Duhanpirja dhe kanceri

Mësimet morale dhe parandalimi i kancerit

Është vlerësuar se rreth 80-90% e të gjitha rasteve të kancerit janë të lidhura me ndikimet mjedisore dhe të stilit të jetesës. Shumë qendra kërkimore të kancerit vlerësojnë se 80-90% e kancereve të njeriut janë të parandalueshëm. Përveç kimikateve dhe infeksioneve (virale dhe parazitare), faktorët e jashtëm përfshijnë dietën ndërmjet një sërë faktorësh të tjerë tërësisht ose pjesërisht të përcaktuara nga sjellja personale. Edhe pse faktorët gjenetikë dhe mosha ndikojnë në fillimin e kancerit, përfundimi është se shumë kancere të njeriut janë të shmangshëm. Një numër i madh prej tyre janë të lidhur me pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit, homoseksualitetin, imoralitetin dhe ekspozimin e tepruar ndaj rrezeve të diellit, të gjitha praktika jo të miratuara në shoqëritë tradicionalisht fetare.

Dr. John Hill, një mjek në Londër, raportoi një rritje të kancerit të buzës në duhanpirësit me llullë që në vitin 1761. Më vonë, shumë kimikate u provuan të ishin kancerogjene dhe kështu shumë të tillë filluan të shmangen, ose të përdoren duke pasur shumë kujdes. Rrezatimi jonizues është ende një rrezik i rëndësishëm, por i parandalueshëm nëse merren masat e duhura.

Duhani dhe kanceret

Në shumë vende kanceri është shkaku i dytë më i rëndësishëm i vdekjeve. Në ShBA dhe në shumë vende të zhvilluara, ai është përgjegjës për 20% të të gjitha vdekjeve. Rreth 6 milionë raste të reja të kancerit zbulohen çdo vit në të gjithë botën, nga të cilat rreth një milion janë të shkaktuara nga pirja e duhanit. Numri i të vdekurve për shkak të sëmundjeve malinje në ShBA arrin në 400-450 000 çdo vit, nga të cilët 100 000 janë për shkak të kancerit të mushkërive, 85-90% e tyre për shkak të pirjes së duhanit. Në të vërtetë, duhani është faktori më i rëndësishëm i rrezikut të kancerit në përgjithësi, përgjegjës për 30-40% të të gjithë kancereve. Asnjë agjent tjetër i vetëm nuk është shqyrtuar në mënyrë më të detajuar, as përcaktuar në mënyrë aq të saktë si agjent shkaktar i kancerit, sesa pirja e duhanit. Le të shikojmë disa nga faktet.

Rreziku i duhanpirësve për zhvillimin e kancerit të mushkërive rritet me numrin e cigareve të pira, kohëzgjatjen e pirjes, kohën e fillimit dhe llojin e pirjes së duhanit. Përafërsisht një e gjashta e atyre që pijnë dy paketa cigaresh në ditë do të zhvillojnë kancer të mushkërive me siguri. Rreziku për të ata që pijnë 40 cigare në ditë është 25 herë më i madh se te jo-duhanpirësit. Pirja e duhanit shkakton të gjitha llojet kryesore të kancerit të mushkërive, duke përfshirë tumorin skuamoqelizor, adenokarcinomën, karcinomën me qeliza të vogla dhe të mëdha. Kanceri i mushkërive ishte një formë e rrallë e kancerit në fillim të këtij shekulli, madje edhe në vendet e zhvilluara. Meqë pirja e duhanit u rrit në mënyrë drastike pas Luftës së Parë Botërore, te burrat dhe te gratë pas Luftës së Dytë Botërore, incidenca e kancerit të mushkërive erdhi në rritje të pandërprerë deri në vitet ‘70, kur filloi të bjerë te burrat dhe një dekadë më vonë te gratë. Megjithatë, kanceri i mushkërive është ende i pari kancer vrasës në shumë vende të zhvilluara dhe në zhvillim. Në Hong Kong, vlerat për gratë tani janë më të lartat në botë. Vlerat e kancerit të mushkërive në meshkujt kinezë (p.sh. 50.2 për 100.000 banorë në Shangai) janë më të larta se sa të Amerikës së Veriut dhe të Evropës. Ai është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri te meshkujt në Bullgari, Kubë, Çekosllovaki, Egjipt, Greqi, Hong Kong, Hungari, Izrael, Filipine, Poloni, Rumani, Singapor, Tajlandë, Uruguai dhe Zimbabve. Rreziku është më i madh në mesin e atyre që e kanë filluar duhanin në moshë të re dhe ata që pinë cigare me sasi të larta të katranit.

Kanceri i laringut është kanceri i dytë i shkaktuar nga pirja e duhanit, por numri i përgjithshëm i rasteve është më i vogël se kanceri i mushkërive dhe mbijetesa është shumë më e mirë.

Duhanpirësit kanë pesë herë më shumë gjasa për të zhvilluar kancerin e gojës dhe ezofagut se jo-duhanpirësit. Ekziston një lidhje midis alkoolit dhe duhanit në shkaktimin e kancerit të ezofagut, laringut dhe kavitetit oral.

Pirja e duhanit është gjithashtu një faktor i rëndësishëm i kancerit të fshikëzës urinare, veshkave dhe pankreasit. Shoqërimi i kancerit të stomakut dhe pirjes së duhanit gjithashtu është vënë qartë në dukje. Pirja e duhanit është implikuar edhe në kanceret që prekin gjoksin, mëlçinë, qafën e mitrës, uterusin dhe shumë organe të tjera. Ai gjithashtu është i përfshirë në kancerin e lindur te fëmijët, si rezultat i ekspozimit të nënës ndaj duhanit para lindjes. Edhe pirja pasive e duhanit është implikuar në shkaktimin e shumë rasteve të kancerit.

Karcinogjenet në tymin e duhanit

Tymi i duhanit është një aerosol i përbërë nga rreth 2000 substanca të ndryshme, 50 nga të cilat janë provuar tashmë të jenë kancerogjene për njeriun, p.sh. pirinat benza, benza anthraceni, benzo floarantheni, benzeni dhe derivatet e tjera benzile, kadmiumi, kriseni, metilkriseni, metil fiourantheni dhe nitrozo komponimet.

Tymi i cigareve përmban edhe sasi të konsiderueshme të substancave radioaktive si p.sh. torium Th228, polonium-210 dhe radium-Rd226. Këto komponime depozitohen në mushkëri, ku vazhdimisht rrezatojnë qelizat aty pranë dhe kështu favorizojnë ndryshimet malinje. Edhe urina e duhanpirësve përmban substanca mutagjene për bakteret dhe substanca që shkaktojnë ndryshime në kromozomet e qelizave të njeriut in vitro.

Tymi i duhanpirësve pasivë përmban përqendrim 50-fish më të madh sesa nitrosaminat e tymit kryesor. Në një orë frymëmarrje në një dhomë të mbushur me tym, një jo-duhanpirës mund të thithë një sasi nitrosaminash ekuivalente me shumën e thithur sikur të kishte pirë 15 cigare.

Lënia e duhanit

Rreziku i kancerit pas lënies së duhanit zvogëlohet ndjeshëm. Te duhanpirësit e lehtë rreziku ulet 10-15 vjet pas ndërprerjes së duhanit, ndërsa te duhanpirësit e rëndë ka një mbetje dy deri në trefish edhe pas ndërprerjes. Mekanizmi i karcinogjenezës së mushkërive dhe ndërprerjes së duhanit është mjaft i studiuar dhe tashmë i sigurt.

Gratë dhe pirja e duhanit

Meqenëse gratë e filluan pirjen e duhanit shumë më pas burrave, ka një vonesë në kohë në incidencën e kancerit të mushkërive tek to. Incidenca e kancerit të mushkërive ka rënë tashmë për burrat në vendet më të zhvilluara, ndërsa ishte ende në rritje për gratë në fillim të viteve ‘80. Në vitin 1984, 32% e grave pinin duhan në Britani krahasuar me 36% të meshkujve. Në vitin 1961, shifrat kanë qenë 60% e meshkujve dhe 40% e femrave. Ndërsa në vitin 1950 gruaja duhanpirëse tymoste gjysmën e cigareve krahasuar me meshkujt, në vitet ‘80 shifrat përkatëse ishin 14 dhe 16 cigare.

Gjatë dekadës së dytë të fushatës anti-duhan në Britani, pirja e duhanit filloi të bjerë në mesin e femrave gjithashtu, ngadalë në fillim, por u përshpejtua më pas. Trende të ngjashme janë gjetur në të gjitha vendet e zhvilluara, p.sh. në Australi, pirja e duhanit në mesin e grave të reja dhe të moshës së mesme ishte në rritje në fillim të viteve ‘80. Përqindja e duhanpirësve meshkuj ishte në rënie në 19 nga të 22 vendet e zhvilluara dhe për gratë në rritje ose e qëndrueshme në 11 vende. Në Austri, Gjermani, Itali, Japoni, Rusi, pirja e duhanit në mesin e grave ishte ende në rritje në fillim të viteve ‘80.

Ne mund të vëmë re se kanceri i mushkërive ka tejkaluar tashmë kancerin e gjirit në numrin e viktimave që shkakton. Gratë duhanpirëse pasive nga burrat e tyre dhe gratë jo-duhanpirëse që punojnë në mjedise të pirjes së duhanit janë të prekura gjithashtu nga kanceri i mushkërive.

Trendet në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim

Fushatat anti-duhan kanë filluar në vendet e zhvilluara në tri dekadat e fundit dhe arritjet janë të jashtëzakonshme. Në Britani, 60% e meshkujve ishin duhanpirës në vitin 1961 (vit para se të publikohej raporti i parë i Kolegjit Mbretëror të Mjekëve rreth pirjes së duhanit). Më 1971 kjo shifër kishte rënë në 47%, më 1984 në 36% dhe në vitin 1992 më pak se 25% e meshkujve të rritur ishin duhanpirës. Siç është vënë në dukje tashmë, një trend i ngjashëm mes grave duhanpirëse ishte i dukshëm me një vonesë 10-vjeçare. Rënia e konsumit të duhanit në vendet e tjera evropiane dhe në ShBA ka qenë e konsiderueshme. Nga mesi i viteve ‘80 shitjet kishin rënë në mënyrë mbresëlënëse me 20%, me një rënie vjetore 5-10%.

Si është e mundur që kompanitë e duhanit kanë shitur 10 miliardë cigare që ata prodhojnë në ditë? Duke promovuar shitjet në vendet e varfra të botës së tretë, të cilat tashmë vuajnë nga shumë rreziqe të tjera serioze shëndetësore. Konsumi i duhanit në vendet e botës së tretë ka parë një rritje të tmerrshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se sëmundjet që lidhen me duhanpirjen janë në rritje në vendet në zhvillim.

Gjatë tri dekadave të fundit në Senegal përqindja e njerëzve që pinë duhan në zonat urbane ka arritur ne 80%, në Bangladesh 70%, në Laos 72% e studentëve meshkuj të Fakultetit të Mjekësisë ishin duhanpirës. Statistikat nga Dhoma e Tregtisë së Arabisë Saudite tregojnë një rritje të pabesueshme në importet e duhanit, mbi 4.5 milionë kg në 1972, mbi 27 milion kg në vitin 1977, gati 36 milionë kg në vitin 1981, 42 milionë kg në vitin 1984, një rritje prej 900%. Nuk është befasi të gjendet se kanceri i mushkërive në Arabinë Saudite është rritur në mënyrë dramatike, nga kanceri i 12-të në një studim në vitet 1950-61 në kancerin e tretë më të zakonshëm në një studim në vitet 1979-84. Ai pritet të jetë kanceri kryesor në vitet 90-të e më pas, sepse efektet e pirjes së duhanit po zhvillohen më tej.

Metodat e kompanive të duhanit janë të paskrupullta, si dhe agresive, duke kompromentuar zyrtarët e qeverive për të lejuar promovimin e markave të tyre. Në vitin 1982, kreu i parlamentit të Malajzisë dha dorëheqjen dhe shkoi për të punuar si drejtor i kompanisë Rothmans, prodhuesi më i madh i cigareve në Malajzi. Etiopia importoi 200 milionë cigare të shtrenjta britanike në vitin 1984, kur një pjesë e madhe e shtetasve të saj ishin të uritur për vdekje. Në Bangladesh, pirja e pesë cigareve në ditë iu vjedh familjes 1/4 e të ardhurave të saj për ushqimet, e cila rezulton në rreth 18.000 vdekje të fëmijëve në vit. Për fat të keq, Banka Botërore dhe qeveritë perëndimore po bashkëpunojnë me shtatë kompanitë gjigante të duhanit (tre amerikane, tre britanike dhe një franceze). Banka Botërore i ka dhënë Pakistanit 60 milion dollarë kredi për të rritur duhanpirjen dhe ShBA kanë shpenzuar 2 miliardë dollarë hua për vendet në zhvillim për blerjen e duhanit dhe për të krijuar projekte të sipërmarrjes së përbashkët dhe fabrikave të duhanit.

OBSH thekson nevojën për një ndalim në promovimin e duhanit, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës, ​​të zbatohet plotësisht, të publikohet dhe t’i jepet prioritet i madh nga qeveritë dhe autoritetet shëndetësore dhe të jetë i qëndrueshëm në një bazë afatgjatë.

Ligji islam dhe duhanpirja

Dijetarët më në zë të Islamit e kanë ndaluar pirjen e duhanit shumë shpejt pasi ai u prezantua në Turqi rreth vitit 1000 H (1573). Sulltan Murati i Kalifatit Osman e bëri atë një vepër të dënueshme kapitale në vitin 1663. Ish kryemyftiu i Arabisë Saudite, Shejh Muhammed bin Ibrahim kishte përfshirë në fetvanë e tij emrat e shumë ulemave të mëdhenj dhe myftinjve që kishin ndaluar pirjen e duhanit nga paraqitja e tij e parë në Turqi, Marok, Egjipt, Siri dhe Jemen. Të gjithë autoritetet fetare në Arabinë Saudite, duke përfshirë natyrisht edhe imamin e madh, Shejh Abdul Aziz bin Baz, e kanë ndaluar përdorimin e duhanit, promovimin e tij, shitjen, kultivimin dhe çdo gjë që ka të bëjë me të në ndonjë mënyrë tjetër.

Konferenca Islamike e Ulemave (për drogën, narkotikët dhe pijet me ngjyrë e mbajtur në Medine, 22-25 mars 1982, nën kujdesin e princit Abdullah bin Abdul Aziz) miratoi një rezolutë që ndalon përdorimin e duhanit në çdo formë të tij, kultivimin, prodhimin, tregtimin, shitjen ose promovimin në mënyrë kategorike. Zyra e OBSH për Mesdheun Lindor botoi një libër në vitin 1988 nën titullin Al-Hukm al-Sheriati fi at-Tadkhin (ligji islam për pirjen e duhanit), që përfshinte vendimin e dhjetë ulemave më të rëndësishëm të Egjiptit, duke përfshirë Shejhu’l-Az’har, i cili në mënyrë të qartë e konsideron përdorimin e duhanit si haram.

Arsyet për këto ligje ishin:

  1. Pirja e duhanit është e dëmshme për shëndetin. Kur’ani thotë qartë: “Mos e vrisni veten tuaj” (4:29) dhe “mos e hidhni veten tuaj në shkatërrim” (2:195). Mësimet islame në përgjithësi, si dhe qindra thënie të Profetit, paqja qoftë mbi të, inkurajojnë myslimanët për të ruajtur shëndetin dhe të heqin dorë nga gjërat e dëmshme ndaj tij.
  2. Duhanpirja i shpenzon njeriut shuma të mëdha parash. Arabia Saudite shpenzon çdo vit më shumë se një miliard rial në importe të duhanit. Disa vende të varfra myslimane shpenzojnë më shumë para për pirjen e duhanit se sa në promovimin e shëndetit apo arsimit. Kur’ani shprehet kështu mbi harxhimin e tepërt, “Mos e shpenzoni pasurinë tuaj kot. Shpërdoruesit janë me të vërtetë shokë të djallit” (17:26, 27).
  3. Pirja e duhanit konsiderohet e papastër, khabeth. Kur’ani deklaron se Profeti, paqja qoftë mbi të, e këshillon popullin e tij “Ai ju ka ndaluar çdo gjë që është e keqe dhe e papastër dhe ka lejuar çdo gjë që është e mirë dhe e pastër” (7:157). Pirja e duhanit është e keqe dhe e papastër, pasi ajo shkakton ndotjen e mjedisit dhe është e pakëndshme, madje dhe seriozisht e dëmshme për ata që nuk pinë duhan. Të dëmtosh të tjerët është rreptësisht e ndaluar në Islam dhe konsiderohet si një nga mëkatet më të mëdha që një besimtar mund të kryejë.

Ekziston një nevojë e madhe për të informuar komunitetet myslimane në lidhje me opinionet ligjore për përdorimin e duhanit dhe arsyetimin për të. Qeveritë myslimane duhet të qëndrojnë të vendosura kundër presionit të ushtruar mbi to nga kompanitë e duhanit dhe mbështetësit e tyre të fuqishëm perëndimorë. Nëse vendet myslimane edhe popujt u përmbahen jetesës tradicionale fetare, ata do të kenë sukses në shmangien e rreziqeve dhe humbjeve tragjike të jetës e të pasurisë të shkaktuara nga konsumi i duhanit.

A. Al-Ahari

Përktheu: Erion Sukaj

/Revista “Drita Islame” – qershor 2017/

You must be logged in to post a comment Login