Damarët e jetës

Ti mund të jetosh derisa nuk dëshiron më të jetosh. Mund të jetosh aq pak, sa kurrë nuk do të kishe dashur të jetoje. Ja kështu vjen dhe shkon jeta që të është dhënë. Jashtë dëshirave dhe forcave të tua. Jashtë asaj çfarë ke ndërmend të arrish. Jashtë çdo parashikimi të prekshëm dhe shumë të dëshiruar. Dhe më e bukura e gjithë kësaj, është se ti mendon që jeta jote është në dorën tënde. Se asgjë nuk mund të ndodhë në jetën tënde po të mos duash ti. Se gjithçka do të ndodhë po të duash ti. Dhe ja kështu i shtyn ditët e jetës tënde, duke qarkulluar vazhdimisht të tilla mendime “në gjakun tënd”.

Gdhihesh çdo ditë të jetës me shpresa të reja. Ditë e re. Entuziazëm i ri. Përfytyrime të reja mbi atë se çfarë do të realizosh në këtë ditë të re në të cilën arrite të hapësh sytë. Por, ndërkohë, harrove të kujtosh se ishe vetë që i hape sytë apo t’u lejua t’i hapje sytë edhe këtë ditë. U kujtove apo jo, e nise ditën e re me objektiva të rinj.

E thithe oksigjenin e mëngjesit me të gjithë fuqinë e hojeve të tua. U ndjeve i plotësuar në atë moment. Po sikur hojet e tua të të mos bindeshin, a thua vallë ç’do të kishe bërë? Edhe pse nuk u kujtove as për këtë, u ule të ushqehesh. Duhen marrë kaloritë e nevojshme për punët që do të kryesh në këtë ditë të jetës. Gjaku duhet të furnizojë gjithë trupin me lëndët e nevojshme. Po sikur epiglota të mos bindej në një sekondë, vallë çfarë do të kishe bërë? Do ta kishe detyruar me forcë të bindej?! Edhe pse nuk u kujtove për këtë vazhdove të ushqeheshe derisa stomaku yt e ndjeu se nuk mund të mbushej më tepër. Pse të mos e detyroje të vazhdonte të hante edhe pak? Gjithsesi iu binde ndjesisë së tij. U ushqeve pa u vramendur aspak për të gjithë procesin që vjen pas gëlltitjes së ushqimit. Po sikur në një moment të mos ndodhte tretja e ushqimit, përthithja e kalorive dhe qarkullimi i tyre përmes gjakut në të gjithë trupin? A thua do ta urdhëroje të të bindej? A do ta kishe këtë fuqi?  

Pasi u plotësove në këto aspekte, u veshe me rrobat më të mira për të nisur ditën e re të punës. Mund të ishe veshur dhe më thjesht, por duhet të dukesh tek të tjerët më mirë nga sa je realisht. Ndoshta nuk e dëshiron këtë, por të detyrojnë të tjerët edhe po të mos duash. Pasi u veshe dhe qëndrove para pasqyrës, u kënaqe me veten. T’u duk vetja i/e bukur. A thua e zgjodhe vetë të ishe i/e tillë? Po sikur të ishe ndryshe nga ç’je? A thua do të kishe pasur fuqi të ndryshoje pamjen tënde pas së cilës ishe duke u mahnitur para pasqyrës? Po sikur të të mbinte ndonjë çiban në lëkurën e butë dhe të freskët dhe të mos kishte mjek të të bënte derman? A thua do ta largoje dot me urdhrin tënd? A do të të bindej ky çiban i poshtër që kërkon të shprishë këtë areal kaq të bukur dhe të këndshëm? A do ta kishe këtë fuqi dhe pushtet për të çshëmtuar veten? Edhe për këtë nuk u kujtove.

Hodhe hapat e parë për të vazhduar ditën e jetës si zakonisht. E kalove pragun e derës gjithë stil, mbështetur mbi këmbët e tua. Dole duke menduar në vetvete sesa sfida të prisnin në punë ditën e sotme. Vazhdove të ecësh mbi këmbët e tua. Nuk u mendove asnjë çast të vetëm se çfarë do të bëje nëse këmbët nuk do të të bindeshin për të ecur. A do ishe i zoti t’i urdhëroje të ecnin nëse nuk do të ecnin? A do ta kishe këtë fuqi? Por, megjithatë, vazhdove të ecësh, duke u ndjerë zot i vetvetes. Ndjesi e bukur ta ndjesh vetveten si zotërues i vetes, apo jo?

Harrove se mund të ndodhë edhe të mos kthehesh më në shtëpinë tënde nga dole me aq shpresa e ëndrra. Harrove se në një shtëpi tjetër edhe mund të kishe përfunduar. E nëse do të kishte ndodhur kështu, ti zotëriu i vetvetes, a do të kishe fuqi ta ndalje këtë ngjarje kaq të madhe?!

Po edhe në mos ndodhtë kështu, mund të ndodhte që diku të rrëzoheshe. Diku të përplaseshe. Diku të pësoje një aksident. Diku të haje ndonjë dush të ftohtë për dështimet e tua, ashtu kot pa motiv, se kështu i tha truri i vogël eprorit dhe gjithë dita jote të ishte një skëterrë. Diku të pickoheshe nga ndonjë bletë, grerëz, apo ndonjë zvarranik. Mund të ndodhin edhe shumë gjëra të tjera të pakëndshme, ndoshta dhe dramatike. A do t’i kishe shmangur të gjitha këto nga jeta jote, nëse do të kishe fuqi ta bëje këtë? E nëse nuk të kanë ndodhur këto apo shumë të tjera, mos kujto se këtë fuqi e ke ti personalisht, fuqinë për të ndalur ose jo ndodhitë jetësore.

Jeta ka njëmijë e një damarë nëpër të cilët qarkullon vazhdimisht gjaku i saj derisa ti të mos ekzistosh, por të vazhdosh të jesh. Mos u vetëkënaq nëse nuk të kanë prekur ato që i konsideron fatkeqësi. Nëse sot damarët e jetës të kanë nxjerrë në një liman me oksigjen, nesër nuk dihet se në cilin damar të saj mund të qarkullosh. Prandaj mos harro e kujtohu çdo ditë të jetës tënde se nuk je padron i vetes, por tregohu mirënjohës e falënderues për ato që të janë dhënë para se të të merren e ta çmosh vlerën e tyre. Atëherë ndoshta nuk do t’i gjesh më, për shkak të mosmirënjohjes dhe mosfalënderimit.

Nuredin Nazarko

/Revista ‘Drita Islame’ – Gusht 2017/

You must be logged in to post a comment Login