Cikli i bisedave “Frytet e Besimit” në qytetin e Peshkopisë

Programi nisi me faljen e namazit të drekës nga imami i xhamisë, për të vijuar më tej me lexim Kur’ani nga Hafiz Rushi, një ndër besimtarët më të vjetër që frekuenton rregullisht xhaminë.

Të pranishëm për të referuar ishin nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, me temën “Kur’ani dhe vlerat e tij” dhe z. Dorian Demetja, drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar, me temën “Sinqeriteti në të folur dhe veprim”.

Gjatë fjalës së tij, nënkryetari Spahiu theksoi rëndësinë e të jetuarit sipas normave, dispozitave apo vlerave morale të parashikuara për besimtarin në Kur’anin Famëlartë.

“Kurani është thelbi i jetës. Jeta e njeriut bëhet e dobishme e mbarë me aq sa njeriu e bën parim të jetës së tij Kur’anin. Kur’ani është një thirrje sovrane për njerëzit, që t’i udhëzojë ata në rrugën e drejtë”, u shpreh z. Spahiu.

Ndërsa z. Demetja e vuri theksin në nijetin e pastër që duhet të karakterizojë çdo besimtar në kryerjen e detyrave apo punëve të përditshme dhe rëndësinë e shmangies së hipokrizisë.

Sipas tij, për ta arritur këtë, fillimisht duhet një përkushtim dhe vendosmëri e pastër, pastaj purifikimi nga çdo interes vetjak dhe dëshira materiale, duke u kapur fort pas idealeve të larta morale e shpirtërore.

“Në ditët tona hipokrizia është shumë e përhapur. Në rastin e hipokrizisë kemi të bëjmë me një gënjeshtër të dyfishtë. Hipokriti, duke thënë se po e kryen për hir të Allahut një punë që, në të vërtetë po e kryen për hir të njerëzve, thotë një gënjeshtër. Po ashtu, duke pohuar se e pret shpërblimin nga Allahu, ndërkohë që në të vërtetë e pret nga njerëzit, shpreh edhe një gënjeshtër të dytë”, nënvizoi z. Demetja.

Në mbyllje të programit, myftiu i Dibrës, z. Muis Kurtulla, falënderoi referuesit për mesazhet mjaft të rëndësishme që ndanë me besimtarët dhe theksoi se këto takime janë një rifreskim i nevojshëm për besimin tonë.

8 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login