është vendosur përballë ndryshimeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e individit me familjen dhe shoqërinë në tërësi. Ky trekëndësh social po bëhet gjithnjë e më shumë i brishtë, i papërcaktuar. Raportet e njeriut me familjen dhe shoqërinë, si dy institucione të sigurisë morale, kanë ndryshuar së tepërmi në dekadat e fundit. Shumë dukuri brenda familjes, në kohën e qytetërimit modern nuk ngjajnë aspak me familjen dhe shoqërinë tradicionale shqiptare.

Në këtë kohë si kurrë më parë duket se kemi probleme serioze me identitetin, rolet sociale dhe bashkëveprimin midis strukturave themelore të qytetërimit tonë. Nga pikëpamja morale dhe sociale, familja dhe shoqëria shqiptare momentalisht ndodhen në procesin e komplikuar kaotik të kalimit nga natyra tradicionaliste, nga rolet e dikurshme klasike drejt ndryshimit, përshtatjes me kohën dhe imperativat e qytetërimit modern.

Në trinitetin social të lidhjes midis individit, familjes dhe shoqërisë, po shfaqen ekuilibra delikatë, gjithnjë e më shumë të brishtë. Këtë e kuptojmë nëse vërejmë dukuritë që vërtetojnë mungesën e stabilitetit brenda familjes, e cila reflektohet dukshëm në kaotizmin e jetës sociale me të cilën po përballet shoqëria shqiptare sot.

Një pjesë e madhe e shqetësimeve që përjeton shoqëria dhe qytetërimi ynë vijnë nga situatat jo normale që zhvillohen në shumë familje, nga çekuilibrimet e brendshme të individëve që janë pjesëtarë të saj, të cilat doemos që ndikojnë në stabilitetin apo destabilitetin e përgjithshëm të shoqërisë tonë.

Nga mënyra se si po zhvillohen ngjarjet brenda familjes shqiptare, duket se ajo jo vetëm nuk është e qetë për të kryer funksionet sociale sipas zakoneve dhe traditave të së kaluarës, por akoma më keq duket se brenda saj ka një sulm të përgjithshëm kundër të kaluarës, kundër tipologjisë, marrëdhënieve dhe besnikërive të vjetra.

Magjia e dikurshme e familjes tradicionale shqiptare si qelizë e cila determinonte sjelljen, progresin dhe personalitetin e njeriut ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshime. Në shoqërinë e së kaluarës emri, fama, atributet, personaliteti politik i familjes kanë qenë shumë determinante për fatin e individit. Ky rol dhe ky mision interferues social i familjes është zbehur tani në kohën moderne.

“Me syrin e zemrës”, me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe prezantuar nga gazetari Ramadan Çipuri, vazhdon të shoqërojë teleshikuesin çdo ditë të Ramazanit në orën 19:00 në RTV Ora News.

25/07/2012

/Drita Islame/

 

You must be logged in to post a comment Login