E ja tek po vjen përsëri…

Çdo vit shkollor vjen ngadalë pas një vere të bukur e qetësuese…

Shija e ëmbël që na kanë lenë pushimet nuk do të na braktisë, por ja një tjetër sfidë po nis për nxënësit tanë.

School books with apple on desk

Të gjithë së bashku, të vegjël e të rinj prindër e gjyshër, angazhohen për të nisur një fillim të ri. Fillohet me blerjen e librave të mjeteve dhe asgjë më pak, por edhe dëshira për t’u rreshtuar në rreshtat e shkollës. E ja shkolla po afron.

Duket si një kampionat olimpik, ku të gjithë garojnë të përgatiten ashtu siç duhet. Të rreshtuara në rresht të gjitha forcat, dëshirat dhe energjitë për një fillim të ri. Si qark i mbyllur çdo vit rikthehet te ne shtatori. Ky muaj i dashur, i këndshëm e plot me cicërima fëmijërore.

Iku edhe vera ëndrra shumë, ku me vete bartim për muaj të tërë, vendet ku ishim e ku shëtitëm. Ëndrrat që thurën fëmijët dhe tani janë në oborr dhe nuk marrin as frymë për të treguar atë që kanë lënë pas.

Dhe rendje kudo për të sistemuar në çantën e ideve ato sende që na duhen për të paketuar valixhen e këtij udhëtimi 10 mujor. Udhëtim që për disa është i pari,për disa të tjerë është i fundit, e për shumicën edhe të tjera fillime do të ketë më pas.

Ata janë të etur për dije. I hapin me gëzim librat dhe madje nuk presin ditën e parë për të sistemuar çantat. Të gjithë janë gati të përpiqen. Nga ky shkëlqim i dukjes varet suksesi i këtij viti pune e mundi mes librave.

Por më shumë se shkëlqim momenti, ne si prindër ashtu edhe mësuesit, duhet të ngremë në mendjen e tyre aq shumë motive saqë mbi materialen të ngrihen në mendjet e tyre motivimeve të forta për të gjetur ide dhe motive të reja, që ky vit të nisi me erë të mirë e të mbarë dhe të jetë për ata rrugë krenarie në të ardhmen e largët.

Zërat gumëzhitës tashmë kanë zënë dyert e librarive. Librat shkollor duhet të zënë vendin e librave limonadë e përplot me rrëfime fantastike që ata lexuan gjatë verës. Tani librit artistik do ia zërë ngadalë vendin libri shkollor, i cili krenar i hap fëmijëve tanë brazdat e dijes.

 “Më vjen mirë që po vjen përsëri moj shkollë”, thonë zemrat e tyre tanimë të tejngopur me pushime. I ka marrë malli për mësuesen, për shokun, por edhe për mësimet.

Dhe mësuesit e palodhur dhe durimshumë kanë thuajse një muaj që kanë nisur përgatitjet për këtë start maratone shkollore. Plane, programe e gjithfarë lloj përgatitjesh, që foleja e klasës t’i duket më e ngrohtë e ndriçuar nga drita e dijes, fëmijëve.

Ata të palodhur bëjnë gati planet e tyre dhe mundohen të programojnë me ngadalë çdo detaj që munden për punën e tyre mësimore.

Të shqetësuar janë ata para dilemave që ndodhin. Ka vështirësi dhe duhet mund që me dijen e përvetësuar si një Promete të ndriçosh mendjet e nxënësve të tu, të cilët si zogjtë gumëzhitës presin ç’të mund të marrin dije nga ty. Do të mundohen që në rrethin e dijes të fusin sa më shumë nxënës, e pse jo, të gjithë. Mësuesit nganjëherë duken prej guri, por janë kaq të ndjeshëm dhe të butë. Mësuesit janë ata të cilët se kursejnë veten për të dhënë nga shpirti i tyre, që një ditë të marrin si falënderim faktin që këta nxënës u bënë dikush në jetë. Mësuesit janë ëndërrimtarë, kërkojnë në çdo fytyrë atë që do të përpiqet dhe do të arrijë suksesin. Janë pikërisht këta mësues që mund të fusin në oqeanin e paanë e të pafund të dijes.

E ja ku erdhi. Me zell nis mëngjesi i ditës së parë. Gati për të nisur një jetë e re, në po ato dyer ku vit pas viti ne rritemi dhe ndodh që nganjëherë kthehemi për të rritur të tjerë breza.

Kujdestari i përhershëm, mësuesi, që me dorën e tij të ndritur përkund breza të tërë në djepin e dijes për t’i rritur më pas në rrugët e jetës, ku dhe shpesh kthehen pas, për të na thënë në një gjuhë dashurie edhe mirënjohjeje: Faleminderit!

Në rreshta formuar para oborrit të shkollës, me çanta në kurriz të cilat janë të rënda jo vetëm nga librat, por edhe nga këshillat dhe kërkesat e prindërve dhe përballë qëndrojnë pikërisht ata, edukatorët e palodhur, heronjtë e heshtur, mësuesit tanë.

Ti o nxënës je flladi i mëngjesit, shpresa e përjetshme, je shqetësimi që ndjek trupin si tik-taket e zemrës. Andaj bëje veten krenar për dijet e tua.

Gati për nisjen e një viti të ri me shumë kërkesa, por më shumë se çdo gjë tjetër, të gjithëve shumë, shumë SUKSESE!

Entela Hidri

 /Drita Islame – Shtator 2016/

You must be logged in to post a comment Login