Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhe-s

dhul hixhe

Shpërblimi dhe mirësia

Në këto rreshta do të flasim për disa ditë të cilat nuk janë si të tjerat, periudhë ku besimtarët ftohen të marrin sa më shumë shpërblime nga Krijuesi i tyre, i Cili herë pas here me këto favore dëshiron prej tyre, që të thyejnë rutinën e përditshme duke i joshur ata me sevapet madhështore që zakonisht nuk mund t’i fitojnë aq lehtë siç mund t’i fitojnë në këto ditë. E pra bëhet fjalë për dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe. Ato përmenden në Kur’an dhe për këtë arsye kanë një vlerë shumë të madhe.

Në Kur’an thuhet: “Betohem në agimin, betohem në dhjetë netët, betohem në çiftin dhe tekun…” (Fexhr, 1-3). I dërguari i Allahut për këtë ajet të Kur’anit sqaron: “Dhjetë ditët (netët) janë ditët e kurbanit (të muajit Dhul Hixhe), “teku” është dita e Arafatit, ndërsa çifti dita e kurbanit.”

Ndërsa në një hadith profetik qëndron: “Veprat e mira nuk marrin vlerë më të madhe seç mund të kenë në ditët e Dhul Hixhes.” Njerëzit e pyetën: As përpjekja në rrugë të Allahut? Tha: “As përpjekja në rrugë të Allahut, vetëm nëse në këtë përpjekje personi niset me pasurinë dhe jetën e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Buhariu)

Më poshtë do të përmendim disa nga punët e lavdëruara që preferohen të kryhen në këto ditë të begata.

Vepra më e mirë gjatë këtyre ditëve është falja e namazit në kohën e tij. Kur Profeti a.s. ishte pyetur nga shokët e tij për punën më të mirë, pati thënë: “Falja e çdo namazi në kohën e tij”. Të njëjtën vlerë namazit i jep edhe ajeti kuranor: “Besimtarë (të vërtetë) janë ata që tregojnë kujdes në namazin e tyre.”

Me rëndësi pas namazit të detyruar është falja e namazeve vullnetare ose nafile (sunet), kështu që një mysliman duhet t’i kushtojë rëndësi edhe këtij adhurimi, sepse ai e ngre më lart pozitën e tij te Krijuesi. Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsij: “Robi im nuk mund të afrohet tek Unë me diçka siç mund të afrohet me kryerjen e farzeve, dhe robi Im vazhdon të afrohet më shumë tek Unë duke kryer namazet vullnetare, të pëlqyeshme, deri sa Unë ta dua atë…”

Kur një nga shokët e të dërguarit të Allahut a.s. e pyeti se ç’punë duhet të kryejë që të jetë shoqëruesi i tij në Xhenet, ai e porositi: “Bëj sa më shumë sexhde (falje vullnetare) për të ndihmuar lutjen time.”

Një nga veprat e lavdëruara në këto ditë është edhe agjërimi, bazuar në thënien e Allahut të Madhëruar në hadithin kudsij: “Çdo punë që bën biri i Ademit është për të përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë shpërblej për të.”

Korifejtë e dijes e kanë krahasuar agjërimin me durimin që gjithashtu meriton shpërblim të madh. Në Kur’an thuhet: “Durimtarëve u jepet shpërblim pa llogari.”

Shumica e dijetarëve kanë thënë se agjërimi i ditëve të Dhul Hixhes është shumë i vlefshëm. Prej tyre veçohet dita e Arafatit, për të cilën Allahu betohet në Kur’an: “Pasha tekun”. Kjo ditë preferohet të agjërohet nga të gjithë, duke përjashtuar personat që janë në haxh.

Për agjërimin e kësaj dite i dërguari i Allahut a.s. është shprehur: “Shpresoj që Allahu të m’i ketë falur mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.” (Muslimi)

Këtu do të përmendim edhe një tjetër vepër të lavdëruar. Bëhet fjalë për respektimin e prindërve. Kësaj mirësie Allahu i ka dhënë rëndësi të veçantë duke e renditur menjëherë pas njehsimit dhe adhurimit të Tij: “Zoti yt ka urdhëruar të mos adhurosh tjetër veç Tij dhe me prindërit të sillesh mirë”.

Gjatë këtyre ditëve preferohet përmendja e shpeshtë e Allahut. Përmendja e Allahut pëlqehet në çdo kohë, por në këto ditë ajo është akoma më e pëlqyer. Në mënyrë të veçantë do ta vinim theksin në përsëritjen sa më shumë të tekbirit (Allahu Ekber), Tehlilit (La ilahe il`Allah), dhe Tahmidit (Elhamdulilah). Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?!” Kur’ani na nxit që ta përmendim sa më shumë Allahun: “Dhe kujtojeni Allahun në ditët e caktuara”; këto ditë janë ditët e haxhit.

Pendimi gjithashtu është më se i nevojshëm në këto ditë. Jo vetëm që llogaritet për mirë, por është dhe vendimtar, për shkak se ai ka si shpërblim faljen e mëkateve nga Allahu i Madhëruar. Në Kur’an lexojmë: “Thuaj: O robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar veten me mëkate, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Mëshirues dhe Falës i Madh.” (Zumer, 53)

Ndërsa një thënie profetike është formuluar kështu: “Allahu gëzohet me robin që pendohet, më shumë se ai njeri që ka humbur devenë e tij në shkretëtirë. Ai shtrihet i dëshpëruar dhe në këtë gjendje e zë gjumi. Kur zgjohet e gjen devenë e tij mbi krye dhe nga gëzimi i madh thotë: O Zot! Ti je robi im dhe unë jam zoti yt. Gabon nga gëzimi i madh!” (Buhariu)

Profeti a.s. i ka nxitur besimtarët që këto kohë të begata t’ia kushtojnë adhurimit të Allahut, me qëllim që të pastrojnë shpirtrat prej mëkateve e të meritojnë mirësinë e shpërblimit prej Tij. Këto adhurime mund të kryen edhe në ditë të zakonshme, por siç u përmend mëlart, ato shpërblimin më të madh e kanë në këto ditë.

/Revista Drita Islame – Shtator 2014/

You must be logged in to post a comment Login