Cili është qëllimi juaj?

Nëse keni qëllim në jetë, kjo do t’ju nxisë të bëheni të përsosur në punën tuaj. Nëse keni qëllim, do të jeni serioz dhe kjo do t’ju kursejë kohë.

Njerëz, a e dini dallimin që ekziston mes jush dhe krijesave tjera? Krijesat e tjera jetojnë sot për sot. Ato jetojnë vetëm për të ngrënë, për të pirë e për t’u shumuar. Dallimi kryesor mes jush, si qenie njerëzore dhe krijesave të tjera është se ju keni logjikë dhe mund të zhvilloni plane për ardhmërinë tuaj. Ju lutem, dëshmoni njerëzinë tuaj duke përcaktuar një qëllim. Mos jetoni në këtë botë vetëm për të ngrënë, për të pirë, për t’u martuar dhe shumuar e pastaj për të vdekur, sepse me kaq, tregimi i një qenieje njerëzore mbaron.

Po ju rrëfej një ngjarje. Një person shkoi në shkollë, sepse prindërit e tij kërkuan nga ai që të shkojë. Më pas prindërit e tij i thanë se duhet të mësojë shumë e të marrë nota të larta, që të mund të regjistrohet ne fakultet. Ai mësoi shumë, përfundoi shkollën e mesme dhe rezultatet dolën në pah. I thanë se rezultatet e tij i mundësojnë që të studiojë në fakultetin gjegjës. Ai aplikoi dhe u regjistrua dhe vazhdoi fakultetin deri në vitin e fundit. Pastaj i thanë se duhet të mësojë shumë dhe të marrë nota të larta, që të ketë mundësi të punojë në kompaninë e përshtatshme. Ai u përpoq maksimalisht gjatë studimeve dhe u diplomua. I thanë se rezultatet e arritura i mundësojnë të punojë në kompaninë gjegjëse ku edhe u punësua. Pastaj tha se dëshiron të martohet. Kur e pyetën se me kë dëshiron të martohet, u përgjigj: me një grua të mirë, të cilën do ta dua. Ai u martua dhe u bë baba. Punonte e punonte për të fituar para për fëmijët e tij. Pastaj vdiq. Fundi i tregimit. A nuk është ky tregimi i shumicës së njerëzve? Ai erdhi dhe shkoi dhe kjo ishte e tëra. Çfarë arriti? Çfarë bëri? Cili ishte roli i tij? Cilat ishin qëllimet e tij? Çfarë pati planifikuar për jetën?

Për ju që nuk keni akoma një qëllim në jetën tuaj. Supozoni se keni ndërruar jetë. Njerëzit janë duke bartur arkivolin dhe 4 nga shokët tuaj po flasin për ju. Ata flasin për arritjet dhe për ato që keni lënë pas. A i dëgjoni se ç’janë duke thënë?

A është kujtuar dikush për këtë? Në varr do të shkoni me arritjet tuaja, pasuria dhe fëmijët tuaj nuk do t’ju ndjekin. Me ju vijnë vetëm kontributet që keni dhënë në këtë jetë. Cilat janë qëllimet tuaja? Konkretisht, çfarë keni bërë ju?

A e dini se si rriten fëmijët në perëndim? Që nga mosha 9 vjeçare e deri në moshën 12 vjeçare, d.m.th. në moshë të re (në vendet tona ne i konsiderojmë ende fëmijë) ata kanë orë javore të quajtura “Cili është qëllimi juaj në jetë?” A e dini se te ne ka persona që i kanë kaluar të 30-tat dhe ende nuk dinë si t’i përgjigjen kësaj pyetjeje? A e dini tani arsyen se pse njerëzit në perëndim kanë sukses? Fëmija shkon në shkollë; ata e pyesin për qëllimin e tij në jetë. Mësuesi dhe fëmijët e tjerë ulen pranë tij, kurse ai nuk e di përgjigjen. Orën tjetër, ai ndien se duhet të japë një përgjigje, prandaj thotë diçka çfarëdo për të dalë nga situata. Kur thotë diçka, ata e pyesin se çfarë i pëlqen dhe çfarë aftësish ka. Ata e udhëzojnë në drejtimin e duhur.

Nëse thotë se dëshiron të bëhet piktor i mirë, ata kërkojnë të shohin se si pikturon. Nëse thotë se dëshiron të bëhet inxhinier, atëherë shohin se si punon me kompjuter. Tërë vitin ata e nxisin për këtë qëllim, deri në verë. Pastaj administratori i shkollës i dërgon prindërve të fëmijës një letër duke i lajmëruar për atë që fëmija i tyre ka zgjedhur, në mënyrë që të mund të aftësohet edhe më tepër. Kur ai kthehet në shkollë, me siguri do të ketë me vete një letër përcjellëse nga prindërit e tij për mënyrën se si është trajnuar. Ata i formojnë njerëzit dhe ju betohem në Allah se formimi i qenieve njerëzore është shumë më i vështirë se ndërtimi i ndërtesave të mëdha. Është vështirë të formosh një qenie që posedon mision dhe qëllim. Fëmija vjen vitin e ardhshëm me dëshirë që të bëjë gjëra specifike. Kur arrin moshën 12 vjeçare, synimi i tij është i qartë “Unë dua të jem inxhinieri më i mirë i kompjuterit në vend, ose dua të bëhem shkrimtari më i mirë”. Kjo ide e shoqëron dhe zhvillohet me të, vit pas viti derisa ëndrra të bëhet realitet. Ëndrrat e fëmijërisë kthehen në realitet, kurse fëmija kupton se vërtet ka pasur një qëllim në jetë.

Myslimanët tani jetojnë pa kurrfarë qëllimi, kurse jeta i sjell vërdallë, apo sipas përshkrimit profetik “si shkuma e ujit”. Pse e ka përdorur i Dërguari fjalën “shkumë”? Sepse “shkuma” nuk ka qëllim, noton mbi ujë, lëviz me të e më pas zhduket. Jeta e bart atë person i cili nuk ka qëllim në jetë.

Në librat e fëmijëve, gjendet një përrallë për fëmijë të cilën kam përshtypjen se e njihni të gjithë, “Liza në botën e çudirave”. Në një rast, Liza ishte duke ecur kur takoi në rrugë shokun e saj, lepurin. Në udhëkryq, ajo e pyet lepurin (vëreni se ky tregim iu mësohet fëmijëve) se cilën rrugë duhet të ndjekë? Lepuri e pyeti se ku dëshiron të shkojë. Ajo thotë se nuk e di. Pastaj lepuri thotë: “Nëse nuk e di se ku do të shkosh, ndiq cilëndo rrugë, sepse ka pak rëndësi. Ti duhet ta dish se ku do të shkosh Liza!”. Ky tregim iu tregohet fëmijëve me qëllim që kur të rriten t’i dinë qëllimet e tyre.

Cili është qëllimi yt? A është i shkruar në letër? A është i varur në murin e dhomës tënde? A e ke shkruar planin tënd të veprimit për ta arritur atë? A ke orar? Unë e kuptoj qenien njerëzore dhe njerëzimin si të tillë; po ti, a e kupton në të njëjtën mënyrë?

Kjo nuk vlen vetëm për fëmijët dhe shkollat. Jo, çdo kompani a organizatë duhet ta ketë një mision, një qëllim – dhe kjo duhet të shkruhet në rreshtin e parë. Të supozojmë se kemi kapital dhe dëshirojmë të themelojmë një kompani të telefonisë mobile. Kemi kapital dhe teknologji në sasi të mjaftueshme, mirëpo në fillim duhet bërë një gjë. Duhet të vendosim misionin e kompanisë, qëllimin. Ata që dëshirojnë të fitojnë para, duhet ta bëjnë patjetër këtë. Prandaj, a mund ta imagjinoni se si një qenie njerëzore që ka mendje dhe shpirt mund të jetë pa qëllim!

Kompania globale Sony, e ka të përcaktuar qartë synimin e saj. A e dini se cili është ky synim? Që produkti japonez të bëhet produkti numër 1 në tregun e SHBA-ve. Ata e shkruan misionin e tyre dhe e varën në mur. Kur bordi i drejtorëve mblidhej, dhe kur ndonjë punëtor propozonte diçka, kryetari i këshillit shikonte synimin e varur në mur dhe pyeste punëtorin që jepte ndonjë propozim se ku qëndron lidhja e propozimit që ai bënte me synimin e kompanisë.

Pse jeni krijuar?

Nëse e dini pse jeni krijuar, atëherë do të dini si t’i përgjigjeni pyetjes tjetër. Ju lutem, dëgjoni me vëmendje. Pse jeni krijuar? Po t’i pyesni njerëzit se pse janë krijuar, do të merrni përgjigje të paqarta. Njerëzit s’do ju kuptojnë. Ata do të thonë: Ç’është kjo pyetje? Disa do të thonë “për të përmbushur misionin e madh në jetë”. Kur i pyet se cili është ky mision, përgjigja është: “Nuk e di!”

Gjatë historisë, shkencëtarët vazhdimisht pyeteshin: “Pse jemi krijuar?” Në fakt, nuk ekziston asnjë burim që ofron përgjigje të qartë për këtë pyetje përpos Islamit. Në rreshtat vijues do të paraqesim disa përpjekje të shkencëtarëve për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje:

– Platoni ka menduar dhe ka studiuar shumë dhe në fund ka dhënë mendimin e tij për qëllimin e ekzistencës sonë. Ai thotë se Allahu ka krijuar universin dhe pastaj e ka harruar atë dhe për këtë arsye, njerëzit ofendojnë dhe vrasin njëri-tjetrin, sepse nuk e dinë arsyen e ekzistencës. Ajeti kuranor e mohon fuqimisht atë: “Dhe Zoti juaj nuk harron kurrë”.

-Elia Ebu Madi, një poet libanez, shkroi një poezi të titulluar “Poezia e Talismanëve”. Ai thotë:

Nuk e di se nga kam ardhur,

Por sidoqoftë, jam këtu,

Pashë një rrugë para meje,

Dhe kështu kalova nëpër të,

Unë do vazhdoj të eci

Nuk ka rëndësi nëse eci kot,

Se si kam ardhur, nuk e di

Se ku do të shkoj, nuk e di

Se pse kam ardhur, nuk e di.

Pse jeni krijuar? Nëse e dini përgjigjen do të dini si ta definoni qëllimin tuaj. Përgjigja më e mirë dhe më specifike për këtë pyetje gjendet në Kur’an: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Por, a do të thotë kjo se adhuruesit e Allahut nuk duhet të bëjnë asgjë më tepër përpos se të falen, të agjërojnë etj. Natyrisht, ky nuk është kuptimi i ajetit. Ajeti do të thotë se duhet të jetoni normalisht, mirëpo qëllimet dhe synimet tuaja përfundimtare duhet të kenë si bosht kënaqësinë e Allahut xh.sh.

– A dëshironi të keni fëmijë? Mund të bëni fëmijë sa të doni. Po pse dëshironi t’i keni ata? Për të luajtur me ta. Jo. Ju keni të drejtë të keni fëmijë dhe të jeni të lumtur, mirëpo duhet t’i drejtoni qëllimet tuaja në drejtimin e duhur dhe t’i edukoni fëmijët për hir të Allahut xh.sh. Kjo farë e vogël (Fatimja, Aliu, Salihu apo Muhamedi), do të forcohet dhe do ta mbrojë Islamin një ditë.

Bëni çfarë të dëshironi, mirëpo qëllimet tuaja i drejtoni kah kënaqësia e Allahut xh.sh. E mira e Islamit është se përfshin të gjitha sferat e jetës. Pejgamberi a.s. ka thënë nga një thënie për çdonjërën prej kënaqësive të kësaj jete dhe lidhjen e saj me Islamin:

“E përsosur është paraja në duart e njeriut të mirë.”

“Më i miri nga ju është ai i cili është i mirë me gruan dhe familjen e tij.”

“Ai i cili fle i lodhur nga puna që ka bërë me duart e tij, Allahu do t’ia falë të gjitha mëkatet.”

Në fillim, thamë se duhet pasur një qëllim, sepse kjo është ajo që e dallon njeriun nga krijesat tjera, të cilat nuk kanë qëllim në jetë. Ne, si myslimanë, jemi më të përshtatshëm për këtë, sepse Kur’ani është i qartë lidhur me këtë çështje. Në rregull, atëherë, pra, pse na krijoi Allahu? Çfarë duhet të bëjmë tani?

  1. Duhet të shënoni qëllimin tuaj.
  2. Ky qëllim duhet të lidhet me qëllimin përfundimtar, arritjen e kënaqësisë së Allahut xh.sh.

Ai që nuk ka qëllim, është person që qëndron në një vend. Ai nuk bën përpjekje, nuk planifikon e nuk lëviz. Ai është i gozhduar në tokë. I gjithë universi përreth nesh është në lëvizje të vazhdueshme, kurse ju qëndroni pa lëvizur. Për më tepër, ju jeni duke përjetuar disa ndryshime brenda vetes. Çdo ditë, mijëra qeliza në buzët tuaja zëvendësohen me të reja, po ashtu edhe qelizat e mëlçisë e të lëkurës. Ajo që dua të them është se i gjithë universi lëviz dhe ndërron përreth jush, madje edhe ju vetë ndryshoni në brendi, mirëpo ju, ju vetë, qëndroni pa lëvizur. A e dini se cili do të jetë rezultati pas njëfarë kohe? Ju do të dilni nga vetvetja, do të jeni një i huaj në univers; do të vuani nga depresioni, pasi jeni të palëvizshëm. Kjo është situata e myslimanëve sot. E tërë bota po lëviz e zhvillohet, kurse ne akoma na mungojnë synimet. Për këtë arsye jemi bërë të huaj në këtë univers.

Rasti ynë i ngjan këtij shembulli: Mësuesi u thotë nxënësve: Dua që ta lexoni këtë libër dhe të diskutojmë javën tjetër. Ditën tjetër, të gjithë nxënësit kanë ardhur të përgatitur, ndërsa ju jo. A e dini se çfarë do të ndodhë me ju? Të gjithë nxënësit do të diskutojnë për librin kurse ju do qëndroni pa kuptuar asgjë. Pas njëfarë kohe, do të ndiheni i vetmuar dhe do t’i thoni vetes: “Dua të largohem”. Kur diskutimi arrin kulmin, çdokush e di se ç’po ndodh, përveç jush. Do të thoni: “Dua të largohem, ky nuk është vendi im”. Ky është rasti me myslimanët në tërësi dhe si individë.

Unë provova një ide në web faqen time. Kërkova nga të rinjtë të shkruajnë qëllimet e tyre në jetë. Pastaj i mblodha këto komente dhe u solla një shembull prej atyre që ata pohuan. Disa thanë gjëra të bukura, kurse disa kishin pikëpamje të tjera.

Një tjetër shkroi: “Qëllimi im është të studioj psikologji dhe sociologji, sepse mendoj se aspektet e edukimit, psikologjisë dhe sociologjisë janë të dobëta në vendet tona. Prandaj, dëshiroj të specializohem në këto fusha”. E shikoni se si njerëzit dallojnë në atë që mendojnë dhe thonë.

Dikush tjetër tha: “Jam 48 vjeç, a mundet dikush të fillojë një jetë të re dhe të ketë qëllim në këtë moshë?” Këtij personi i them se shokët e Pejgamberit a.s. e filluan jetën e tyre në të pesëdhjetat. Ata arritën sukses, u bënë njerëzit më të mirë në sipërfaqen e tokës.

Një vajzë e re tha: “Unë jam infermiere dhe besoj se kjo punë është detyrë islame; ndaj qëllimi im është të jem infermierja më e mirë dhe të fitoj çmimin për infermieren më të mirë në botë”.

Tani të shohim disa shembuj të njerëzve gjatë historisë:

Do t’ju tregoj një tregim shumë qesharak për një njeri në Andaluzi që quhej Mervan el-Hammar: Ai bënte bartjen e njerëzve duke përdorur gomarët si mjet transporti. Kjo ishte një punë shumë e thjeshtë dhe modeste. Një ditë, ai po rrinte ulur me dy shokë që bënin të njëjtën punë. Ai u tha: “Mendoni një dëshirë”, mirëpo ata qeshën dhe i thanë: “Cila është dëshira jote?” Ai tha: “Dëshira ime është të sundoj Andaluzinë”. Ata qeshën sërish, mirëpo i pari prej tyre mori vesh se Mervani fliste seriozisht dhe tha: “Nëse ia del, më lejo të jem kryehammari (puna që bënte Mervani). Shoku i dytë deshi të bënte shaka me Mervanin dhe tha: “Nëse ia del, atëherë unë do ta ngas gomarin mbrapsht që njerëzit të më përqeshin”. Koha kalonte dhe Mervani iu bashkëngjit forcave të rendit, dhe gradualisht përparonte deri në momentin kur arriti një pozicion të lakmuar; pastaj kaloi në qeveri dhe hap pas hapi u bë kryeministër. Pas kësaj, ai u bë sundues i Andaluzisë. Një ditë, ai urdhëroi që t’ia sillnin aty shokët e tij të vjetër. Të parit i tha: “Ti do bëhesh kryehammar në Andaluzi, unë do të të jepja çfarëdo që pate kërkuar atëherë”. Sa i përket të dytit, i tha: “Ty do të të jap atë që kërkove vetë, do të lë të ngasësh gomarin mbrapsht dhe të ecësh nëpër rrugë që të gjithë të qeshin me ty”.

Ekzistojnë disa kushte të rëndësishme për çdo qëllim:

Që qëllimi të jetë i qartë, specifik. Për shembull, nëse qëllimi juaj është t’u shërbeni myslimanëve, ky nuk është qëllim i qartë apo i matshëm. Ajo çfarë kemi thënë ishte për t’ju motivuar moralisht, kurse tani është koha të kemi qëllime të vërteta në jetë..

Që qëllimi të përbëhet nga dy elemente: të qenit ambicioz dhe real në të njëjtën kohë. P.sh. nëse nxënësi thotë: “Qëllimi im është të kaloj provimet”, ky nuk është qëllim, sepse është normale që secili dëshiron t’i kalojë provimet. Qëllimi duhet të jetë: Dua të arrij këtë dhe atë, dua të jem i dalluar dhe të marr një gradë shkencore, etj. Qëllimi duhet të jetë në të njëjtën kohë ambicioz dhe real.

Që të besoni në qëllimin tuaj fuqishëm me të gjitha shqisat dhe aftësitë tuaja. Besimi në qëllimin tuaj duhet të jetë i tillë si ai i Pejgamberit a.s., kur i pati thënë ungjit të vet: “O xhaxha, të betohem se edhe po të ma vënë diellin në njërën dorë dhe hënën në dorën tjetër për të lënë porosinë e Islamit, nuk e lë derisa Allahu ta lartësojë atë apo unë të vdes për të”. E shihni pra, si duhet të jetë besimi në qëllimin tuaj.

Këto ishin katër cilësi të rëndësishme për qëllimet. Pika tjetër është aspekti që ju duhet për të përmbushur qëllimin tuaj, thënë më saktë cilësitë psikologjike që ju nevojiten për t’i arritur qëllimet:

  1. Shpresa dhe optimizmi. Pejgamberi a.s. ka qenë gjithmonë optimist dhe gjithmonë ka shpresuar.
  2. Durim, durim, durim. Duhet të kini durim dhe kurrë të mos e humbni shpresën apo të nguteni. Një herë, Habab ibn el-Ark iu ankua Pejgamberit a.s.: “A mund të lutesh për ne, jemi në mjerim, të lodhur dhe u ngopëm me jobesimtarët që po na torturojnë”. Profeti, i nervozuar dhe i skuqur në fytyrë, iu përgjigj: “Në popujt që ishin para jush kishte njerëz që janë prerë me sharrë, por kurrë nuk e lanë fenë e tyre. Betohem se Allahu do ta ndalojë këtë, por ju po nguteni”.
  3. Besoni në Allahun xh.sh. Kjo është aftësi morale, sepse çdo gjë është nën kontrollin e Allahut.

Pika e fundit është se si ta arrini qëllimin tuaj? Ju lutem, përqendrohuni me mua: merrni një laps dhe një fletë dhe shkoni në një vend të qetë. Shkruajini të gjitha ëndrrat tuaja. Kurrë mos thoni kjo nuk mund të ndodhë. Jo tani. Në këtë fazë lërini anash pengesat. Çlirojeni mendjen, shkruani aspiratat tuaja, ëndrrat dhe dëshirat. Tani do t’ju tregoj se si ta definoni qëllimin tuaj. Në një fletë tjetër, shkruani sinqerisht pikat tuaja të forta dhe të dobëta. Kjo metodë përdoret në analiza shkencore. Për shembull:

-Shënoni pikat e forta: durimin, përpjekjet dhe se kurrë nuk mërziteni.

-Shënoni dobësitë tuaja: jeni nervoz dhe dorëzoheni lehtë.

-Shënoni pikat e forta: që kuptoni shumë mirë ekuacionet matematikore.

-Shënoni pikat e dobëta: që njohuritë tuaja gjuhësore janë të dobëta.

-Shënoni pikat e forta: që keni njohuri të mira në kompjuter.

-Shënoni pikat e dobëta: që ju mungojnë këto e ato shkathtësi…

A e kuptoni se ç’dua t’ju them? Dobësitë dhe anët e mira tuaja në një anë dhe ëndrrat në anën tjetër. Filloni t’i kombinoni këto mes tyre. Definoni qëllimin tuaj me anë të dobësive dhe të mirave që dispononi në raport me ato që doni të arrini. Kjo procedurë mund të zgjasë dy orë, dy javë, madje edhe dy muaj. Nuk keni pse të nguteni. E rëndësishme është që ju të definoni se “cili është qëllimi im?”. Merreni dhe shkoni te ndonjë njeri i ditur, i cili ju do dhe aftësive dhe përvojës të së cilit i besoni. Kërkoni mendimin e tij lidhur me ato që keni shkruar për të përfituar nga përvoja e tij. Tregojini për qëllimet tuaja. Deri këtu mirë, pas kësaj vjen një pikë e rëndësishme. Qëllimin ndajeni në qëllime graduale.

Ideja shndërrohet në plan kohor me nën-qëllime që çojnë drejt planit të përsosur final. Ky është planifikim i vërtetë dhe ky është qëllimi i jetës suaj. Ju lutem, mësoni shumë, sepse myslimani kurrë nuk duhet të dështojë. Dhe ne dëshirojmë të ndërtojmë jetë.

Amër Halid

/Revista ‘Drita Islame’ – Korrik 2017/

You must be logged in to post a comment Login