Dobitë shëndetësore të agjërimit

doktor

 

Agjërimi përveç adhurimit dhe ndikimit shpirtëror, moral dhe social, ka edhe shumë efekte pozitive për shëndetin e njeriut.

Dihet tashmë se shumë prej kafshëve dhe insekteve agjërojnë, ka prej tyre që agjërojnë disa ditë, kurse të tjera agjërojnë edhe disa muaj. Për sa i përket agjërimit të njerëzve, shohim se jo vetëm ata popuj që u kanë ardhur profetë agjërojnë, si myslimanët Ramazanin, kristianët Pashkët, hebrenjtë të Shtunën, por edhe tek hindusët gjejmë njerëz që agjërojnë ndaj ushqimit dhe lëvizjes për javë të tëra, madje edhe tek disa fise primitive, gjejmë njerëz që agjërojnë për periudha të ndryshme kohore.

Dr. Abdul-Xhewad Es-Sawi në librin e tij “Agjërimi, mrekulli shkencore” përmend një numër të madh argumentesh shkencore për dobitë shëndetësore të agjërimit, ndër të cilat veçohen:

– Agjërimi forcon sistemin imunitar. Ai e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh, duke e përmirësuar dhjetëfish treguesin fiziologjik të qelizave limfatike (lymphatic cells) dhe duke e shtuar sasinë e qelizave përgjegjëse për imunitetin specifik (qelizat limfatike T).

– Agjërimi mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, arterioskleroza e përgjithshme, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave etj.

– Agjërimi e mbron trupin nga formimi i gurëve në veshka. Duke e shtuar mesataren e natriumit në gjak, ai ndalon formimin e kristaleve të kripërave të kalciumit.

– Agjërimi e mbron trupin nga rreziqet e helmeve të grumbulluar në qelizat dhe indet e tij si rrjedhojë e ngrënies së ushqimeve dhe e përdorimit të barnave që përmbajnë helme, ose e thithjes së ajrit të ndotur me helme dhe gazra të dëmshëm.

– Agjërimi mbron nga sëmundjet mendore dhe psikike. Është vërtetuar ndikimi i tij në sëmundjen e skizofrenisë. Dr. Bedawi Nikolajev i Institutit Psikik të Moskës thotë se sëmundjet mendore mund të kontrollohen dhe të përmirësohen me anë të agjërimit dhe dietave. Kjo metodë është aplikuar në 1000 të sëmurë psikikë dhe pasi agjëruan rezultoi se 65 % e tyre ishin përmirësuar.

– Agjërimi aktivizon gjëndrat “e shurdhëta” (endocrine glands) që gjenden në trup, si gjëndrat e pankreasit, etj.

– Agjërimi aktivizon palcën kockore, detyra e së cilës është formimi i rruazave të kuqe në trup.

Gjithashtu aktivizon lëvizjen e zorrëve, duke i forcuar ato dhe duke shtuar në aftësinë e tyre të nxjerrjes së lëngjeve tretëse, gjë e cila e rendit agjërimin si ilaçin më të mirë kundër shqetësimeve të zorrëve, madje edhe sëmundjeve kronike të tyre të shoqëruara me probleme në tretjen e lëndëve ushqimore.

Të gjitha këto dobi shëndetësore të agjërimit, profeti Muhamed (a.s.) i ka përmbledhur në sentencën: “Agjëroni, të jeni të shëndetshëm!”, duke i siguruar shëndetin bashkësisë të tij.

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login