Drita e Islamit

nga Ali Zaimi

Përpara katërmbëdhjetë shekujsh njerëzimi njohu për herë të parë në mënyrën më të plotë e të përsosur mëshirën, dashurinë, lirinë e vërtetë… e të gjitha mirësitë pa fund të Allahut, të sendërtuar në një sistem vlerash, mirësish e begatish të emërtuar ISLAM nga vetë Krijuesi i botëve. Kjo fe që përshkohet plotësisht nga mirëkuptimi, stabiliteti dhe toleranca, në kuptimin e mirëfilltë do të thotë nënshtrim, paqe dhe pajtim. Islami është përsosmëria e fesë, është plotësimi i dhuntisë së Allahut ndaj njerëzimit, është mëshira e Tij e sjellë me dorën e Profetit mëshirë për botët, është dashuri pa kufi, është dritë e pashuar, është fund e krye mirësi.

Sipas Islamit gjithcka është krijuar për të qenë e dashur në emër të Zotit dhe vetë Zoti e krijoi tërë qenien si manifestim të dashurisë së Tij për krijesat e Veta, e vecanërisht për njeriun. Ndaj mund të thuhet se dashuria është shkaku i ekzistencës, ndërsa Islami u bë struktura mbi të cilën u thurr kjo dashuri.

Islami është fe e paqes, sigurisë dhe mirëqenies. Islami është feja e unitetit. Ai solli fuqishëm normat e barazisë së të drejtave themelore dhe ndaloi parimisht dhe konkretisht çdo diskriminim mbi njeriun. Për herë të parë në historinë e njerëzimit Islami erdhi si një fe për mbarë botën dhe profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, qe i pari që u nderua me një detyrë të tillë për mbarë njerëzimin nga Zoti i Madhëruar.

Thelbi i Islamit është besim dhe bindje, përfundimi ihsan dhe sinqeritet. Besimi në një Zot, të lidhurit me zemër me Të, përmbushja e përgjegjësive me kujdesin se po sheh Atë e po vëzhgohesh prej Tij, është në vija të përgjithshme të shprehurit e të vërtetës së Islamit.
Rrënjët e Islamit janë të pafundme në kohë dhe në hapësirë, bashkëbisedues ka zemrën e njeriut, e konsideruar e barabartë me gjerësinë e tokës dhe thellësinë e qiejve, qëllim ka lumturinë e kësaj bote të shkurtër dhe të së përtejmes së pafundme.

Në botën islame të mendimit, logjika, mendimi, zemra, ndjenja njerëzore dhe vahji (shpallja) me të gjitha pasuritë e tyre janë esencialisht të rëndësishme dhe janë si faqet e ndryshme të një të tëre. Islami është një sistem që s’ka shok, e s’mund të ketë. Qoftë në trajtimin e individit, qoftë në analizën e marrëdhënieve të njeriut me makrobotën, ai është më i përshtatshmi me karakterin individual dhe të përgjithshëm, është i vetmi ideal. Islami është një kushtetutë, pa të cilën njeriu nuk mund ta drejtojë vetveten, shoqëria nuk mund të shkojë drejt së nesërmes.

Islami solli një model të ri individi, një njeri që zemrën e ka të mbushur me besim, mendjen me dije, ndjenjat me emocion pozitiv, shpirtin me dashuri, si qëllim ka kënaqësinë e Allahut, për hir të kësaj dashurie ushqen dashuri për gjithë qenien, mendon i lirë dhe respekton mendimin e lirë si dhe synon, me kureshtje të thellë, të eksplorojë misteret e jetës dhe të krijimit që Allahu ka vendosur në këtë botë. Në fund të fundit urdhri i parë hyjnor drejtuar njeriut është pikërisht të lexojë gjithësinë, emrat, cilësitë dhe veprimtarinë plot hijeshi të Krijuesit të Gjithëditur, dhe në këtë mënyrë, ai, besimtari, demonstron vlerat e tij si krijesë njerëzore…

Çdo veprim i një besimtari të vërtetë përbën një adhurim, çdo mendim përbën një akt vetëdisiplinimi, apo vetëkontrolli, çdo fjalë është një lutje dhe bisedë shpirtërore, çdo vëzhgim i ekzistencës përbën një studim dhe investigim të hollësishëm dhe çdo marëdhënie e tij me të tjerët është dhembshuri e frymëzuar prej të Gjithmëshirëshmit, Mëshirëplotit.

Njeriu produkt i kësaj feje të bekuar nuk e sakrifikon zemrën për fantazitë e mendjes, por as mendjen nuk e shpërfill krejt, në ekuilibër të plotë ai bashkon zemrën me intelektin. Myslimani i vërtetë mbështetet në arsyen dhe përvojën, gjithsesi një rëndësi të veçantë ai i jep ndërgjegjes dhe frymëzimit…

Këto kohë, koncepti i pergjithshëm mbi Islamin i jomyslimanëve, por fatkeqësisht edhe i shumë myslimanëve është shumë i cunguar. E shikojnë atë thjesht si një kompleks rregullash strikte, që të lejon të kryesh disa gjëra e të privon për ca të tjera. Ndërkohë që Islami është një mënyrë jetese, është më e bukura mënyrë e shpenzimit të mijëra minutave që na janë dhënë, më e ëmbla, më e përkryera, papërshkrueshmërisht idealja.

Islami, kjo paqe shpirtërore dhe materiale me vetveten dhe të tjerët, është drita e syve të botës sonë, është vetë bota jonë.

Është mëse e mundur që sikurse dija edhe arti, bashkë me shkencën edhe sporti, përkrah punës edhe festa, në krahët e mistikes edhe modernia, politika, letërsia, poezia, shtypi, kinematografia; të kenë vendin e tyre në Islam, të trajtohen sipas tij, të jetohen dhe të ndjehen thellë në shpirt. Islami i vlerëson të gjitha këto, i nxit dhe i përkrah dhe i zbukuron me ngjyrën e vet hyjnore. Fëmija dhe i moshuari, gruaja dhe burri, shkencëtari dhe artisti… kanë hapësirën për të gjetur lumturinë e për të ndjerë në fakultetet e ndryshme të jetës së tyre mirësitë e kësaj bote të magjishme, të botëkuptimit islam. Sistemi laik apo sidoqoftë i shtetit, nuk është pengesë për të qenë pjesëtar i një bote të tillë, sepse thelbësore për individin është nijeti i tij, ndërsa shoqëria mund ta jetojë brenda mundësive të kohës një jetë të tillë, së paku në botën e brendshme shpirtërore.

Islami fokusohet së pari në aspektet e pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës. Për sa i përket sistemit qeverisës Islami përcakton normat dhe principet thelbësore të tij dhe i lë njerëzit të lirë të zgjedhin modelin që duan në varësi të kohës dhe rrethanave. Besimi në Zot, profetët, jeta e përtejme, librat e shenjtë, engjëjt dhe përcaktimi hyjnor janë të lidhura përherë me njeriun dhe shoqërinë, prandaj ato janë të rëndësishme dhe të nevojshme për njeriun në çdo kohë dhe rrethanë.

Çdo sistem e madje çdo gjë në këtë botë lind, rritet, plotëson ciklin e vet dhe porsi një gjethe thahet e shkëputet prej pemës së jetës; ndërsa feja Islame shndrit përherë me të njëjtën freski e bukuri, për të gjithë ata që e vrojtojnë, buzëqesh në çdo kohë me ëmbëlsi, është përherë e fortë, e gjallë e në rini, ka një superioritet që tejkalon gjithë përkohshmërinë tonë.

Është më se normale që të jetë Islami shpresa e rindezur e shpirtit të sotëm njerëzor, sepse referenca e parë e Islamit është vahji (shpallja hyjnore) dhe interpretuesi kryesor i shpalljes së pastër është Tradita e Profetit (Suneti). Prandaj, ashtu sikurse Kurani që s’ka të ngjashëm e as të barabartë, edhe Islami që është pasqyrimi i tij në jetë, s’ka të krahasuar.

Ndërsa dikush e përdor të vërtetën, drejtësinë, barazinë, sigurinë, për të arritur qëllime e doktrina të caktuara, Islami, me këto vlera universale, duke i trajtuar në një pikë ku bashkohet lumturia njerëzore dhe kënaqësia e Allahut, plotëson njëkohësisht edhe kërkesat e Krijuesit edhe nevojat e krijesave mbi dhe. Islami parashtron nevojën e arritjes së një objektivi të ligjshëm përmes metodave dhe rrugëve të ligjshme. Prandaj Islami nuk e pranon në asnjë mënyrë dhunën, torturën, anarkinë apo terrorin si metoda islame. Për më tepër, ai bën thirrje që njerëzit t’u drejtohen me fjalë të buta edhe tiranëve si faraoni kur bëhet fjalë për komunikimin e Islamit. Kurani tregon për urdhrin që u është dhënë Musait dhe Harunit si vijon:

Shkoni të dy tek faraoni se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet dhe frikësohet. (Taha, 43-4)

Islami arriti të çrrënjosë një mori zakonesh të injorancës që dhunonin natyrën njerëzore dhe i ndryshoi ato me parime dhe virtyte në shërbim të vlerave dhe lumturisë njerëzore.

Në përputhje me Islamin, parimi “peshku i madh e ha të voglin” u zëvendësua me “duaje fqinjin tënd”; jeta nuk është një luftë, por një proces bashkëpunimi; parimi “të tjerët duhet të punojnë ndërsa unë të rri” me fjalën “ndihmë”, “shtypja” u zëvendësua me “drejtësinë”, “mungesa e humanizmit” i la vendin “mëshirës”; u çrrënjos parimi i padrejtësisë sipas të cilit “e drejta është me të fortin” dhe u vendos parimi “fuqia është me të drejtin”, “i drejti është më i fuqishmi”…

Drejtësinë dhe paqen botërore Islami i shikon si themelore: “… mos lejoni që urrejtja e të tjerëve ndaj jush t’ju shpjerë në gabime dhe t’ju shmangë nga drejtësia (Maide:8) – i porosit ai ndjekësit e vet.

Islami e shikon barazinë si kërkesë të Allahut dhe si respekt të domosdoshëm ndaj njeriut. Ai kundërshton kategorikisht çdo dallim race, ngjyre, krahine apo ndasie tjetër klasore. Ai duartroket, nxjerr në pah përherë diferencat e bëra në bazë të meritokracisë dhe aftësive, dhe është shumë i kujdesshëm që t’u ofrojë të gjithëve të njëjtat kushte, të njëjtat mundësi, të njëjtën ngrohtësi.

Islami ka deklaruar gjithmonë se njerëzit gëzojnë respekt pa iu nënshtruar diskriminimit social-politik, materialo-shpirtëror, kulturoro-racial dhe të çfarëdo lloji tjetër dhe i ka nderuar ata me një status të tillë mbi të gjitha krijesat. Kurani deklaron:

Dhe sigurisht ne i kemi nderuar bijtë e Ademit.” (Isra, 76)

Prandaj, sipas Islamit edhe nëse dikush është jobesimtar, pasuritë e tij apo të saj, jeta dhe nderi nuk mund të cenohen. Shëndeti fizik dhe mendor, si dhe e drejta për të formuar familje janë të drejtat e pamohueshme të çdo individi. Në të njëjtën mënyrë, asnjë e drejtë tjetër nuk mund të shkelet. Edhe në gjendje lufte, gratë, fëmijët dhe të moshuarit të cilët nuk janë në gjendje të luftojnë, nuk preken. Madje po të analizojmë luftërat që bëri Profeti në kohën e tij do të konstatojmë lehtësisht dhe shumë dukshëm se këto beteja ishin krejtësisht të një natyre mbrojtëse. Pothuajse të gjitha fushatat luftarake në të cilat mori pjesë Profeti kishin për qëllim të prapësonin sulmet që ushtritë e mëdha bënin ndaj myslimanëve, apo për të parandaluar sulmet e përgatitura nga armiku, pasi ishin informuar për planet e tyre. Beteja e Hajberit, beteja e Beni Mustalikut, fushata e Tebukut dhe shumë beteja të tjera të rëndësishme, duke përfshirë edhe atë të Bedrit, Uhudit dhe Hendekut, ishin që të gjitha beteja ku myslimanët ishin në kondita mbrojtëse.

Në përputhje me Kuranin e Shenjtë dhe me drejtësinë që rrjedh nga ai, feja Islame bën të ditur se vrasësi i një njeriu të vetëm është një vrasës i urryer sikur të jetë vrasësi i gjithë njerëzimit. Sipas Islamit, të drejtat e njeriut nuk mund të shkelen edhe sikur kjo të jetë në të mirë të komunitetit. Të drejtat e një njeriu janë të shenjta sikurse edhe të drejtat e njerëzve të tjerë.

Nëse dikush vret një të pafajshëm, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzimin. Nga ana tjetër, nëse ndokush shpëton një jetë, do të ishte sikur të kishte shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit…” (Maide, 32)

E drejta për të jetuar, liria e praktikimit të fesë, gjuhës, ligjit, kulturës, veshjeve dhe tolerancës, e treguar ndaj jomyslimanëve, buron natyrshëm nga Islami. Në një hadith i cili i porosit drejtuesit myslimanë t’i trajtojnë mirë jomyslimanët, thuhet:

“Unë jam armik i atyre që i bëjnë padrejtësi jomyslimanëve; dhe me ata ndaj të cilëve unë jam armik, do t’i laj hesapet në Ditën e Gjykimit.”

Asnjë mysliman i cili beson në Jetën e Përtejme, nuk do të rrezikonte me vullnetin e tij të lirë që të armiqësohej me Profetin në Botën Tjetër. Në një hadith tjetër thuhet:

“Kush shpif për një jomysliman për imoralitet, do të hidhet në zjarr në Ditën e Gjykimit.”

Prandaj duhet të bëhet e qartë se jomyslimanët ishin të lirë të zbatonin ligjet e tyre të fushës së drejtësisë. Kjo buron nga fakti se atyre u ishte garantuar e drejta e lirisë së besimit. Por nëse një jomysliman i drejtohej një gjykate islame, ai do të gjykohej me ndershmëri. Kurani thotë:

Dhe nëse gjykon mes tyre, gjyko drejt. Allahu i do të drejtit. (Maide 5/42)

Islami tërheq brenda tij çdo individ dhe çdo grup shoqëror me të njëjtën ngrohtësi. Ai i hap dyert dhe i zgjat dorën çdokujt. “Hape sa të mundesh zemrën, me besim tendosu dhe për njeriun dashuri ushqe. Të mos ngelet asnjë zemër e brengosur që s’ke ndjerë dashuri për të dhe s’i ke zgjatur dorën!”- është motoja e shpirtrave besnikë, përfaqësuesve të dashuruar me Islamin.
Islami të drejton kah Krijuesi, të tregon Kiblën e vërtetë, të shpëton nga robëria e dëshirave, nga të qenit rob i forcës, rob i famës, i frikës, tamasë, zilisë, rob i pasurisë…
Ai të ofron lirinë e vërtetë duke të mundësuar të jesh rob i denjë vetëm përpara Zotit.
Bashkëbiseduesit e parë të Islamit e kuptuan shumë mirë atë si dhe burimin kryesor të tij, Kuranin, sa që fryma, emocioni dhe ngjyrat e asaj jete të bekuar vazhdojnë të rrezatojnë dritë edhe sot, megjithëse kanë kaluar shekuj të tërë.

Gjallëria e të bekuarve të parë rridhte nga atmosfera në të cilën jetonin. Ata e dëgjonin Kuranin me pasion të zjarrtë e me përkushtim të plotë, i besonin atij me gjithë sinqeritetin e tyre. Nën dritën e këtij libri madhështor, ata i drejtoheshin Allahut, e donin Atë me gjithë shpirt. Ata nuk mjaftoheshin vetëm me këtë dashuri, por me një pasion të thellë bënin çmos që Ai të njihej e të dashurohej prej të gjithëve. Tregonin një kujdes të veçantë që mendimet dhe ndjenjat islame të mos i ngatërronin e të mos i njollosnin me ngjyrat e dëshirave personale dhe e paraqisnin atë me ngjyrat, koordinatat e bukuritë origjinale të tij. Pas çdo njohurie ata kalonin në veprim. Përfaqësimin e konsideronin më të rëndësishëm se të diturit, ndërsa këtë të fundit e derdhnin medoemos në praktikë.

Nëse myslimanët sillen me zgjuarsi, ushqejnë një shpirt përpjekjeje në misionin e shërbimit ndaj njerëzve, ndaj njerëzores, nuk e braktisin veten në hutim për çfarëdo që të ndodhë, e organizojnë jetën e tyre përtej dëshirave trupore e kënaqësive materiale drejt horizonteve të zemrës dhe shpirtit, gjenden në gatishmëri për t’i vendosur embargo çdo të keqeje dhe nuk lejojnë shfaqjen e mendimeve negative e pesimiste në botën e tyre të brendshme plot dritë; atëherë bëhet e mundur që edhe sot të rigjallërohet me gjithë hijeshinë e saj magjepsëse epoka e lumturisë.

Duke sakrifikuar dashuritë personale në misionin e shërbimit ndaj njerëzve dhe për hir të kënaqësisë së Mëshiruesit, Mëshirëplotit, njerëzit fatlumë, bartës së këtyre ndjenjave, do t’i drejtojnë edhe një herë shpirtrat, zemrat, mendimet, shikimet dhe rrjedhimisht gjithë dashurinë dhe vlerësimet drejt një bote të mbushur me dashuri, mëshirë, ngrohtësi e buzëqeshje ndaj çdokujt e ndaj çdo gjëje.

E ndërsa ditët lindin dhe perëndojnë, vitet dhe shekujt kalojnë, Drita e Islamit, dhuruar njerëzimit nga i Gjithmëshirëshmi me dorën e Profetit Muhamed (a.s.), do të mbetet e përjetshme!

/Revista Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login