“Drita Islame”, mision, përgjegjësi, amanet

Shpeshherë kthehemi e shikojmë në kohë, punën që kemi bërë, dhe ndiejmë nevojën e një rivlerësimi. Si në çdo punë në këtë faqe të dheut, edhe puna jonë ka nevojë për vlerësime, sugjerime për të përmirësuar ato që bëjmë në të mirë të misionit të shenjtë që kemi pranuar. “Drita Islame”, që prej vitit 2012 ka ndryshuar tërësisht paraqitjen e saj, por krahas kësaj, ndryshime rrënjësore ka pasur edhe në përmbajtjen dhe trajtimin e çështjeve të ndryshme.

Sidoqoftë, ne mendojmë se çdo risi sjell me vete nevojën për ndryshime të shpeshta koherente dhe rifreskuese. Kjo për arsye se edhe lexuesit janë bërë pjesë e këtij ndryshimi, me kërkesat, kritikat dhe sugjerimet e tyre. Në shumë mesazhe që kanë mbërritur në redaksi nga brenda dhe jashtë vendit, sidomos nëpërmjet postës sonë elektronike, theksohet nevoja për pasurimin e brendisë së gazetës, duke e kthyer atë në një element informues, udhëzues, ndihmës, etj.

Ajo që na nevojitet është që edhe gjatë vitit 2017, t`i dalim për zot revistës sonë, që është një pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e jetës sonë shoqërore dhe fetare. Tashmë të gjithë e dimë se me sa shumë mund u përgatit një mundësi e tillë, që nga fillimi i viteve `90 e deri më sot, që ne myslimanët shqiptarë të kemi tribunën ku mund të themi fjalën tonë, dhe t’u tregonim të tjerëve se si mendojmë ne në të vërtetë.

Në kohët që kanë ardhur, ku qarqe të ndryshme mundohen të nxijnë imazhin e fesë sonë, revista “Drita Islame” është një nga mundësitë e mrekullueshme që Allahu Mëshirëplotë, na ka dhënë për të predikuar fjalën e Tij dhe për të treguar se kush janë myslimanët e vërtetë, cilat janë principet e tyre, mënyra e jetesës dhe konceptimi i kësaj bote dhe tjetrës në vijim.

Jemi kështu në një rrugë të gjatë, ku gjithsecili duhet të mbajë barrën e vet. Edhe njëherë kërkojmë lutjet tuaja të pastra në këtë rrugë të vështirë.

Redaksia

You must be logged in to post a comment Login