Edukimi dhe udhëzimi moral, dështimi i edukimit modern masiv

Një shembull i marrë nga shkrimet e vjetra na tregon se si filozofët dhe ulematë zhvillonin një dialog para kalifit, mbi atë se çfarë peshonte më shumë: natyra njerëzore ose edukimi, prejardhja ose edukimi, gjaku në vena apo djersa në bankat e shkollës.

Filozofët ishin të mendimit se arsimimi kishte përparësi mbi natyrën. Gjatë debatit ata mbrojtën pikëpamjen e tyre se edukimi zbut cilësitë dhe karakterin njerëzor dhe mposht natyrën e thjeshtë njerëzore. Ulematë nga ana e tyre, mbronin mendimin se sipas edukimit, pasioni dhe natyra përcaktojnë njeriun, veçanërisht në kohërat e së keqes, luftërave dhe çrregullimeve. Në kohëra të tilla natyra është në radhë të parë, më e fuqishme se vetë edukimi, sepse natyra është e përcaktuar së brendshmi dhe si e tillë, e pandryshueshme. Ajo është ashtu siç është, në gjak.

Më tej, ulematë thonë se edukimi është një gjë dhe udhëzimi moral një gjë tjetër. Vetëm një udhëzim i mirë moral së bashku me një edukim të kujdesshëm mund të jenë porta për të mbajtur nën fre impulset e vrazhda të natyrës.

Kalifi i dëgjoi me kujdes të dyja palët dhe kërkoi t’i paraqisnin prova për këtë. Në natën në vazhdim, filozofët sollën si dëshmi të idesë së tyre se edukimi është më i rëndësishëm sesa natyra, një mace, e cila filloi të pinte nga tasi i servirur me të dyja këmbët e përparme. Kjo u shërbeu pjesëmarrësve në debat.

Nga kjo u duk sikur ulematë kishin pësuar një dështim. Megjithëse edhe ata vetë u habitën, iu lutën kalifit t’i jepte takim për mbrëmjen tjetër, me qëllim që macja të përsëriste, atë çfarë servirën filozofët.

Kur maces iu dha përsëri tasi me qumësht, atëherë ulematë nxorën disa minj nga rrobat e tyre dhe i lëshuan para maces. Menjëherë macja e la enën dhe filloi të gjuante minjtë.

Natyrisht që njerëzit nuk janë të krahasueshëm me macet – por ky prezantim i vjetër i teorisë së udhëzimit moral dhe edukimit flet për lidhje me ngjarjet e rëndësishme, të cilat kanë shoqëruar çdo proces edukimi nga fillimi në fund. A duhet të mësohen dhe edukohen njerëzit vetëm nga familjet, shkolla dhe procesi mësimor apo në të njëjtën kohë duhet të formoheshin nga një arsim i synuar, kështu që të mund të nxirret ajo çka është fisnike në një qenie? Çdo religjion dhe kulturë në botë jo vetëm e ka shtruar këtë pyetje, por edhe i ka dhënë përgjigje.

Në këto kohëra të globalizimit, kjo çështje përbën strumbullarin e shumë shoqërive, veçanërisht të atyre që kanë zhvilluar doktrina edukimi. Në shekullin e 19 dhe të 20 edukimi pushoi së qeni çështje vetëm e ulemave, elitave sunduese, kishave dhe kastave etj.

Edukimi në këto shekuj iu afrua më shumë masave. Këtu asgjë nuk do të ishte kthyer së prapthi, nëse edukimit nuk do t’i ishte vjedhur udhëzimi i tij moral. Ai u shndërrua në edukim mase, d.m.th. dituria iu mësua nxënësve me një paraqitje të re. Meqenëse “masë” është një fenomen fizik, atëherë nuk mund të njihet jo vetëm fytyra e askushit, por çdo fytyrë, çdo cilësi individuale rrënohet nën masën. Për këtë arsye shumë ideologë të shek. 19 dhe 20, si në perëndim, ashtu edhe në lindje,veçanërisht ata që erdhën në fuqi, e kanë futur në politikën e tyre “edukimin e masave”.

Është bërë vetëm një hap i vogël i edukimit të masave për kushtëzimin e tyre. Siç është bërë e ditur, regjimet që kanë ardhur në fuqi, e kanë zbatuar këtë hap. Marrësit e dijes jo vetëm u reduktuan në masë, por vetë dituria u bë një masë e vetme, e cila si e tillë u nda nga faktet e veçuara e të ndara të një specialiteti të caktuar. Në vijim të shek. të 19 dhe 20 fizika, kimia, biologjia u përvetësuan dhe u izoluan në vetvete. Nga njëra anë dija u trajtua si masë faktesh dhe iu transmetua nxënësve e studentëve nëpërmjet mediumeve, nga ana tjetër dija u fragmentua dhe u izolua në disiplina të veçanta, të cilat me kalimin e kohës u ndanë plotësisht nga njëra tjetra. Ky zhvillim çoi në një rezultat të tmerrshëm: edukimi modern po e trajton botën gjithnjë e më pak si një të tërë. Shkencëtarët e kanë copëtuar botën, tamam si bishat që shqyejnë kufomat dhe marrin secila pjesën e tyre.

Ky koncept i edukimit masor që u zhvillua vitet e fundit, e ka lënë krejtësisht pas dore udhëzimin moral të nxënësve, udhëzimin moral të individit. Edukimi ka pushuar së përfshiri me udhëzimin moral. Pasojat ishin jo vetëm të shkatërrimtare, por edhe të pashmangshme. Për këtë s’ka nevojë për dëshmi. Dhomat e gazit të Holokaustit ishin vepër e akademikëve të arsimuar e me grada, të cilët s’kishin marrë asnjë lloj formimi etik. “Spastrimet etnike” janë rezultat i projekteve që u ëndërruan nga profesorë të arsimuar në mënyrë perfekte, por të cilët edhe këta s’kishin marrë asnjë lloj udhëzimi moral.

Në ditët tona mund të shkruhet shumë për këto gjëra – pothuaj po aq shumë sa katastrofa ekologjike në përmasa planetare. Civilizimet e vjetra i kanë hedhur rrënjët e tyre në lumenj e dete – edukimi modern dhe të varfrit që shkaktoi, por që nuk ndërmjetësoi udhëzimin moral, i kanë helmuar tashmë detet dhe lumenjtë. Asnjë njeri me arsye nuk e mohon faktin që edukimi modern i larguar nga udhëzimi moral ka prodhuar një armatë shkencëtarësh që nuk njohin përulje para natyrës dhe nuk mendojnë mbi mundësinë e njohjes së përuljes shkencore përpara natyrës, hijeshisë dhe pastërtisë e saj.

Pra ne shohim që sistemet për edukimin masiv, të cilëve iu është marrë elementi pedagogjik i udhëzimit moral, kanë çuar në shkencë të papërgjegjshme e arrogante.

Njeriu i sotëm, i informuar por i papërgjegjshëm, i ngjan maces në fillim të tekstit. Një njeri, një njerëzim që është edukuar në këtë mënyrë, do të mposhtet gjithnjë nga shpërthimet e impulseve shtazarake të natyrës.

Megjithatë mospërmbajtja ndaj impulseve të egra të natyrës, nëse nuk shoqërohet me edukim të përgjegjshëm, është shumë më shkatërruese sesa ç’ishin “kafshët” e pakultivuara në rastin në fjalë. Mjafton ta kujtojmë në këtë pozicion metaforën e njeriut si banor të një shpelle, strehë e përgatitur nga natyra. Kjo është shëmbëlltyra më e preferuar në religjion, filozofi, histori dhe art. Ashtu siç i përket guaska kërmillit, ashtu edhe njeriu nuk e ka harruar shpellën dhe e mban atë thellë në qenien e tij, ose të paktën një kujtim të fshehur të saj. Edhe nëse fetë na mësojnë se kundërfigura për shpellën është tempulli (në Islam ky tempull është Kaba) si simbol për besimin dhe masën, rregullin dhe simetrinë, një simbol i zhvillimit dhe kufijve, se deri ku i lejohet njeriut, atëherë shpella mbetet e varrosur thellë në kujtesën e njeriut.

Shpella, zjarri, tymi, gjahu, plaçkitja – gjer atje njeriu kthehet gjithnjë e më tepër në qarkullimet e historisë dhe i kundërvihet më shumë vështirësi tundimeve të plaçkitjes.

Edukimi modern, prej të cilit është larguar udhëzimi moral, të çon në një fenomen absurd: luftërat e “njerëzve shpella” janë vetëm një shaka patëkeq në krahasim me luftërat e “njerëzve të civilizuar”, të armatosur me edukimin në formën e kondicionimit. Ato luftëra që kanë plasur shekujt e fundit, tregojnë se njerëzimi, megjithëse kurrë ndonjëherë nuk është arsimuar si në shekujt 19 dhe 20, njeriu vetë me këtë edukim që ka marrë, jo vetëm nuk mund t’i kundërvihet thirrjes së vjetër te shpellave, zjarrit dhe presë, gjahut dhe plaçkitjes, por në vijim të kësaj thirrjeje është bërë akoma më i rrezikshëm, sepse në ushtrimin e veprimeve të këqija është bërë më efiçent.

Një mori qytetesh të mëdha të Lindjes dhe Perëndimit u dogjën nga duart e një njerëzimi të kultivuar (që nuk kishin udhëzimin moral) gjatë Luftës së Dytë Botërore, sikur dëshira e këtyre njerëzve të edukuar të kishte qenë shndërrimi i botës në një skëterrë, në një vend gjigant flakësh, djegiesh dhe tymi.

Xhelaludin Rumi thotë se arsyeja e njerëzimit të arsimuar, por pa udhëzim moral, i shërben atij si qiriu hajdutit gjatë vjedhjes.

Ç’prej një dhjetëvjecari po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh në lajmet për nxënësit që hapin zjarr në shkollat e tyre me armë automatike dhe se gjysma e klasës vriten ose plagosen. Këto dukuri të reja hetohen vetëm në mënyrë të përgjithshme. Por dështojnë të gjithë ata që duan të depërtojnë në thelbin e çështjes dhe e përfundojnë me të kujtuarin e vetëm asaj që i duhet për rreshtat e gazetës, pra jo të shkakut, por të pasojave. Si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim shkaqet janë shumë më të thella dhe zgjasin pafundësisht. Edukimi masiv dhe shkollat moderne i mirëpresin nxënësit e tyre me klasa të rregullta, plane mësimore dhe libra shkollorë eficentë. Por në metodat moderne të fizikës nuk gjen gjë për përuljen. Tekstet moderne të kimisë nuk të thonë asgjë për vetëkontrollin. Librat e sotëm të biologjisë nuk japin udhëzime për vetëpërmbajtje. Çdo degë e sotme e shkencës mund të trajtohet dhe mund të shprehë gjithashtu faktin që librat e tanishëm nuk përmendin asnjë lloj forme të edukimit dhe vlerave themelore morale dhe vetë këto po vlerësohen dhe kuptohen gjithnjë e më pak. Më tej akoma, zërat që kërkojnë futjen e vlerave morale në libra e metoda, bëhen gjithnjë e më qesharake. Pra, po lihet të kuptohet se njeriu është njeri për shkak të dijes së tij dhe jo të vetëkontrollit.

Kjo tregon se në këto libra, natyra, përfshirë edhe natyrën njerëzore siç quhet, po trajtohet sikur të ishte një makinë. Pra, gjatë shumë faqeve të librit të natyrës njeriu dështon në njohjen e qëllimit më të lartë, të së përtejshmes që mund të kapet nga të kuptuarit tonë. Por nuk janë vetëm përulja, vetëkontrolli dhe zëri i ndërgjegjes që janë larguar nga librat e fizikës, kimisë dhe biologjisë. Larguar janë gjithashtu edhe temat mbi hijeshinë, mrekullinë, bukurinë, pashtershmërinë e botës dhe natyrës. Edukimi modern nuk çuditet më me thelbin mahnitës të ujit. Prej kohësh uji nuk është gjë tjetër veçse një resurs industrial.

E gjitha kjo dëshmon se librat të japin informacione, por nuk e shtojnë esencën, thelbin. Ndërmjetësimi i vlerave morale përmban mbi të gjitha perceptimin e një qëllimi më të lartë dhe një arsyeje që ngrihet mbi gjithçka, për të mësuarin, dijen dhe mësimin. Udhëzimi moral ka lidhje me kulturën, kulturën e besimit, dhe besimin në një arsye të kulluar, Allahun.

Për të njohur dhe ditur ligjet e hidraulikës, si bëhet një tub uji etj, kjo është çështje arsimimi, por për t’u pastruar me të, kjo është çështje edukimi, kulture. E njëjta gjë mund të thuhet, fjala vjen, për formimin dhe prodhimin e sapunit që është komplet çështje dijeje, por përdorimi i tij, si i domosdoshëm që është, është çështje edukimi. Robërimi i trupave armiken në kohë lufte është çështje kapaciteti dhe njohurie luftarake, ndërsa t’ua kursesh jetën dhe t’u ruash dinjitetin , kjo është çështje edukimi.

Sistemet moderne, herët a vonë, duhet të kujtohen për debatet mbi shpirtin njerëzor dhe edukimin. Ato duhet t’i kthehen mësimeve të vjetra të njerëzimit, në të cilat janë përcaktuar qartë fushat e edukimit dhe udhëzimit moral. Aq sa ç’është edukimi ushtrim i fuqive mendore, ashtu edhe udhëzimi moral është edukim i ndërgjegjes së brendshme dhe ndriçimi i zemrës.

Kështu pra edukimi dhe udhëzimi moral janë dy elemente ekuilibruese të rritjes shpirtërore të njeriut, ashtu si zogu që ka nevojë për të dyja krahët për të fluturuar. Deri më tani, në këtë edukimin modern, këto dy elemente nuk janë në ekuilibër.

Edukimi pa udhëzimin moral është i brendaqenësishëm (i brendashkruar – shënimi im) për t’u shndërruar në forcë shkatërruese kundër natyrës dhe shoqërisë njerëzore. Udhëzimi moral pa edukim, megjithëse të çon në drejtësi, banalizohet me kalimin e kohës dhe kthehet në shpresë (kurajë) si e vetmja rrugë shpëtimi.

Nëse prodhohet përsëri një ekuilibër ndërmjet asaj çfarë është “të diturit” , çfarë është “e kuptimshmja” dhe “si bëhet më mirë”, atëherë është e rëndësishme të mos harrohet se as edukimi, as udhëzimi moral, nuk janë gjëra që përvetësohen njëherë e përgjithnjë, ashtu sikur ndërrohen dhëmbët e dyta, kur bien ato të qumështit.

Edukimi dhe udhëzimi moral janë procese afatgjate, që përsëriten, dhe që duhen marrë në vëmendje gjithnjë e me kujdes. Kjo i ngjan zogut, i cili do të qëndrojë në ajër dhe rreh krahët pa pushim.

Nga: Prof. Enes Karic

You must be logged in to post a comment Login