Drejtues të lartë të KMSH-së vizitë pune në Myftininë Shkodër

Një delegacion i nivelit të lartë të KMSH-së ka zhvilluar një vizitë pune në Myftininë Shkodër. Në këtë vizitë merrnin pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, kancelar i KMSH-së z. Ali Zaimi, si dhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së z. Ylli Gurra, të cilët janë pritur nga Myftiu i Zonës Shkodër Imam Muhamed Sytari dhe stafi i myftinisë.

Gjatë takimit të zhvilluar në Myftininë Shkodër të mërkurën e 30 nëntorit, drejtuesit e lartë të KMSH-së, janë njohur me një prezantim të vështirësive kryesore me të cilat përballet institucioni i myslimanëve të Shkodrës, sidomos në një ndër çështjet më problematike të dekadave të fundit, atë të kthimit, kompensimit dhe certifikimit të pronave vakëf.

Bisedat në këtë takim janë përqendruar edhe te funksionimi i jetës fetare, sidomos në xhamitë qendrore të qytetit, te zhvillimi i aktiviteteve fetare e kulturore, afrimi i të rinjve, zhvillimi i kurseve fetare në xhamitë e qytetit, aktivitetet për motrat myslimane etj.

Pas diskutimeve të shumta, drejtuesit e lartë të KMSH-së të shoqëruar nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari dhe stafi i administratës, kanë inspektuar në terren disa nga pronat e Myftinisë Shkodër, ku është parë nga afër zhvillimi i vakëfit, si dhe disa nga problematikat e tij, kryesisht në Zdralej. Aty, është inspektuar Qendra Tregtare e Myftinisë, ku shumë shpejt do të zhvillohet edhe ceremonia e inaugurimit për fillimin e funksionimit normal të saj.

Më pas është inspektuar edhe puna që po bëhet në xhaminë “Ebu Bekër” për meremetimin, lyerjen dhe zbukurimin e ambienteve të brendshme të xhamisë qëndrore të Shkodrës.

K. Kraja

You must be logged in to post a comment Login