Çfarë janë paragjykimet fetare

Paragjykimet fetare janë vlerësime negative apo pozitive për besimtarët apo ritet e një feje të caktuar, të bazuara kryesisht në përvoja të rastësishme të kontakteve me këtë fe, për të cilën nuk merret informacion i plotë ose merret informacion i gabuar, duke mos i marrë parasysh karakteristikat thelbësore të kësaj feje.

Ja një shembull paragjykimesh negative:

Fakti i të qenët p.sh. budist, të krijon një përshtypje, e cila më pas kthehet në paragjykim, sepse ti sjell ndërmend se kush janë pasuesit e kësaj kulture religjioze. Ata janë kinezë dhe indianë, shumica e të cilëve janë të varfër, skeptikë, të veçuar në tempujt e tyre duke adhuruar idhujt pa u kushtuar shumë rëndësi problemeve politike, etj.

Në formimin e kësaj ideje për të (budistin) nuk nisemi aspak nga njohja e fesë budiste. Për këtë fe, e aq më pak për personin në fjalë, ne kemi pak informacion ose edhe këtë informacion e kemi të pasaktë, por megjithatë… paragjykimin e krijojmë.

Të njëjtën gjë mund të themi për paragjykimet pozitive. Të marrim shembullin e një sekti të përhapur masivisht në Amerikë. Menjëherë na krijohet një paragjykim pozitiv duke u nisur nga fakti se këtë sekt e kanë përqafuar shumë amerikanë dhe se amerikanët janë të përparuar, të pasur, kanë kulturë, etj. Ne nuk nisemi aspak nga fakti se çfarë është ky sekt, duke mos ditur asgjë për të (ose gjëra të gabuara), por paragjykimin e formojmë.

Këtu del edhe një problem tjetër, ai i identifikimit të fesë me anë të personit. Kjo nuk është aspak e drejtë, sepse me këtë gjë abuzohet, duke iu krijuar të tjerëve paragjykime negative ose pozitive për një fe të caktuar. I tillë është rasti kur një person thotë se jam mysliman apo katolik dhe vepron diçka që është në kundërshtim me parimet e fesë që ai ndjek, atëherë nuk kemi pse të krijojmë paragjykime negative për këto fe. Formimi i paragjykimeve, duke u nisur nga individët përkatës, nuk është i drejtë, sepse jo kushdo është në gjendje t’i prezantojë me përpikëri parimet e fesë së tij. Në këtë rast formohen paragjykime të gabuara për një fe të caktuar, duke u nisur nga prezantimi jo i saktë që ky individ i ka bërë fesë së tij, qoftë kjo edhe pa qëllim të keq. Edhe nëse një person që ka krijuar paragjykim pozitiv ose negativ për një fe të caktuar, përballet me realitetin e kësaj feje, ai reagon gjithmonë në përshtatje me paragjykimin e parë, duke e injoruar realitetin ose duke mos e përfshirë këtë informacion të ri në mendimin e krijuar për këtë fe.

Duhet të kemi parasysh se paragjykimet fetare nuk mund të merren si të ndara nga llojet e tjera të paragjykimeve e sidomos nga ato raciale. Kjo ndodh se nuk mund të bëhet një dallim thelbësor në mes individit të një kombi, që identifikohet me një fe të caktuar, dhe individit që mund të jetë anëtar i fesë, por jo i atij kombi. Ndërsa në rastet kur brenda një kombi, me fe të ndryshme, ka paragjykime fetare dhe kur këto bëhen aktive, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim fetar.

Nuk është e thënë që grupi i paragjykuar duhet të jetë patjetër më i vogël në numër që të pësojë diskriminim, por mjafton që paragjykuesit të kenë pushtet mbi të paragjykuarit edhe nëse janë më të paktë në numër.

Shkaqet e lindjes së paragjykimeve fetare

– Ndër shkaqet kryesore të paragjykimeve për fetë ka qenë abuzimi i klerikëve nën petkun e prijësit shpirtëror, sidomos gjatë periudhës së mesjetës në Evropë. Njerëzit e fesë, duke pretenduar se ushtronin autoritetin e Zotit, arritën deri në shkallën e skllavërimit të njerëzve. Sipas tyre, njerëzit e thjeshtë ishin të paaftë për t’u lidhur direkt me Zotin; këtë të drejtë e kishte vetëm kleri nga i cili, për më tepër, dokumentohen edhe probleme me moralin e mospërputhje e veprës me fjalën.

Një situatë e tillë nuk kishte se si të mos krijonte paragjykime negative për fetë, të cilat prezantohen nga klerikë të tillë. Për këtë çështje Frojdi, në teorinë e tij, thotë se: “Pas shprehjes së paragjykimeve fshihen konfliktet dhe mospërshtatjet psikologjike”. Nga kjo thënie kuptojmë se kur njerëzit janë acaruar dhe janë të paaftë t’i rregullojnë problemet e tyre, shpesh ata e kthejnë krahun e goditjes drejt burimit të acarimit, e në rastin tonë drejt klerikëve, e më pas, fatkeqësisht, edhe ndaj vetë fesë. Paragjykimi arriti kulmin kur elementet përparimtare filluan prezantimin e zbulimeve të tyre, që i kushtoi jetën dikujt duke u djegur në turrën e druve nga ata që “zotëronin” “Dijen Absolute”. Këto veprime e të tjera si këto, në Evropë dhe në vende të tjera ku probleme të tilla ishin të dukshme, shkaktuan urrejtjen dhe zgjimin e vetëdijes antifetare te njerëzit, të cilët filluan ta braktisin fenë. Jo vetëm kaq, por ata njerëz tashmë bartnin dhe ndjenjën e urrejtjes për çdo fe pa pasur kurrfarë dije për të; mjafton të ishte fe dhe njerëzit e urrenin. Ky është shkaku kryesor i krijimit të përshtypjeve negative për fetë në përgjithësi. Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për Evropën e asaj kohe, fundi i së cilës shënoi dhe ndarjen e fesë nga shteti, e cila pak nga pak u kthye në ndarje të fesë nga jeta e përditshme, deri në degradimin e saj në një takim të fundjavës.

Ky shkak i lindjes së paragjykimeve ka zënë fill në atë kohë, por vazhdon edhe sot e kësaj dite në çdo vend ku klerikët apo prijësit fetarë abuzojnë me fenë e tyre.

– Paragjykimet, siç përmendet dhe në përkufizim, formohen nga informacioni i kufizuar ose i gabuar për një fe të caktuar dhe, rrjedhimisht, edhe për personin që e ndjek këtë fe. Me mënyrën e parë krijohet paragjykimi duke u nisur nga qëndrimet e sipërfaqshme e subjektive. Këto u ofrohen njerëzve përgjithësisht me anë të kulturës popullore (artit të konsumit apo masmedias, etj.) poseduesit e mjeteve të tilla, duke e kuptuar rëndësinë për të ndikuar në trurin e njeriut dhe për të futur në të mesazhin e duhur, i shfrytëzojnë ato për të krijuar paragjykime për fetë, ose besimtarët e një feje të caktuar. Kështu, për shembull, nëse dëgjon fjalën “prift”, menjëherë të vjen ndër mend një asket, i cili veçohet nga njerëzit në vetmi të plotë, duke mos u martuar kurrë. Edhe nëse kjo mund të jetë reale, për një pjesë të klerikëve, paragjykimi i tillë formohet, bazuar në opinionin e ofruar prej kulturës popullore, filmave etj., apo duke u nisur nga filmat, artikujt e shumtë dhe librat e botuar, që flasin për terrorizëm islamik, menjëherë na krijohet imazhi se myslimani nuk mund ta konceptojë jetën e tij pa luftë, pa vënë ndonjë bombë, pa prerë e masakruar. Na shkon ndërmend një mysliman me mjekër të zezë e çallmë të bardhë, i cili mban në njërën dorë automatikun e në tjetrën bombën. Ky imazh arrin deri atje saqë sa herë flitet për vrasje, shpërthim bombe, masakrim njerëzish të pafajshëm etj., menjëherë na krijohet përshkrimi i lartpërmendur, i ilustruar më mirë nga personi i Bin Ladenit.

Paragjykimet e lindura nga ky burim (ai i informacionit të mangët ose të gabuar) i prekin të gjitha besimet edhe pse për njërin krijohen paragjykime pozitive e për tjetrin negative, në varësi të atij që i disponon këto mjete. Formimi i pjesshëm i disa njerëzve shkon deri aty sa mjafton që të lexojnë apo dëgjojnë diçka dhe menjëherë i krijojnë skemat e tyre, duke i mbushur me paragjykime të ndryshme, pozitive apo negative qofshin, të vërteta apo të gabuara; duke e justifikuar veten se, sikur të mos ishte e vërtetë nuk do të shkruhej në gazetë apo flitej në radio…

Këto ishin dy rrugët kryesore të krijimit të paragjykimeve për fe apo fetarë të ndryshëm. Ekzistojnë edhe shkaqe të tjera me ndikim më të vogël siç është mospasja kontakt dhe ndërveprim mes individëve të feve të ndryshme, apo mosvendosja në status të përbashkët të tyre, ku kriter të mos jetë feja, por aftësia e individit dhe se sa i përgjigjet ai këtij apo atij statusi. Duke u nisur nga fakti se formimi i paragjykimeve fillon që në moshë të vogël, prindërit përpiqen t’u japin fëmijëve ato gjëra që dëshirojnë e, në njëfarë mënyre, fëmija do të ushqehet me atë frymë derisa të arrijë të kuptojë realitetin me veprat e tij. Në këtë pikë bën pjesë edhe formimi i paragjykimeve te fëmijët me anën e fjalëve dhe veprave të prindërve, duke u nisur nga fakti se fëmija, si një kasetë e paregjistruar, regjistron çfarë sheh dhe dëgjon. Është me rëndësi të përmendim se njerëzit me arsim të ulët janë më paragjykues e të prirur të njësojnë fenë me dukuri që s’kanë lidhje.

Paragjykimet fetare në Shqipëri pas viteve ‘90  

Pas lejimit të pluralizmit dhe lirisë fetare, paragjykimet fetare nxorën kokë furishëm. Ardhja e shumë misionarëve nga vende të ndryshme, për thirrje fetare, u shoqërua edhe me lindje paragjykimesh të reja mbi ato ekzistueset. Këto paragjykime e kanë burimin në ballafaqimin me njerëz të kulturave të tjera, të cilat, mentaliteti i ngurtësuar prej dekadash izolimi, shpesh i keqkuptoi, duke i ngatërruar nënshtresat kulturore me thelbin fetar te personi i misionarit të huaj, shpesh në dëm të fesë. Kontributin e vet shembullor, sidomos në krijimin e paragjykimeve anti-islame, e dha shtypi, me tituj bombastikë të tipit “Islamik, bombë në kryeqytet”, “Myslimanët shqiptarë janë pasardhës të haremeve turke”, “Allahu shkatërroi kishat”, etj. Është për t’u vlerësuar fakti se këto “zhurma” lindin dhe përfundojnë po në gazeta, por jo pa lënë efekte të konsiderueshme në imagjinatën kolektive, duke u bërë ushqim për paragjykimet. Edhe pse është shumë e vështirë të maten paragjykimet fetare, të cilat nuk janë vlera konkrete, mund të themi se janë krijuar gjeneratorët për prodhimin e tyre nga ana e mediave dhe institucioneve kulturore, monopol i një elite të deformuar, agresive ndaj shenjtërisë dhe religjiozitetit në përgjithësi e ndaj Islamit në veçanti.

Por ndikimi i tyre në krijimin e një shtrese shoqërore homogjene paragjykuesish është ende në fazat fillestare, pasi edhe të prekurit nga kjo strategji (besimtarët) po i shmangen një përplasjeje të hapur me gjeneruesit e këtyre paragjykimeve.

Po nuk iu kundërvumë në kohë këtij virusi, epidemia e paragjykimeve mund të prodhojë turma “të satanizuara” si ato të fundit të viteve ‘60, që rrënuan faltoret dhe shkulën fenë nga shoqëria. Betejat e së nesërmes fitohen sot.

Gazmend Leçini

/Revista ‘Drita islame’, shtator 2017/

You must be logged in to post a comment Login