Durrës, Stamboll, Nju Jork – Intervistë me Linda K.

Gjithmonë kam besuar në Zot, por kur isha në gjimnaz pata ëndrra që më motivuan të kërkoja më shumë rreth Islamit dhe lutjeve. Njohurinë më të madhe e mora kur vajta në Turqi. Kur isha në Stamboll pata një rrjet të mirë mbështetjeje prej librash, dijetarësh, shokësh dhe resurseve të tjera që më ndihmuan të ndërtoj themelet e mia në fe.

 

kompjuter - grua

Foto Ilustrim

A mund të na tregoni diçka për veten tuaj?

Në radhë të parë ju falënderoj për këtë mundësi kaq të bukur. Unë jam me origjinë nga Durrësi. Kam jetuar në Stamboll për 5 vjet ku kam studiuar inxhinieri kompjuterike. Pas kolegjit erdha në Amerikë më 2008-n për të vazhduar studimet pasuniversitare. Pasi mbarova Masterin në shkenca kompjuterike, erdha në qytetin e Nju Jorkut për të punuar si zhvilluese programesh për shërbimet financiare.

Sa kohë keni në Nju Jork dhe si ju duket jeta këtu?

Ka dy vjet që jetoj në Nju Jork. Jeta këtu është shumë e nxituar, ritmi i punës është marramendës dhe ka shumë aktivitete interesante për të ndjekur. Ofron mundësi të mëdha dhe shanse për të takuar njerëz të rinj nga e gjithë bota çdo ditë.

Ju keni punuar për Goldman Sachs the Citibank. A mund të na tregoni pak për punën tuaj dhe eksperiencën me këto kompani?

Unë kam punuar si zhvilluese programesh (software developer) dy vitet e fundit duke ndërtuar aplikacione financiare. Atmosfera e punës është shumë profesionale dhe diverse. Unë jam e vetmja shqiptare tek grupi im. Është një atmosferë e mirë për të avancuar aftësitë e mia dhe për të kontribuuar në zgjidhjen e problemeve të vështira. Puna ime e përditshme përfshin komunikimin me ekipet e biznesit, mbledhja e të dhënave dhe kërkesave, “brainstorming” mbi zgjidhjet dhe ndërtimi i programeve për biznesin dhe klientët tanë. Në përgjithësi është një eksperiencë shumë shpërblyese.

Si jeni njohur me Islamin?

Gjithmonë kam besuar në Zot, por kur isha në gjimnaz pata ëndrra që më motivuan të kërkoja më shumë rreth Islamit dhe lutjeve. Njohurinë më të madhe e mora kur vajta në Turqi. Kur isha në Stamboll pata një rrjet të mirë mbështetjeje prej librash, dijetarësh, shokësh dhe resurseve të tjera që më ndihmuan të ndërtoj themelet e mia në fe.

Si ka qenë eksperienca juaj me Islamin në Amerikë?

Atmosfera si në shkollë dhe në punë ka qenë mbështetëse: gjithmonë kam pasur mundësi të gjej kohë për faljet. Ndihem rehat me praktikimin e fesë sime këtu. Para se të vija në Nju Jork, jetoja në Pensilvani ku nganjëherë e kisha të vështirë të gjeja vende hallall për të ngrënë apo xhami për t’u falur. Më mungon atmosfera e Ramazanit në Shqipëri dhe Turqi ama. Të jetosh këtu nuk është njësoj si të jetosh në një vend mysliman. Gjithsesi ndihem rehat me fenë time këtu dhe çdo ditë përpiqem të përmirësoj dijen time dhe t’i shërbej komunitetit tim.

Kohët e fundit ju keni vendosur të mbani hixhabin (shaminë e kokës). Si arritët tek ky vendim?

Gjithmonë kam dashur të mbaj hixhab për të kënaqur Krijuesin tonë. Ishte shumë e vështirë ta bëja këtë në Turqi sepse nuk lejohesha të hyja në universitet me shami. Mendoja se hixhabi do influenconte edhe jetën time këtu në Amerikë dhe se do më pengonte studimet apo punën. Më në fund mora vendimin vitin e kaluar dhe nuk mund të isha më e lumtur. Herën e parë që e vura u ndjeva sikur e kisha mbajtur gjithmonë. U ndjeva mirë.

Si ka qenë eksperienca juaj deri tani me hixhabin?

Deri tani ka qenë për bukuri. Kam pasur shumë mbështetje nga shokët dhe familja dhe të gjithë më kanë komplimentuar që më rri shumë mirë. Ndjehem shumë rehat me të; gjithë ajo luftë në marrjen e vendimit për ta mbajtur ishte thjesht në mendjen time.

Çfarë reagimesh keni patur nga kolegët tuaj të punës dhe a ka ndikuar disi hixhabi në punën tuaj?

Mund të dalloja surprizën tek disa kolegë ditën e parë që vajta në punë me hixhab. Shumica nuk reaguan apo thanë ndonjë gjë, sepse kjo konsiderohet si hapësirë personale në Amerikë dhe jo diçka për t’u komentuar në punë. Disa kolegë pyetën pse vendosa ta mbaj, ose më pyetën nëse praktikoja Islamin, dhe unë ua shpjegova arsyet. Ata ishin shumë të respektueshëm ndaj vendimit tim. Asnjëherë nuk ka ndikuar te puna ime. Kompania ime ka një kulturë meritokracie dhe ajo që vlerësohet është puna e fortë dhe rezultatet e mira.

A mendoni se punët do kishin qenë ndryshe po të jetonit e punonit në Shqipëri e të kishit vendosur hixhabin?

Do isha ndjerë e çuditshme dhe nervoze në fillim. Mendoj se shokët dhe familja ime patjetër që do kishin komentuar, edhe nëse nuk do ishin dakord do ma kishin thënë. Mendoj se në punë gjithçka varet se ku do punoja dhe nga kultura e kompanisë. Mendoj se do kishte qenë më e vështirë për mua në fillim, por do isha mësuar me shpjegimet apo me komentet jo dhe aq pozitive dhe do e kisha përgatitur veten.

Ju e dini që në Shqipëri ka paragjykime ndaj femrave me shami. A do kishit ndonjë mesazh përmbyllës për publikun shqiptar?

Ne duhet të mësojmë që rruga drejt paqes dhe suksesit nuk fillon me gjykimin apo kritikën ndaj të tjerëve por me tregimin e respektit dhe tolerancës për besimin dhe pikëpamjet e tjetrit. Në një botë moderne dhe demokratike, ky është çelësi për të parandaluar konfliktet dhe tensionet sociale. Ne duhet të gjykohemi për vlerat tona jo për pamjen tonë. Hixhabi im nuk influencon aftësitë e mia apo atë çka unë mund t’i ofroj komunitetit tim. Kam kuptuar që mbajtja e hixhabit më ka fuqizuar me aftësinë për të kontrolluar si trajtohem dhe respektohem në shoqëri. Ai gjithashtu është një deklaratë ndaj botës se “Çdo gjë rreth meje përveç pamjes sime duhet të të interesojë”. Nëse sot veshja e minifundeve, kanotiereve të shkurtra, takave të larta, apo shtresave të tualetit në publik është pritshmëria pa të cilën një grua nuk mund të dalë nga shtëpia, atëherë ne kemi dy përkufizime shumë të ndryshme të lirisë dhe vetë-respektit.

Intervistoi: Armir Taraj

Nju Jork, 2013

 

Shënim: Emri i personazhit të intervistës është ndryshuar disi për arsye privatësie.

You must be logged in to post a comment Login