Efektet biologjike të telefonit celular

iphone_mainAli Tombak

Telefonat celularë janë kthyer në një nga mjetet më të domosdoshëm të shekullit të 21. Ato përfshihen në një gamë të gjerë shërbimesh dhe përfitimesh, nga porositja e një pice nga shtëpia deri te thirrja e ambulancës për t’i shpëtuar jetën dikujt. Sot fushat e përdorimit kanë përfshirë pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme si për shembull, aplikacione që kontrollojnë pajisjet e kuzhinës për të gatuar diçka, etj. Natyrshëm mund të lindë pyetja: a jemi të sigurt nga celularët? Në të vërtetë, ka arsye të mira për t’u shqetësuar nga valët elektromagnetike të tyre.

Sistemet e sotme të kompanive telefonike operojnë me banda të ndryshme frekuencash. Sistemet europiane përdorin GSM(Global System for Mobile Communications) në bandat 900 MHz – 1800 MHz, ndërsa ato amerikane përdorin 850 MHz – 1900 MHz, frekuenca që përkojnë me gjatësinë e valëve të televizionit dhe mikrovalës. Këto gjatësi valësh, që quhen jo-jonizuese, nuk lëshojnë elektrone nga atomet e indeve të gjalla. Për shembull, rrezet X janë jonizuese në atë shkallë që dëmtojnë indet e gjalla.

Çështje shëndetësore

Valët elektromagnetike mund të ndikojnë mbi indet biologjike të gjalla dhe të shkaktojnë ndryshime me dy mënyra: 1. Duke depozituar energji të mjaftueshme për të ndryshuar strukturën e molekulave organike; 2. Duke depozituar energji të mjaftueshme për të prishur lidhjet normale që ekzistojnë në inde. Sidoqoftë, asnjëra nga këto rrugë nuk duket të ketë efekte aq të fuqishme, sepse energjia e fotonit brenda zonës UHF është shumë më e vogël se energjia e lidhjeve organike apo se energjia që duhet për prishjen e strukturave biologjike. Prandaj, sot, shumë shkencëtarë dyshojnë që valët UHF në nivel subtermal të kenë fuqi për të shkaktuar dëmtime të indeve.

Si pasojë e dozave të vogla të ekspozimit, mostrave të vogla të popullatës së studiuar dhe mungesës së llogaritjeve të dozës së rrezatimit, vërtetimi ose jo i dëmtimeve nga valët elektromagnetike është një çështje që i mbetet shkencës së epidemiologjisë (analiza statistike mbi shëndetin).

Studime epidemiologjike

Studimet epidemiologjike janë kryer në individë të cilët kishin punuar për një kohë të gjatë në ambiente me valë të frekuencave të larta, si për shembull, stacione radarësh. Këto studime nuk ishin ekskluzive për valët e telefonave celularë, por përfshinin një amplitudë më të gjerë valësh. Këto studime u kryen në disa institucione përfshirë Laboratorin e Radarëve të Institutit të Teknologjisë në Massachusetts të SHBA, Forcat Detare dhe Ajrore të SHBA dhe ushtrinë polake. Në këto grupe individësh, studimi u fokusua mbi shfaqjen e sëmundjeve kanceroze dhe vdekshmërinë prej tyre si pasojë e ekspozimit ndaj valëve elektromagnetike.

Qëllimi ishte të vërtetohej nëse sëmundjet kanceroze ishin si pasojë e valëve apo jo. Në përfundim të studimit rezultoi se nuk kishte të dhëna që mbështesin rrezikun e shfaqjes së kancerit nga ekspozimi në valë elektromagnetike. Si pasojë e mungesës së krahasimit me numrin total të kancerit në popullatë, u sugjerua se valëte telefonave celularë nuk kanë efekte të forta mbi zhvillimin e sëmundjeve kanceroze.

Për sa i përket kancerit të trurit, ai kërkon një kohë shumë të gjatë për t’u shfaqur. Studimet e deritanishme epidemiologjike janë afatshkurtra dhe nuk tregojnë rrezik për të ardhmen, ndërsa efekti i valëve mbi trurin tonë mbetet akoma i paprovuar.

Studimet në kafshë

Kafshët janë një burim tjetër informacioni që potencialisht mund të na japë përgjigje për shqetësimet tona. Eksperimente të ndryshme kanë studiuar minjtë e ekspozuar ndaj niveleve të ulëta të valëve elektromagnetike dhe rezultoi se nuk kishte një lidhje ndërmjet valëve të celularëve dhe sëmundjeve kanceroze.
Në vitin 1999, kompania Motorola ndërmori një program kërkimor i cili doli në përfundimin se ekspozimi i minjve në valë 837 MHz, shumë të ngjashme me ato të celularëve, nuk shkaktonte kancer të trurit. Po ashtu, edhe nga një studim tjetër në prill të vitit 2000, u raportua se valët e vazhdueshme kishin të njëjtin efekt si ato alternative. Por, një studim i vitit 1995 i Universitetit të Washington-it (Seattle) raportoi se ekspozimi i minjve ndaj valëve prej 1 W/kg në të gjithë trupin, mund të shkaktojë këputje të ADN-së në bërthamat e qelizave nervore, e cila është treguese e sëmundjeve kanceroze. Në të vërtetë asnjë studim tjetër nuk ka pasur përfundime të tilla.
Studime të tjera janë fokusuar në aspekte të tjera përveç sëmundjeve kanceroze të trurit. Ato u fokusuan mbi sëmundje të tjera dhe u pa se kishte një rritje të shkallës së sëmundshmërisë nga valët elektromagnetike. Sidoqoftë, kërkimet mbi kafshët treguan se ishin disi larg nga shëndeti njerëzor.

Përfundim
Rezultatet epidemiologjike dhe studimet në kafshë nuk kanë vërtetuar, as nuk i kanë hedhur poshtë efektet e celularëve mbi shëndetin tonë. Një deklaratë e muajit shkurt 2000 nga FDA (U.S. Food and Drug Administration) pohoi se: Për momentin nuk ka të dhëna të mjaftueshme në baza shkencore për të thënë se valët elektromagnetike janë të rrezikshme ose jo për shëndetin e njeriut. Kërkimet janë gjithmonë në vazhdim e sipër.

 Përktheu: Erion Sukaj

You must be logged in to post a comment Login