Ç’është Israfi?

nga Gazmend Aga

Agroni, 45, Tiranë. Selamun Alejkum, urime për punën e madhe që po bëni. Tashmë Drita Islame është kthyer në dritë ndriçuese për të gjithë familjen tonë. Çdo gjë më pëlqen, por do sugjeroja dhe ndonjë numër special për fëmijët të cilët kanë shumë nevojë për besimin dhe moralin fetar. Pyetja ime është kjo; Unë punoj në sektorin privat dhe për hir të vërtetës rroga ime është mbi standardet e shoqërisë shqiptare. Megjithatë ka muaj që mezi ia dalim. Lexova diku se shpërdorimi apo israfi ndikon në bereqetin dhe begatinë e shtëpisë. Ç’është israfi? A ndikon ai në ekonominë e shtëpisë?

I nderuar Agron. Allahu jua shpërbleftë për fjalët inkurajuese dhe për sugjerimin e bërë. Keni shumë të drejtë, jo vetëm fëmijët, por e gjithë shoqëria në mbarë botën ka nevojë për Zotin, për besimin në të dhe për principet që ai ka sjellë nëpërmjet njerëzve të tij të zgjedhur, profetëve. Për sa i përket pyetjes suaj, Israfi, apo shpërdorimi, ka lidhje direkte me bereqetin dhe ekonominë e shtëpisë, madje mund të themi se është një nga shkaqet edhe të krizës ekonomike botërore.

Njeriu mund të jetojë në kushte të ndryshme. Ju jeni në një moshë e cila e kujton se me sa vështirësi ekonomike ka jetuar e gjithë shoqëria jonë. Sot, pasi ekonomia ka rënë dhe mundësitë mund të jenë pakësuar, të kursesh apo të mos harxhosh pa nevojë tregohet si një “aftësi” menaxhimi, e cila duhet bërë për të parandaluar kriza më të mëdha. Në fakt, nëse do të jetonim si myslimanë, gjithmonë do kishim në mendje principin e mrekullueshëm që Zoti na jep në Kuran: “Hani e pini e mos shpërdoroni. Vërtet, Ai nuk i do ata që shpërdorojnë.” (7:31).

Sa mrekullueshëm e ka përmbledhur begatinë e Allahut dhe mëkatin e shpërdorimit Krenaria e njerëzimit, Profeti ynë i nderuar duke na thënë se gjatë ngrënies një e treta e stomakut duhet lënë për ushqim, një e treta për ujë dhe pjesa tjetër për ajër. Përmes kësaj porosie ai na mëson jo vetëm të mos shpërdorojmë, por dhe një nga dietat më praktike, më të lira dhe më natyrore. Sikur ne të mundnim të praktikonim qoftë dhe këtë princip të artë gjatë ngrënies, numri i të uriturve do të minimizohej, ndërsa ekonomia nuk do ishte aty ku është sot.

Të marrim një shembull tjetër nga shembulli më i mirë i njerëzimit, Profeti Muhamed (a.s.). Sipas këshillave të tij, sasia e ujit të nevojitur për marrjen e guslit (larja e gjithë trupit) duhet të jetë katër ose pesë litra. (Buhârî, gusl 2, 3; Muslim, hajdh 40, 41, 42.). Tani, nëse duam të kuptojmë se sa ujë shpërdorojmë qoftë dhe gjatë larjes së trupit, mjafton të masim se sa ujë harxhojmë në çdo marrje gusli. Nëse pas matjes, shikojmë se sasia është 20+ litra, atëherë kjo tregon se në çdo larje ne shpërdorojmë mbi 15 litra ujë. Për një besimtar të mirë israfi apo shpërdorimi është gjynah në çdo aspekt të jetës. Uji është një nga begatitë më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut. Sot, në fakt ka krizë edhe të ujit të pijshëm dhe zgjidhja e kësaj krize është dhënë nga zgjidhësi i problemeve (Profeti) me lehtësinë më të madhe. Një besimtar i mirë duhet të jetë shembull dhe në këtë aspekt, a kemi mundësi që të gjithë rubinetet e çezmave t’i përshtatësh që mos të harxhohet shumë ujë. Në këtë mënyrë mund të kontribuohet në zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha të kohës: problemit të konsumimit të panevojshëm.

Harxhimi me tepri i energjisë elektrike, harxhimi i tepërt në ushqime janë shembujt më konkretë që tregojnë për problematikën e shpërdorimit.

Shembullin më konkret në lidhje me ushqimin e kemi te sasia e kalorive të harxhuara. Kaloritë që nevojiten për një organizëm me aktivitet fizik normal janë rreth 1800. Ndërkohë në përgjithësi, në Shqipëri akumulohen mesatarisht 2500-3000 kalori në ditë. Pothuajse dyfishi i asaj që nevojitet. Ky është shpërdorim për të cilën njeriu do të japë llogari në botën e përtejme. Nëse israfi bëhet shkak të pritet bereqeti, atëherë dhe kursimi bëhet shkak i shtimit të bereqetit dhe mirësive prej Allahut.

Sot, shoqëria jonë është kthyer në një shoqëri konsumi. Shpërdorojmë pothuajse në çdo fushë të konsumit njerëzor. Përdorimi i ujit, i elektrikut, i të ngrënit dhe ç’është më e rëndësishmja i kohës është mbi nevojat tona. Pikërisht, ai që ha dhe pi shumë do të konsumojë më shumë se ç’duhet dhe kohë. Kur e pyetën imam Neveviun se pse nuk hante, ai u përgjigj; “Më vjen zor prej Zotit tim të vrapoj ndërmjet kuzhinës dhe tualetit…”.

Megjithatë, të gëzosh begatitë e dhuruara prej Zotit nuk është mëkat. “O ju që besoni, hani prej gjërave të mira me të cilat Ne ju kemi furnizuar dhe falënderoni Allahun.” (2:72), thuhet në Kuranin Famëlartë. Mëkat është të tejkalosh nevojat njerëzore dhe t`i shpërdorosh ato begati. Ndërkohë që të afërmit tanë jetojnë në skamje ne nuk mund të fitojmë si shqiptarë dhe të shpenzojmë si Amerikë. Për çdo krizë ekonomike në radhë të parë jemi fajtorë ne. Siç thotë dhe Oscari “Sado e madhe të jetë ajo që na ka bërë bota, ajo që i kemi bërë vetvetes është më e madhe.” Po, në fakt ne jemi nismëtarët e krizës. Shpërdorimi ynë, moskursimi ynë është nxitësi i humbjes së bereqetit dhe fillimit të krizës. Kursimi duhet bërë në konsumin tonë e jo të kursehet pa masë kur vjen rasti për të ndihmuar të varfrit e njerëzit në nevojë.

I dashur Agron, nëse sasia e të ardhurave që përfiton është e konsiderueshme mjafton të ndjekësh shembullin e më të lumturit të historisë, Profetit Muhamed (a.s.). Ai ishte shembulli i bujarisë pa kushte, shembulli i konsumimit ideal pa shpërdorime, shembulli më i mirë që nuk e çon kurrsesi as individin e as shoqërinë në humbje e probleme sociale. Ndaje begatinë me të varfrit, mundohu të kursesh në konsumin e përditshëm dhe do shohësh bereqetin e shumëpritur prej të gjithëve. Israfi, shpërdorimi, është në dorën tonë e s’ka tjetër kush të na ndihmojë për zgjidhjen e tij…

(Revista Drita Islame, Qershor 2012)

 

 Dërgoni pyetjet tuaja në e-mailin: gazmendaga@kmsh.al

You must be logged in to post a comment Login