Elbasan, Zyra e Gruas organizon aktivitet për Profetin Muhamed a.s.

zyra gruas (2)Elbasani ishte qyteti i radhës që përfaqësueset e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman organizuan programin “Profeti Muhamed a.s. – Shembulli më i bukur”, ku u nënvizua fakti se Profeti Muhamed (a.s.) ishte dhe mbeti më i madhi, më i rralli, më i çmuari njeri që i përket racës njerëzore dhe se ai është i dërguari i Zotit dhe nëpërmjet tij ne shkojmë tek ligjet e Zotit. 

Në këtë aktivitet ku morën pjesë dhjetëra gra besimtare të qytetit të Elbasanit, Përgjegjësja e Zyrës së Gruas znj. Fatma Karaj, teksa foli rreth temës “ Profeti Muhamed a.s. në aspektin e adhurimit e të përkushtimit”, u ndal në rëndësinë që Profeti Muhamed  i kushtonte Namazit.

“Askush, në asnjë aspekt, nuk mund të krahasohet me Profetin Muhamed a.s. Në namaz ai përjetonte më të thellin e adhurimeve dhe aq të plotë e ndjente dhe e shfaqte atë, sa thua se nuk kishte namaz që nuk rrënqethej e nuk derdhte lotë. Namazi ishte një vepër që ai e priste me dëshirën e pasionin më të madh. Gjithë jetën e vet ai e kishte kaluar me adhurim e përkushtim. Po ai kishte jetuar duke thënë Namaz, Namaz, e duke thënë Namaz, do t’i linte lamtumirën kësaj bote”, theskoi znj. Karaj.

Ndërkohë, Nadia Lika, përfaqësuese e Zyrës së Gruas, duke u ndalur në momentet kyçe të jetës së Profetit u shpreh se kushdo që e njeh atë lidhet fort dhe dashurohet pas tij.
“Ai Kishte zemrën më të gjerë ndër njerëz, ai ishte më fjalëdrejti, më gojëmbli, më i duruari, më i ndershmi, më i respektuari, më i sjellshmi, më bujari dhe përsëri ai ishte më i këndshmi. Çdo kush që mëson diçka për herë të parë ndjen një lloj ngrohtësie ndaj tij, hyn në atmosferën e tij për ta njohur më afër, dhe kur arrin ta njohësh dashurohesh me të, lidhesh fort pas tij”, tha znjsh. Lika

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Rudina Ramkaj, përgjegjëse e sektorit të gruas në Elbasan, e cila falënderoi Zyrën e Gruas në KMSH për realizimin e aktiviteteve te tilla.
Programi u zhvllua më 23 prill 2015, në ambientet e sektorit të gruas në Myftininë e Elbasanit, ku morën pjesë dhjetëra studente dhe gra nga qyteti i Elbasanit.
Ky aktivitet u organizua nga Zyra e Gruas me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Sektorit të Gruas në Myftininë e Elbasanit, e cila bën një punë të palodhur me vajzat dhe gratë e qytetit të Elbasanit për përhapjen dhe përcimin e mesazhit Islam.

 

zyra gruas (1)  zyra gruas (3) zyra gruas (4)

 

You must be logged in to post a comment Login