Elhaida Dani: Eksperienca më e bukur? Të këndoja e veshur si besimtare

Elhaida_Dani ne skene

Intervistë me Elhaida Danin, shqiptaren më zërin më të bukur në Itali

Luela Myftari

Ajo është një nga zërat më të bukur që kanë mundur të zbulojnë kompeticionet muzikore në Shqipëri. pas famës në vendin e vet, Elhaida Dani kërkon t’i tregojë botës talentin dhe punën e saj. Nuk zhvishet teksa performon. Madje, më skeptikët e kanë komentuar negativisht performancën e saj në Shkodër gjatë një aktiviteti të Medresesë që ndodhet në qytetin e saj të lindjes. Mirëpo, këtë Elhaida e përcakton si një nga eksperiencat më të bukura që ka përjetuar. Të veshurit si myslimane për të nuk është veçse shfaqja e besimit fetar që ajo ka në shpirt. E në fakt, ajo nuk ka nevojë të performojë me trup. Elhaida, mjafton vetëm të ngjitet në skenë. Pjesën e mbetur të duartrokitjeve me siguri do ta marë pasi të lëshojë notën e parë muzikore. Në këtë intervistë me “Shekullin”, ajo rrëfen hapat e parë dhe pjesën tjetër të karrierës së saj muzikore, që me siguri do të jetë e
shndritur.

Është e vërtetë pjesëmarrja juaj në Sanremo?
Po punoj çdo ditë për të zgjedhur materialin e duhur për të marrë pjesë në Sanremo. Në qoftë se vendos të jem pjesëmarrëse në këtë festival duhet të kem patjetër një këngë që më përfaqëson totalisht. Pa gjetur një material të tillë pranoj edhe të mos jem pjesë e festivalit të Sanremos këtë vit. Pastaj nuk i dihet asnjëherë nëse më pret diçka më e mirë në vijim…

Çfarë projektesh të tjera ka në kokë Elhaida Dani? 

Kjo është një periudhë e ngjeshur me projekte për mendjen time. Jam gjithnjë në studio duke studiuar, dëgjuar dhe krijuar. Është një periudhë ‘pauze’ ku mendohen dhe shqyrtohen planet e së ardhmes, prandaj dua të jem shumë e përqendruar që të bëj zgjedhjet e duhura për të ardhmen time.

Sa ka ndryshuar jeta e Elhaidës pas etiketimit “zëri më i mirë i Italisë”?

Sigurisht që, të shpallesha ‘Zëri i Italisë’ më ka dhënë shumë benefite, të cilat me përpara nuk i kisha. Që më datën 1 qershor jam në lëvizje, me koncerte e bashkëpunime që më përpara as nuk i mendoja që do të kisha fatin t’i përjetoja ndonjëherë. Ka ndryshuar jeta ime, por unë nuk kam ndryshuar.

Rrugëtimi yt muzikor? Si ka nisur një karrierë si kjo e juaja?

Unë mendoj se karriera ime sapo ka nisur. Në qoftë se ky do të ishte finalizimi i karrierës sime atëherë do të ishte një problem për mua. (qesh) Këndoj që kur isha shumë e vogël. Që në moshën 6-vjeçare studioj piano, gjë që më ka ndihmuar shumë në këngë. Për herë të parë kam kënduar para një jurie kur kisha 14 vjeç në “Ethet e së Premtes”. Pastaj çmimi im i parë erdhi në vitin 2009 në “Star Akademi 4” dhe që atëherë kam pasur fatin të këndoj edhe në skena të tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Skenat më të mira ku je ngjitur? 

Është patjetër festivali i këngës në RTSH, Top Fest 9, koncerti që kam dhënë këtë verë në Amfiteatrin në hije të Coloseut në Romë, skena e “The Voice of Italy”, skena e “Festival Show”, Itali, “GIFFONI Film Festival” etj.

Cila është marrëdhënia juaj me fenë, me besimin fetar?

I përkas besimit mysliman, dhe besoj në Zot.

Ju keni kënduar një ilahi. A është e vështirë të këndosh një këngë (lirikë) fetare? Çfarë emocionesh përjeton ndryshe teksa këndon një këngë të tillë?

Kam qenë e ftuar në një aktivitet në teatrin Migjeni të realizuar nga Medreseja e Shkodrës. Kur më kontaktuan për të marrë pjesë në këtë aktivitet sigurisht që pranova menjëherë dhe një kusht i këtij aktiviteti ishte të mbulohesha gjatë performancës. Ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura që kam përjetuar deri më sot, pasi mendoj që kjo eksperiencë më ka sjellë edhe shumë fat. Pas asaj dite, menjëherë rrugët e karrierës sime filluan të hapeshin. Besimi të mbush qenien me shpresë. Prandaj them gjithmonë, për çdo sukses, ndiej të falënderoj vetëm Zotin pastaj familjen time.

(shekulli)

You must be logged in to post a comment Login