Dallgëzimi i shpirtrave të etur

“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos xhenetit.”

Profeti Muhamed a.s.

Në kuptimin më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë përtej atij metafizik, haxhi është vizita që kryhet në Qabe dhe në vendet e tjera të bekuara përreth saj, me qëllim përmbushjen e një obligimi fetar, në një interval të caktuar kohor, ndërsa në kuptimin metafizik, ai është shumë më i gjerë, përmes të cilit njeriu arrin kulmin e përkushtimit, sakrificës dhe devotshmërisë.

Ky udhëtim e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën të dëlirë, e pajis me një kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re; përforcon jetën shpirtërore, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, pastron krejtësisht shpirtin, duke rafinuar ndjenjat, dhe thuajse i jep krahë atij.

Vizita e vendeve të shenjta, bindja dhe përgjigja ndaj thirrjes së Allahut Mëshirues për të qenë atje, është pjesë e pandarë e kornizës së të qenët mysliman, është kulmi i përkushtimit fizik dhe shpirtëror i krijesës ndaj Krijuesit.

Haxhi është momenti kur njerëzit e bindur dhe respektues të Allahut Mëshirëplotë i përgjigjen Atij në kor të përbërë prej gjuhësh mikse dhe në sfondin e një mozaiku racash dhe kombesh të ndryshme, me fjalët “Lebejk Allahume Lebejk – Ju përgjigja thirrjes Tënde, o Allah, ju përgjigja”. Kjo dëshmon unitetin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Zotit, dëshmon pandashmërinë dhe praktikimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e Krenarisë së Njerëzimit, Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të.

Rituali i haxhit shpreh një akt adhurimi të shkallës më të lartë. Ai paraqet horizontet e Madhështisë Hyjnore, të cilat ne nuk arrijmë t’i shohim ndryshe. Një pelegrin bëhet dëshmitar për faktin se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia nuk janë asgjë tjetër përveçse emërtime të përkohshme, të destinuara të humbasin.

Një udhëtim që të çon një hap më pranë Krijuesit tënd, një hap pranë parajsës së shumëdëshiruar e “… do të kthehesh ashtu siç ke qenë ditën që të ka lindur nëna”. Një udhëtim shpirtëror, përtej çdo dimensioni e kufiri, një udhëtim drejt pavdekshmërisë, drejt madhështisë së pafundme të të Plotfuqishmit. Nëse imagjinata e njeriut nuk e rrok dot fundin e kësaj rruge ku është nisur, është ai që të orienton. Nëse kryqëzimet të ftojnë drejt tyre, me mashtrimet lajkatare, është ai që të ndalon. Nëse falje e mëshirë kërkohet, është ai që të shpie në rrugët e shpirtit, në rrugën drejt Zotit, ku mëshira e falja s’kanë fund.

Jehona e thirrjes së miliona myslimanëve nga e gjithë bota, përshkon kupën qiellore, shpërthen dyert e qiellit e shkon tek i madhi Zot. Sytë e tyre shkëlqejnë, fytyrat shndrisin nga nuri qiellor, zemrat rrahin fort e shpirtrat “ngjiten” lart drejt mëshirës së Tij.

Në ato hapësira të shenjta, deti i besimit të atyre që ulin perdet e syve për të parë me syrin e zemrës, nis të dallgëzohet, ashtu dhe dashuria hyjnore nis t’u lëvizë nëpër damarë. Haxhi e bën njeriun të përjetojë një panoramë që i përket parajsës dhe i shfaq të vërtetën se në këtë botë ai s’është gjë tjetër veçse një vizitor i përkohshëm. Barazia dhe ngjashmëria universale është bashkudhëtare e palëkundur në këtë rrugëtim shpirtëror.

“Nxitoni të shkoni në haxh, sepse askush prej jush nuk mund ta dijë se kur do t’i vijë vdekja”, porosit  modeli ynë dhe i gjithë krijesave, Profeti Muhamed a.s.

You must be logged in to post a comment Login