Etika  Islame në  kreun  El Huxhurat – Muret

KuranTitulli i kësaj sureje merr shkas nga ajeti 4 ku përmenden muret ose kthinat e banesës dhe bën aluzion rreth një përfaqësie nga fisi Beni Tamim që shkoi në Medine, aty nga viti 9 hixhri (630 e.r.), për t’u takuar me Muhamedin a.s. dhe e thirri me zë të lartë jashtë mureve të banesës, siç është akoma zakon te ne kur dikush të thërret nga rruga.

Edhe pse një kapitull i shkurtër, kjo sure është mjaft e gjerë në normat e mirësjelljes dhe të etikës që përcjell.

Së pari, u drejtohet besimtarëve që të mos dalin me opinione dhe vendime para urdhrave të Zotit dhe porosive të të Dërguarit të Tij, të jenë të mirësjellshëm e të respektueshëm para të Dërguarit të Zotit. (Shih, gjithashtu, ajetin 36 të kreut 33, Klanet)

Më tej, porosit besimtarët ta shqyrtojnë mirë një lajm që sjell ndonjë shpifës e ngatërrestar dhe të mos dëmtojnë dikë me padije ose të bien viktimë e përçarjes. Ndërkohë që mes tyre është i Dërguari i Zotit ose janë autoritetet që flasin me ajetet e Kur’anit dhe fjalët e Profetit a.s. (Shih: 4:83).

Në ajetet 9-10, Zoti u drejtohet myslimanëve të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre në mënyrë të ndërsjellë dhe me paanësi e drejtësi dhe u kujton se ata janë mes tyre vëllezër. Shohim se Kur’ani është po aq aktual në ditët tona.

I Madhi Zot thekson disa herë në Kur’an se  njerëzit janë krijuar nga një mashkull e femër dhe janë bërë fise e popuj për t’u njohur (bashkëpunuar e jetuar) me njëri-tjetrin dhe se, më i nderuar te Zoti, është më i devotshmi. Këtë porosi dha edhe Profeti Muhamed, paqja qoftë me të, në Arafat, gjatë pelegrinazhit të fundit apo të lamtumirës.

Në tekstin e Kur’anit, fjala i devotshëm, arabisht:it-teká, këtu: atká (më i devotshëm), sipas kuranologëve, merr kuptimin: të kesh frikë Zotin duke u përmbajtur dhe ruajtur nga e keqja, të jesh i drejtë, i urtë dhe i moralshëm. Fjala takva që vjen nga it-teká, merr kuptimin e mirëfilltë islam: devotshmëri.

Besimi nuk është të pranosh formalisht Islamin, siç vepronin disa nga beduinët e shkretëtirës, porse t’i bindesh Zotit dhe të Dërguarit të Tij dhe të përpiqesh me veten dhe pasurinë tënde, në paqe e në luftë, në Rrugën e Zotit.  Në kontekstin e kësaj sureje, po sjellim ajetin 186 nga kreu 3, Familja e Imranit, që thotë: “Do të provoheni në pasuritë dhe veten tuaj e do të dëgjoni nga ata që u është dhënë libri para jush (judenjtë e të krishterët) dhe nga idhujtarët fyerje të shumta. Të duroni e të përmbaheni, kjo është ndër çështjet vendimtare.”

  1. MURET (EL HUXHURÁT)[1]

Periudha e Medines, 18 ajete

Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.

  1. Besimtarë, mos dilni para Zotit dhe të Dërguarit të Tij! Kini frikë Zotin! Zoti është dëgjues, dijeplotë.
  2. Besimtarë, mos e ngrini zërin mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë siç i flisni njëri-tjetrit, t’ju zhvleftësohen pa kuptuar veprat.
  3. Atyre që ulin zërin para të Dërguarit të Zotit, Zoti ua ka provuar zemrat për devocion. Ata kanë falje dhe shpërblim të madh.
  4. Cilët të thërrasin përtej mureve, më së shumti nuk kuptojnë.
  5. Sikur të duronin sa t’u dilje jashtë, do të ishte më mirë për ta. Zoti është falës, mëshirëplotë.
  6. Besimtarë, në ju vjen një shpifës me lajm, shqyrtojeni para se të goditnit me padije njerëz e të pendoheshit.
  7. Dijeni që tek ju është i Dërguari i Zotit. Sikur t’ju bindej në shumë çështje, do të binit në fatkeqësi, por Zoti jua bëri të dashur besimin dhe e stolisi atë në zemrat tuaja ndërsa jua bëri të urryer mohimin, mosbindjen dhe kundërshtimin. Ja, këta janë të udhëzuarit drejt.
  8. Si mirësi dhe bekim prej Zotit. Zoti është dijeplotë, i urtë.
  9. Kur dy grupe besimtarësh luftojnë mes tyre, pajtojini dhe, nëse njëri bën agresion, luftoni agresorin derisa t’i nënshtrohet urdhrit të Zotit. Po të nënshtrohet, bëni paqe me drejtësi. Dhe jini të paanshëm sepse Zoti i do të paanshmit.
  10. Besimtarët janë vëllezër, pra, bëni paqe mes vëllezërve tuaj dhe përmbajuni Zotit që të mëshiroheni.
  11. Besimtarë, le të mos përbuzin disa njerëz të tjerët si më të mirë, as disa gra gratë e tjera si më të mira; mos përgojoni njëri-tjetrin dhe mos vini nofka. I keq është epiteti i të pabesit pas besimit! Cilët nuk pendohen, ata janë dhunuesit.
  12. Besimtarë, largojuni hamendjeve të shumta se, pas hamendjes, është mëkati. Mos hetoni njëri-tjetrin dhe mos flisni prapa krahëve. A dëshiron ndonjëri të hajë mishin e vëllait të vdekur? Urrejeni atë! Dhe përmbajuni Zotit. Zoti e pranon pendimin, është mëshirëplotë.
  13. O njerëz! Ne ju krijuam nga një mashkull e femër dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni njëri me tjetrin. Më i nderuar te Zoti është më i devotshmi[2] ndër ju. Zoti është dijeplotë, i gjithëditur.
  14. Beduinët thonë: “Besuam.” Thuaj: “Nuk keni besuar, por thoni: “U nënshtruam”[3], – përderisa besimi nuk ka hyrë në zemrat tuaja.” Në u bindeni Zotit dhe të Dërguarit të Tij, Ai nuk jua mangëson veprat. Zoti është falës, mëshirëplotë.
  15. Besimtarë janë ata që besojnë Zotin dhe të Dërguarin e Tij, nuk janë në mëdyshje, por përpiqen me pasuritë dhe veten e tyre në Rrugën e Zotit. Këta janë të vërtetët.
  16. Thuaj: “Ia bëni të ditur Zotit besimin tuaj? Zoti di ç’janë në qiej e në tokë. Zoti është për gjithçka dijeplotë.”
  17. E quajnë se të kanë bërë nder ty duke pranuar Islamin. Thuaj: “Nuk më bëtë nder mua që pranuat Islamin. Zoti ju bëri nder që ju drejtoi për besim nëse jeni të sinqertë.”
  18. Zoti di të fshehtat e qiejve dhe të tokës. Zoti është largpamës i veprave tuaja.

 

_____

Sipas shqipërimit të Kur’anit nga Myfti SalihFerhat Hoxha.

Përgatiti:  K.S. Hoxha

[1]dhomat, kthinat e banesës.

[2]idrejtidheimoralshmi

[3]pranuamIslaminose u bëmë (formalisht) muslimanë

 

Tekstin e Kuranit të shqipëruar, në formatet për ebook, mund ta shkarkoni falas në adresës: https://www.smashwords.com/books/view/474958

You must be logged in to post a comment Login