Drejtoje veten

Ambicia për të marrë në dorë drejtimin dhe komandimin e të tjerëve është një gjë krejt natyrore. Rendi natyror e kërkon hierarkinë vertikale. Nuk mund të ketë hierarki horizontale. Duke qenë se gjithkush pëlqen të drejtojë gjithkënd, beteja e drejtimit mbetet e hapur në çdo çast. Ka shumë syresh që ëndërrojnë të kenë në dorë skeptrin. E duan, e dashurojnë këtë gjë. Natë e ditë për këtë luftojnë. Edhe në ëndrrat më të këqija nuk e shohin dot veten ndryshe, vetëm se duke fshikulluar skeptrin rëndshëm mbi kokat e atyre që duan të drejtojnë. Nëse e arrijnë këtë gjendje, nuk është më natyrore ambicia për të drejtuar. Është kthyer tashmë në një sëmundje. Kjo është një nga sëmundjet më të rrezikshme. Ata që përfshihen nga ethet e saj janë në gjendje më të keqe sesa të sëmurët nga ethet e gushtit. Shpirti u digjet. Trupi nuk u gjen rehati. Sjellja iu ndryshon. Edukata iu del duarsh. Përpara vetes nuk shohin më miq. Shohin vetëm pengesa që duhen larguar nga rruga. Shohin vetëm barrikada që duhen shembur. Shohin krijesa që duhen shtypur për të shtruar rrugën e tyre drejt majës së piramidës.

Nëse kaplohen nga kjo gjendje shndërrohen në krijesa të tjetërsuara, aq sa edhe miqtë e vjetër nuk i njohin më. Këta të bëjnë të dyshosh dhe në aftësitë njohëse të kujtesës. Gjendjet e tyre të ankthit nuk kanë të përshkruar. Turfullojnë si të hazdisur kur dikush, dikund iu bëhet pengesë. Xhindosen kur dikush, dikund u dërrmon fronin e tyre të ngritur me ujë të rrahur në hava. Jo se ky dikush i sulmon këta si kundërshtarë. Thjesht ky dikush u tregon si mbahet një qëndrim dinjitoz përballë kësilloj ambiciesh që të verbojnë sytë, të shurdhojnë veshët, të mpijnë arsyen dhe të asgjësojnë qendrën e të menduarit. Dhe mos mendoni se qendra e të menduarit është truri. Diçka tjetër, më e madhe se sa truri është. Diçka tjetër, më e rëndësishme se sa truri është. Pikërisht sepse u tregon kush nuk duhet të jenë të verbuarit nga ambicia për drejtim hedhin baltë mbi dikushin. Urrejtja e tyre duket në fytyrat e tyre. Një Zot e di se ç’mund të mbajnë në zemër.

E pse gjithë ky vrer? Pse gjithë kjo urrejtje? Pse gjithë ky shqetësim i panevojshëm i veteve dhe i të tjerëve? Sepse u është mbushur mendja se janë më të mirët. Sepse u është mbushur mendja se janë më të zotët. Sepse u është mbushur mendja se janë më të diturit. Sepse u është mbushur mendja se vetëm ata dinë të drejtojnë siç duhet. Sepse u është mbushur mendja se vetëm ata janë meritorët për të qëndruar në majë të piramidës. Sepse u është mbushur mendja se vetëm ata posedojnë aftësi të veçanta për të drejtuar. Sepse u është mbushur mendja se janë superiorë. Sepse u është mbushur mendja se inferiorët duhet të binden ndaj superioritetit të tyre. E nëse nuk binden, dinë ata se si t’i bindin. Po cila është mënyra e tyre e bindjes? Po cilët janë këta?

Mënyra e tyre e bindjes nuk ndryshon shumë nga çfarë janë ata. Madje janë të të njëjtit kallëp. Sepse njerëzit e këtij kallëpi nuk mund ta tejkalojnë dot vetveten. Nëse do të mundnin, nuk do të ishin pacientë të pandreqshëm të ambicies së verbër. Duke qenë ende në stadet jo të duhura të sendërtimit të personalitetit të njëmendtë, këta marrakotës të sfilitur nga dëshira për personalitet, përfundojnë në gjendje të tilla që janë vërtet për t’u mëshiruar. Që të tregohen burrërorë trashin zërin. Që të tregohen trima shfaqin muskujt. Që të tregohen të mençur trallisen në thellësinë e cekëtinës së tyre. Që të tregohen me personalitet dhe të fitojnë zulmë kashaisen me ca lloj shkartisjesh që në fund i bën të duken më keq se klounët e cirkut.

Dhe pse e gjithë kjo? Sepse nuk dinë të njohin limitet e tyre. Nuk dinë ku nisin dhe përfundojnë kufijtë e personalitetit të tyre. Nuk dinë se ku nisin dhe përfundojnë aftësitë e tyre natyrore, jo ato të pretenduara në ëndrrat me sy hapur. Nuk dinë kush janë dhe çfarë në të vërtetë janë meritorë për të kryer realisht. Nuk dinë të respektojnë hierarkinë natyrore të vlerave më të larta. Janë të ushqyer me babëzinë e hierarkisë horizontale dhe të gjithë i shohin me optikën e tyre egalitare. Nuk dinë ç’do të thotë të jetosh në mënyrë të përgjegjshme. Nuk dinë se ç’do të thotë të ekzistosh. Dhe këta që përfundojnë në të tilla gjendje janë shërbëtorët më pak të vlefshëm të shegertëve më pak të vlefshëm.

Nëse nuk arrin të drejtosh veten, si arrin të besosh se mund të drejtosh të tjerët? Nëse nuk arrin dot drejtpeshimin e gjendjeve të tua, si arrin të besosh se do të çosh të tjerët drejt burimeve të kthjellëta? Nëse nuk arrin të mposhtësh qerthullin ku të ka zhytur ambicia e verbër, si arrin të besosh se me skeptër në dorë do të mbash drejtësi?

Po pse e merr këtë guxim? Ku e gjen këtë kurajë për t’u shfaqur superior kur nuk je aspak i tillë? Po dhe në qofsh, nuk është meritë e jotja dhe në vend që të nënçmosh të tjerët, duhet të tregohesh shpirtgjerë. Guximi për të besuar në një superioritet të supozuar vjen nga teptisja pasi ke prekur fundin e guaskës tënde gëlqerore dhe ke besuar se nuk ke rrugë tjetër për të qëndruar në majë të piramidës, përveç topotisjes nën vete.

Nuredin Nazarko

/Revista ‘Drita Islame’ – korrik 2017/

You must be logged in to post a comment Login