Faleminderit dhe Haxh Mebrur!

haxh 5Imam Muhamed Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Nëpërmjet këtyre rreshtave, e ndjej si detyrim moral të bëj një falënderim publik, shoqëruar me një urim të përzemërt, pas kthimit nga “udhëtimi i jetës”, haxhi i sivjetshëm në vendet e shenjta në Arabinë Saudite, në periudhën 24 shtator – 13 tetor 2014.

Fillimisht, dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të madhe për Kryesinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Haxhit, për organizimin e këtij udhëtimi të paharruar në Mekë e Medine, për përpjekjet e lavdëruara në lehtësimin e ritualeve të Haxhit të sivjetshëm për grupin e madh të haxhilerëve shqiptarë. Harmonia dhe vëllazëria e dëshmuar gjatë këtyre ditëve, ishin treguesi më i mirë i suksesit dhe mbarësisë, me të cilat Zoti i gjithësisë na mbuloi gjatë këtij udhëtimi dhe ritualeve të shumta, me të cilat u begatuan ditët tona.

Pastaj, grupin e murshidëve (shoqëruesve) të përkushtuar në hak të grupeve përkatëse dhe përtej tyre, për bashkëpunimin korrekt dhe serioz dhe thjeshtësinë e komunikimit të dëshmuar nga të gjithë. Stafin organizativ dhe ekipin mjekësor për gatishmërinë në çdo moment.

Në veçanti, dua të falënderoj vëllezërit e dashur: Ahmed Kalaja (imam i xhamisë Dine Hoxha, Tiranë), Besnik Leçini (myfti i Kavajës) dhe Edmir Smajlaj (myfti i Malësisë së Madhe), shokët e mi të dhomës dhe personat me të cilët ndamë kryesisht barrën e lëvizjes me grupet e haxhilerëve, duke përjetuar një eksperiencë të mrekullueshme dhe të paharruar.

Një mirënjohje e madhe për studentët tanë në Medine, shembull i përkushtimit dhe i shërbimit të çiltër. All-llahu i ruajtë e u dhashtë mbarësi! Gjatë ditëve dhe netëve në Mekë dhe Medine, ata ishin për ne, jo thjesht ndihmëtarë të gatshëm, por vëllezër të sinqertë, me të cilët u bëmë një, duke ndarë së bashku lodhjen, vështirësitë, nevojat e ndryshme të haxhilerëve etj.

Në veçanti dua të shpreh një falënderim të madh për grupin e haxhilerëve të Shkodrës, një model qytetarie dhe përkushtimi në adhurim e lutje, të cilët u dëshmuan për seriozitetin, korrektësinë, angazhimin maksimal për t’u dëshmuar kërkues të pëlqimeve të All-llahut, në adhurimet e ndryshme gjatë ditëve të haxhit dhe përtej tyre!

Të gjithë haxhilerët e Shqipërisë, sidomos nanat e moshuara, baballarët sakrifikues me pasurinë dhe shëndetin e tyre, të rinjtë e devotshëm me kokë në sexhde dhe me shpirt te tavafi përreth Qabes Hijebukur, të cilët ishin pa dyshim një model për t’u pasuar edhe nga haxhilerët e vendeve të tjera!

Stafin e Myftinisë Shkodër për shërbimet e lavdërueshme ndaj haxhilerëve, në përcjelljen dhe në pritjen e tyre në aeroportin e Rinasit, si një traditë e përvitshme shërbimi ndaj “miqve të Mëshiruesit”!

Prindërit e mi, familjen, vëllanë dhe miqtë e shumtë, që ndoqën me shumë emocion e dashamirësi këtë UDHËTIM JETE!

Allahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje!

Haxh Mebrur, të dashur e të shtrenjtë miqtë e mi në këtë udhëtim të mrekullueshëm!

 

You must be logged in to post a comment Login