Dispozita e kurbanit

Kurbani është një akt dhe një prej treguesve të afrimit te Allahu i Plotfuqishëm. Synim i therjes së kurbanit është humanizmi dhe bujaria ndaj atyre që nuk mund t’u sigurojnë fëmijëve në sofrat e tyre qoftë edhe një copë mish gjatë kësaj feste. Te Fitër Bajrami kemi dhënien e sadakatul fitrit për të varfrit, në mënyrë që fëmijët e tyre të mos dalin në rrugë dhe të kërkojnë lëmoshë gjatë ditës së Bajramit. Edhe gjatë Kurban Bajramit muslimani i kamur pret kurban me qëllim që përmes shpërndarjes së mishit të kurbanit t’i forcojë lidhjet me të afërmit dhe miqtë e tij, por gjithashtu t’i gëzojë familjet e varfra dhe fëmijët e tyre. Madje sa do të ishte ditë feste Kurban Bajrami për ata muslimanë të varfër nëse ata nuk do të kishin asgjë për të shtruar në tryezën e tyre?

Por, duhet pasur parasysh se Islami nuk është fe vetëm e formave dhe e trajtave të jashtme. Çdo dispozitë islame ka kuptime sublime dhe synon kultivimin e ndjenjës së mirësisë dhe fisnikërimin e shpirtit. Mu për këtë Allahu i Lartësuar tregon se: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!” (El-Haxhxh: 37).

Prandaj, për kryerjen e të gjitha adhurimeve/ibadeteve dhe hajrateve kërkohet që të kemi qëllim të sinqertë, ngase që të arrimë kënaqësinë dhe shpërblimet e Allahut, vepra duhet të bëhet vetëm në emër të Tij. Rrjedhimisht kërkohet që edhe me rastin e prerjes së kurbanit nijeti të jetë i pastër dhe fisnik. Nijeti bëhet me zemër dhe nuk është kusht të bëhet edhe me fjalë. Gjatë therjes bëhet nijeti për kurban, dhe përmes tij bëhet dallimi mes therjes së një kafshe thjesht për mish dhe prerjes së saj për kurban.

Përkufizimi i kurbanit

Në ditët e Kurban Bajramit, përveç gëzimeve të shumta, vizitave, pastrimit dhe lyerjeve të shtëpive, veshjes me rroba të reja e të bukura, tradita këto të lavdërueshme, muslimanët kanë disa obligime, sikurse janë: falja e namazit të Bajramit, leximi i tekbireve, të vizituarit e vendeve të shenjta- kryerjen e haxhit nëse kanë mundësi, si dhe prerja e kurbanit pas namazit të Bajramit.

Kafsha që pritet gjatë ditëve të Kurban Bajramit nga ana e muslimanëve në gjuhën arabe emërohet me fjalën “kurban” apo “ud’hijje”. Kurban fjalë për fjalë do të thotë t’i afrohesh dikujt apo diçkaje. Prandaj ai që ther kurban në emër të Allahut, me këtë vepër ai synon t’i afrohet Zotit të botëve.

Kurse, në terminologjinë islame kurban do të thotë “therja e një deveje, lope, deleje, dhie në ditët e Bajramit, në kohën e përcaktuar, duke dëshiruar me këtë akt t’i afrohesh Allahut të Lartësuar.” Për kurban përdoret edhe fjala “ud’hijje”, që do të thotë sakrificë.

Kurbani prihet si mirënjohje për mirësitë e panumërta ndaj Krijuesit tonë. Për shkak të prerjes së kurbanit nga ana e muslimanëve ky bajram quhet Kurban Bajrami.

Historia e kurbanit

Historia e kurbanit është e vjetër sa edhe vetë njeriu. Kurbani daton, sikurse na tregon Kur’ani fisnik, që nga Ademi a.s., njeriu i parë në tokë: “Lexoju (o Muhammed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: ‘Ty gjithsesi do të vras’. Tjetri tha: ‘Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve’.”(El-Maide, 27).

Ky ajet kur’anor na bën me dije se nga sinqeriteti i nijetit varet pranimi i veprës, për rrjedhojë kurbani i një personi mund të pranohet, kurse i një tjetri të mos pranohet. .

Një shembull tjetër ku përmendet kurbani është rasti i Ibrahimit a.s. me birin e tij, Ismailin a.s.: “… Ibrahimi i tha: ‘O djali im, kam parë në ëndërr se duhet të të flijoj… ” (Es-Saffat: 102)

Gjatë gjithë historisë çdo popull e ka pasur detyrim therjen e kurbanit në emër të Zotit: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një dispozitë, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka urdhëruar për ushqim…” (El-Haxh, 34)

Historia e therjes së kurbanit ka vazhduar edhe me Muhamedin a.s. dhe ummetin e tij: “Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El Kevther: 2).

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Gjëja e parë që ne bëjmë në ditën e Bajramit është të falurit e namazit të Bajramit, më pas kthehemi në shtëpi dhe therim kurbanin. Kushdo që vepron kështu ka vepruar sipas sunetit tonë”. (transmeton El Bera ibn Azib).

Muslimanët duhet të ndjekim sunetin dhe rrugën e Muhamedit a.s. Tirmidhiu shënon se Ibn Umeri, për dhjetë vjet sa i ka kaluar në Medinë, ka prerë kurban.

Prerja e një kurbani nga disa persona

Në prerjen e një lope apo deveje mund të marrin pjesë deri në shtatë persona, me kusht që të gjithë ata ta kenë nijetin e njëjtë, pra prerjen e kurbanit. Xhabiri r.a. thotë: “Me Pejgamberin a.s. në Hudejbi kemi therur një deve për shtatë persona dhe një lopë për shtatë persona”. (Muslimi). Nëse ndonjëri prej tyre ka për qëllim vetëm të marrë pjesën e vet të mishit e jo edhe të therë kurban, atëherë kurbani nuk pranohet për asnjërin. Kurse delja dhe dhia mund të jetë vetëm për një person.

Koha e therjes së kurbanit

Prerja e kurbanit duhet të bëhet patjetër pas faljes së namazit të Kurban Bajramit. El Bera ibn Azib tregon se Pejgamberi ka thënë:. “Së pari me çka do të fillojmë sot është namazi i Bajramit, pastaj do të kthehemi dhe të presim kurban. Kushdo që vepron kështu, ka vepruar sipas sunetit tonë, ndërkaq kush e ther një dele para kësaj kohe (para faljes sa namazit të Bajramit), ajo është mish i zakonshëm që ia ka prerë familjes së tij. Në këtë punë nuk ka asgjë nga suneti “

Buhariu dhe Muslimi shënojnë se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kushdo që ther një kurban para namazit (të Bajramit) e ka prerë për veten dhe familjen e tij. Ndërkaq, kush e ther pas namazit dhe dy hutbeve, ai e plotëson dispozitën e therjes dhe e ka ndjekur sunetin e muslimanëve.”

Kurbani bën të pritet në ditën e parë të Bajramit dhe në dy ditët tjera që pasojnë. Me perëndimin e diellit të ditës së 12 të Dhul Hixhxhes, të ditës së tretë të Kurban Bajramit, përfundon koha e prerjes së tij. Kurse sipas Imam Shafiut ajo vazhdon deri para përfundimit të diellit në ditën e katërt të Bajramit.

Kurban Bajrami është i stolisur gjithashtu edhe me tekbiret e teshrikut që këndohen pas 23 namazeve farz që nga namazi i sabahut në Ditën e Arafatit (9 Dhul-hixhxheh) e gjer në namazin e iqindisë të ditës së katërt të Bajramit. Pejgamberi ka thënë: “Zbukuroni bajramet tuaja me tekbir (Allahu Ekber), tehlil (La ilahe il Allah), tahmid (elhamdu lilah) dhe takdis (me lavdërim All-llahut).”

Shpërndarja

Në përputhje me Sheriatin mishi i kurbanit ndahet në tri pjesë: një e treta i jepet të varfërve, një e treta të afërmve, fqinjëve dhe miqve dhe një e treta tjetër familjes. Zoti në Kuranin fisnik thotë: “… hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.” (El-Haxh, 36).

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju ther kurban, një pjesë të mishit të kurbanit le ta mbajë për nevojat e tij.” (Ahmedi)

Therja e kurbanit, shpërndarja e mishit të tij për të varfrit, për nxënësit e medreseve, apo pagimi i vlerës së tij në Bashkësitë Islame, sikurse veprohet në vendet tona, pastaj shpërndarja e një pjese për fqinjët, të afërmit dhe familjen është një traditë e mirë mes muslimanëve, që duhet të kultivohet gjatë Kurban Bajramit.

Qëllimi dhe vlera e prerjes së kurbanit

“Sahabët e kanë pyetur Pejgamberin: – Pse presim kurban? Pejgamberi është përgjigjur: – Ai është traditë – sunet i babait tuaj, Ibrahimit a.s. Pastaj ata e pyetën: – E çfarë kemi prej tij? Pejgamberi iu tha: – Për çdo qime (të kurbanit) ju do të shpërbleheni.” (Hakimi).

Në hadithin tjetër Pejgamberi a. s. thotë: “Vërtet, në mesin e gjërave më të preferuara te Zoti është therja e kurbanit në Kurban Bajram. Vërtet ai do të vijë Ditën e Gjykimit në formën e tij, me brirët e tij, leshin dhe thundrat e tij. Te All-llahu do të arrijë puna e mirë (sevapi i kurbanit) para se të bie gjaku në tokë, prandaj gëzojuni me këto shpërblime.”(Tirmidhiu & Ibn Maxhxhe)

“Në asgjë nuk ke deponuar dhe investuar më shumë se në therjen e kurbanit në ditët e Kurban Bajramit.” (Darekutni në Sunenin e tij)

Therja e Kurbanit është një tregues i madh se njeriu është i gatshëm për të sakrifikuar për fenë e Allahut dhe bindjes së tij ndaj Krijuesit.

Me një akt të tillë muslimani tregon mirënjohjen e tij ndaj Allahut për mirësitë dhe begatitë e shumta që Zoti ia ka dhuruar njeriut. Besimtari shpreh gatishmërinë e tij që të sakrifikojë pasurinë dhe të heqë dorë nga shumë të mira të kësaj bote, duke u treguar human dhe dorëlirë ndaj të tjerëve. Ne, duke respektuar urdhrat e Allahut, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë ndaj Tij.

Me therjen e kurbanit ne sakrifikojmë një nga mirësitë dhe dhuntitë që na ka dhënë Allahu. Ai na ka dhënë kurse ne e sakrifikojmë në emër të Tij, për të mirën e të varfërve dhe të tjerëve

You must be logged in to post a comment Login