Durimi në Kur’an

durimi ne kuran 1Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë.”[1] “Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me pakësim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj, përgëzoji të duruarit.”[2] “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”[3] “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë, se në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.”[4] “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.”[5] Ajetet kuranore që flasin për durimin dhe vlerën e tij janë të shumta dhe të njohura.

Besimi është dy lloje: durim dhe falënderim. Duke qenë se besimi është i tillë, atëherë besimtari e ka më se të domosdoshme që të kapet fort pas tyre. Në Kur’anin Famëlartë, Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim që ne ta këshillojmë njëri – tjetrin për durim. Lind pyetja: Çfarë është durimi?

Komenti i ajetit “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë.”

Durimi është gjysma e besimit, madje ai është i tërë besimi. Që njeriu të adhurojë Allahun duhet të jetë i durueshëm, që të thotë të vërtetën duhet të jetë i durueshëm, që të ruajë shikimin nga gjërat e papëlqyeshme duhet të jetë i durueshëm, që ta fitojë riskun hallall duhet të jetë i durueshëm. Në ditët e sotme ne kemi shumë nevojë që të jemi durueshëm në gjithçka. Durimi ynë duhet të jetë vetëm për Allahun dhe askënd tjetër.

Në këtë ajet kur’anor Allahu i urdhëron besimtarët që të jenë të durueshëm, madje ata duhet ta nxisin njëri-tjetrin që jenë durueshëm. Nëse ndodh që dikush vjen tek ti për të qarë një hall, atëherë ti duhet që t’ia lehtësosh hallin qoftë edhe me fjalë të mira, t’i thuash se nuk ka njeri pa halle, ka halle e halle, t’i thuash që të durojë sepse në këtë hall që ai ka rënë patjetër që ka një urtësi nga Allahu.”[6]

Komenti i ajetit “Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me pakësim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj, përgëzoji të duruarit.”

Sprova, kurrsesi nuk mund të konsiderohet gjë e keqe. Gjë e keqe është që njeriu mos të rezistojë ndaj sprovave. Në të vërtetë, çdo sprovë është provim. Askush nuk thotë se provimet janë të këqija. Në fakt, ato janë të këqija për ata njerëz të cilët nuk i bëjnë dot ballë dhe ngelin në provim. Ndërsa ai i cili përpiqet dhe del i pari, normalisht që provimi për të është i mirë.

Sprova e parë: frika, që do të thotë, se njeriu ka frikë dhe nuk është i qetë nga diçka që i shkakton dëm. Shpirti i njeriut zotëron potenciale të shumta. Shpirti i njeriut nuk është në harmoni të plotë, kur përballet me frikën. Që njeriu t’i bëjë ballë frikës duhet të përpiqet maksimalisht që të rendë pas shkaqeve që e largojnë frikën. Nëse njeriu dorëzohet ndaj frikës, atëherë ai nuk mund t’i rezistojës asaj, pavarësisht potencialeve që ai zotëron. Në fakt, në çastet e frikës njeriu ka nevojë për një stabilitet shpirtëror për ta kapërcyer këtë sprovë me sukses. Por nëse frika i kalon kufijtë e duhura, atëherë njeriu nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se e ka shtuar burimin e frikës, sepse në këtë rast njeriu nuk është përballur me të me gjithë potencialin që zotëron. Njeriu duhet krijojë imunitet që e pengon frikën të përparojë dhe kështu ai e kalon këtë sprovë me sukses. Durimi është një prej shkaqeve të këtij imuniteti.

Sprova e dytë: uria. Uria ka të bëjë me ushqimin që është i domosdoshëm për jetën. Nëse njeriu është i uritur, atëherë atij çdo lloj ushqimi i duket i shijshëm. Shumëllojshmëria e ushqimeve nuk vjen si rezultat i urisë së njeriut, por ngase atij i pëlqen të ketë lloje të ndryshme ushqimesh për shijen e tij. Por për të shuar urinë do të hante çfarëdolloj ushqimi. Kur njeriu është i lodhur do të flinte edhe në një shtrat dërrase. Por kur nuk është i lodhur, nuk do të ndihej rehat as edhe në një shtrat të shtruar me pupla.

Atëherë sprova e urisë është durimi ndaj ushqimit të domosdoshëm që i kthen njeriut jetën. Njeriu ushqehet për të pasur lëndën bazë për jetën. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim agjërimin që të mësohemi se si ta durojmë urinë. Sepse njeriu mund të përballet me kohë të vështira ku ka pllakosur zia e bukës. Allahu i Lartësuar kërkon nga besimtarët që të jenë përgatitur dhe t’i bëjnë ballë urisë. Prandaj besimtari i bën ballë frikës sepse është i përgatitur, i bën ballë urisë sepse është stërvitur për një rast të tillë.

Sprova e tretë: pakësimi në pasuri. Njeriu mund t’i pakësohet pasuria për shumë arsye; ajo mund të shkatërrohet, mund të vidhet, mund t’i humbasë etj. Të gjitha këto janë sprova nga Allahu i Lartësuar që njeriu të sprovohet është apo nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut.

Në pamje të jashtme edhe dhënia e sadakasë mund të duket se është pakësim në pasuri. Por e vërteta qëndron ndryshe, sepse Profeti (a.s.) ka thënë: “Pasuria nuk pakësohet nga dhënia e sadakasë. Prandaj jepni sadaka.”[7]

Tregohet se ushtarët bizantinë i morën me forcë Beshir Et Tabarijut 400 lopë. Skllevërit që merreshin me kullotjen e lopëve, shkuan dhe i treguan Beshirit se çfarë kishte ndodhur. Atëherë Beshiri u tha skllevërve: Shkoni se jeni të lirë. U dha lirinë ndërkohë që ata kushtonin 1000 dinarë. Kur djali i tij i tha: O baba, u bëmë të varfër, ai iu përgjigj: O djali im, pusho, sepse kjo është një sprovë nga Allahu.

Sprova e katërt: pakësimi në frymë. Kjo sprovë ka të bëjë me humbjen e ndonjë pjese të trupit ose me vdekjen e njeriut të dashur. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.”[8]

Profeti i Allahut, Ejubi (a.s.) u sprovua në pasuri, fëmijë dhe në veten e tij. Një ditë gruaja e tij i tha që t’i lutej Allahut që t’ia largonte të keqen duke qenë se lutja e tij ishte e pranueshme tek Allahu. Profeti i nderuar e pyeti gruan: Sa vjet kemi qenë në mirqënie dhe shëndet të plotë? Gjashtëdhjet vjet – u përgjigj ajo. Atëherë – tha ai, unë kam turp që ta lus Allahun që të na e largojë të keqen përderisa nuk jam sprovuar po aq vjet?!

Thuhet se kur Sa’d ibnu Ebi Uekas shkoi në Mekë, ndërkohë që kohë më parë ai ishte verbuar, njerëzit nxituan për ta takuar që të bënte lutje për ta, sepse lutjet e tij ishin të pranuara tek Allahu. Abdulla ibnus Saib tregon: Shkova tek ai, dhe pasi iu prezantova më njohu dhe më pyeti: Ti je lexuesi i njohur i Kur’anit në Mekë? Po – i thashë. Pastaj e pyeta: O xhaxha! Ti i lutesh Allahut për njerëzit, po sikur t’i luteshe për veten tënde që të të kthente shikimin?! Ai duke buzëqeshur tha: Biri im, caktimi i Allahut është më i mirë për mua sesa shikimi.”

Sprova e pestë: pakësimi i të lashtave. Njeri i lumtur është ai i cili e di se fara që ka hedhur në Tokë mbin me lejen e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “A e shihni atë që mbillni? Vallë, ju e bëni atë qëtë mbijë apo jemi Ne rritësit e saj? Nëse duam, Ne e lëmë fyçkë dhe ju do të çuditeni. E do të thoni: Ne jemi të dëmtuar, madje jemi krejt të privuar nga furnizimi.”[9]

Pakësimi i të lashtave mund të ndodhë për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore, dikush mund të vjedhë..etj. Nëse besimtari dëshiron të mbjellë fidanin më të mirë në Xhenet dhe të pastrojë veten duke fituar kënaqësinë e Bujarit, atëherë le të durojë kur Allahu e sprovon me pakësimin e të lashtave. Le ta dijë mirë se Allahu e sprovon që të lumturohet, sepse ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe e përhershme.

E rëndësishme është që besimtari t’i kalojë këto sprova me sukses dhe t’i përballojë vështirësitë e kësaj bote duke i qenë i fortë në besim. Ai duhet ta dijë mirë se jeta e kësaj bote është urë kalimi, ndërsa synimi i tij kryesor është Xheneti i amshueshëm.

Dhe në fund, ai i cili duron ndaj këtyre sprovave ka një përfundim të bukur e të këndshëm që është:

Përgëzoji të duruarit për shpërblimin e madh

Përgëzoji të duruarit se ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë

Përgëzoji të duruarit me lumturinë në të dy botët

Përgëzoji të duruarit me Xhenet

Përgëzoji të duruarit se Allahu i do ata

Përgëzoji të duruarit se Allahu është gjithmonë me ta

Përgëzoji të duruarit se Allahu është i kënaqur me ta

Përgëzoji të duruarit me fshirjen e mëkateve

Përgëzoji të duruarit me lehtësimin pas vështirësisë

Komenti i ajetit “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”

Shpërblimi i durimtarëve është i pa masë dhe nuk ka kufij. Çdokush që është i kënaqur me fatkeqësinë me të cilën përballet duke qenë durimtar, shpërblimi i tij është i pallogaritshëm. Shpërblimi i durimtarit është i njëllojtë me shpërblimin e agjëruesit, ku në një hadith kudsij Allahu i Lartësuar thotë: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të.”[10]

Husejni transmeton nga gjyshi i tij Profeti (a.s.) i cili ka thënë: “Kryeji obligimet që të jesh adhuruesi më i mirë. Ji i kënaqur (me caktimin e Allahut) që të jesh njeriu më i pasur. Biri im! Në Xhenet ka një pemë që quhet Pema e Brengës. Ata të cilët kanë pasë brenga në këtë jetë do të paraqiten, por për ta nuk do të ketë peshore, nuk do të ketë regjistra dhe shpërblimi do të jetë i pakufishëm. Më pas profeti (a.s.) lexoi ajetin kuranor: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”][11]

Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin thotë: “Për sa i përket durimit, shumëfishimi i shpërblimit të tij është i pamasë nga Allahu i Lartësuar. Kjo tregon se shpërblimi i tij është shumë i madh, saqë njeriu nuk ka mundësi që ta imagjinojë këtë shpërblim, sepse nuk është përcaktuar me numër. Por ky shpërblim tek Allahu është i ditur se nuk ka masë. Këtu nuk themi se vepra e mirë shpërblehet nga dhjetë deri në shtatëqind fish, jo ajo që themi është se shpërblimi është i pa masë. Ky ajet flet qartë se na nxit për durim.”[12]

Komenti i ajetit “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë, se në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.”

Kur besimtarit i ndodh diçka e papëlqyeshme nga një njeri, ai duron sepse e di mjaft mirë se kjo ka ndodhur me vullnetin e Allahut. Kështu që ai vazhdon të jetë akoma i lidhur me Allahun.

“Njeriu i cili duron, fal dhe toleron, në të vërtetë ka kryer një veprim të hijshëm. Ndoshta, ky ajet kuranor mbart një kuptim të fshehtë që ngjan me kuptimin e ajetit kuranor: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur.”[13] Të gjithë të Dërguarit e Allahut janë të nderuar e të respektuar, të gjithë e kanë zbatuar me përpikëri urdhrin e Allahut dhe e kanë përcjellur mesazhin hyjnor tek njerëzit, por, megjithatë, në mesin e tyre ka pasë disa të dërguar që kanë qenë më këmbëngulës e më të vendosur. Po kështu edhe në lidhje me këtë ajet kuranor, kuptojmë se ai i cili duron dhe fal është më i vendosur se të tjerët, sepse ai duron ndaj caktimit të Allahut dhe është i kapur fort pas fesë. Pra, njeriu mund të marrë hak ndaj atij që i ka shkaktuar dëm, por edhe mund ta falë. Ai që fal, pa dyshim ka kryer një veprim të virtytshëm.

Tregohet njëherë se në një tubim, dikush filloi të ofendonte dikë në mesin e njerëzve, mirëpo ai që po ofendohej u përmbajt megjithëse u turpërua. Pasi ai që ofendoi mbaroi, i ofenduari lexoi ajetin kuranor: “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë, se në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.”Një dijetar që ishte i pranishëm, tha: Betohem në emër të Allahut që ky njeri e ka kuptuar mjaft mirë ajetin kuranor, ndërkohë që shumë të tjerë e kanë lënë pas dore.

Dijetari i shquar Muhamed ibnu Uthejmin thotë: “Ky ajet kuranor e nxit njeriun që të durojë dhe të falë ata që i kanë shkaktuar ndonjë të keqe. Megjithatë, jo gjithmonë preferohet falja, sepse Allahu i Lartësuar faljen e ka shoqëruar me pajtimin duke thënë: “Për atë, që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.”[14] Nëse falja nuk shoqërohet me pajtim, atëherë nuk ka pse të ketë falje. Si shembull për këtë mund të themi: Nëse personi që të ka shkaktuar një të keqe njihet si njeri i lig, nëse e fal ligësia e tij shtohet, atëherë më mirë është që t’i mos ta falësh, por përkundrazi të marrësh hakun për asrye të pajtimit.

Por, nëse personi që ti e fal nuk të shkakton më ndonjë të keqe, atëherë është më mirë që ta falësh, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Për atë, që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.” Duke qenë se shpërblimi i njeriut është tek Allahu, atëherë është më mirë për të që ta marrë shpërblimin prej Tij se sa prej punëve të mira të shokut të tij në Ditën e Gjykimit.”[15]

Komenti i ajetit: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.”

Përmes këtij ajeti kuranor, Allahu i Lartësuar kërkon prej nesh që të kërkojmë ndihmë nëpërmjet durimit dhe namazit. Por përse të durojmë? Sepse durimi është përmbajtja ndaj çdo gjëje prej së cilës njeriu ka frikë. Durimi merr ngjyra nga më të ndryshmet në varësi të pozitës së njerëzve në adhurim. Si shembull të kësaj po paraqesim përgjigjen e imam Aliut, i cili kur u pyet për të drejtat ndaj fqinjit, tha: Ju e dini se ne nuk duhet t’i bëjmë atij ndonjë të keqe? Po – thanë ata. Po ashtu ne duhet të durojmë kur ai na bën ndonjë të keqe – tha ai. Pra, ajo që kërkohet prej njeriut, jo vetëm që nuk duhet t’i bëjë ndonjë të keqe komshiut të tij, përkundër kësaj ai duhet të durojë edhe sjelljen e keqe të tij.

Durimi e ndihmon njeriun që të zbatojë urdhrin e Allahut dhe që të mos ta kryejë atë vepër që Allahu e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar e ka privuar njeriun nga dëshirat dhe epshet e tij shfrenuese dhe në të njëjtën kohë e ka urdhëruar që të kryejë gjëra që njeriu has vështirësi në zbatimin e tyre. Prandaj njeriu i cili privohet nga dëshirat shfrenuese dhe që zbaton urdhëresat e vështira ka nevojë për durim.

Besimtari medeomos duhet të jetë i durueshëm, sepse nëpërmjet durimit Allahu është gjithmonë me të. Ky ajet kuranor, kurrsesi nuk e bën besimtarin pesimist ndaj çdo lloj fatkeqësie dhe problemi që përballet në jetë. Ajeti kuranor na thërret se që besimi i besimtarit të jetë i fortë dhe i palëkundur është më se e domosdoshme për atë që të kërkojë ndihmë nëpërmjet durimit dhe namazit. Çështja absolutisht nuk është e thjeshtë, ajo ka nevojë për sakrificë të madhe, sepse durimi është përmbajtja e vetes ndaj problemeve të vështira. Kështu që, çdo besimtar i cili ndjek rrugën e besimit, ka nevojë që të kërkojë ndihmë nëpërmjet durimit, që të ketë mundësi të përballet me vështirësitë e ndryshme.

Thënia e Allahut: “Në të vërtetë, Allahu është me durimtarët”, do të thotë se Allahu i Lartësuar kërkon prej nesh që jetën ta përballojmë duke qenë Allahu i Lartësuar gjithmonë me ne. Në të vërtetë, njerëzit nuk kanë frikë vetëm se atëherë kur shmangen nga rruga e Zotit. Ndërsa ai i cili është në rrugën e Zotit, shejtani nuk guxon ta prekë, për një arsye shumë të thjeshtë: është më se e vërtetë që ai e nxit njeriun për keq, por nuk mund të hyjë në luftë me Allahun e Lartësuar. Realisht, ai hyn në luftë me ata të cilët janë jashtë rrugës së Zotit.

Allahu i Lartësuar kërkon prej besimtarëve që të kërkojnë ndihmë nëpërmjet durimit dhe namazit ndaj probleme dhe halleve të cilat janë përtej mundësisë së tyre. E vërteta është se njeriu kërkon ndihmë atëherë kur nuk ka mundësi. Çfarë të bëjë njeriu kur problemi me të cilin përballet është përtej mundësive të tij? Në këtë rast, ai duhet të kërkojë ndihmë tek Ai i cili i zgjidh hallet dhe problemet. Thënia e Allahut: “Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit”, na tërheq vëmendjen se njeriu do të përballet me halle dhe probleme të vështira, prandaj Allahu i Lartësuar dëshiron prej besimtarëve që të përgatiten shpirtërisht për t’i bërë ballë vështirësive.

[1] Ali Imran: 200.

[2] Bekare: 155.

[3] Zumer: 10.

[4] Shura: 43.

[5] Bekare 153.

[6]Marrë nga tefsiri i dijetarit Nabulsi.

[7]Transmeton imam Ahmedi.

[8] Zumer: 42.

[9] Uakia: 63 – 67.

[10]Transmeton imam Muslimi.

[11]Marrë nga “Tefsirul Munir” i doktor Uehbe Zuhejlit.

[12]Marrë nga “Shpjegimi i Rijadus Salihin” të dijetarit të shquar Muhamed ibnu Uthejmin.

[13] Ahkaf: 35.

[14] Shura: 40.

[15]Marrë nga “Shpjegimi i Rijadus Salihin” të dijetarit të shquar Muhamed ibnu Uthejmin.

/Revista Drita Islame, Korrik 2013/

You must be logged in to post a comment Login