Ceremonia e Hatmes Sherife mbush xhaminë e Parrucës

ceremonia-hatmes-2015-8_smallNë një atmosferë të mrekullueshme besimi, ditën e hënë, më 13 korrik 2015, pas namazit të ikindisë, në xhaminë e Parrucës, u zhvillua ceremonia e Hatmes Sherife.

Nga dita e parë e agjërimit e deri më sot, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës dhe me praninë e disa imamëve, u lexua plotësisht Kur’anin Famëlartë, duke realizuar në këtë mënyrë një mirësi të madhe, që ka vlerat e veta, sidomos në këtë Muaj.

Pas faljes së namazit të ikindisë, fjalën e rastit e mbajti teologu Arben Halluni, i cili uroi të pranishmit e shumtë me rastin e Natës së Kadrit. Ai tha se kjo natë finalizon mirësitë e panumërta të këtij Muaj, si një bekim nga Zoti për besimtarët.

Më pas, Imam Muhamed Sytari, në fjalën e mbajtur me rastin e këtij tubimi, theksoi se Kur’ani është një mirësi hyjnore, një garanci për ymetin islam dhe një thirrje e pashtershme për mbarë njerëzimin. Ai u lut që Zoti, me mëshirën e Tij, ta bëjë Kur’anin pikëreferimi për muslimanët e mbarë botës, drejt ripërtëritjes dhe rikthimit te dinjiteti dhe krenaria legjitime e munguar prej rreth një shekulli.

Një ligjëratë me vlera shkencore mbi dobitë e Natës së Kadrit dhe shfrytëzimin e saj, e mbajti teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.

Në ligjëratën e tij, hodhi dritë mbi komentet e shumta dhe të larmishme të sures “El-Kadr”, si dhe sqaroi rëndësinë që ka shfrytëzimi i kësaj Nate me lutje e dhikër, me qëllim përfitimin e mëshirës dhe faljes hyjnore.

Më pas, imamët e nderuar, vijuan plotësimin e Hatmes Sherife, me leximin e 20 sureve të fundit dhe duanë e gjatë në gjuhën shqipe, nga Myftiu i Shkodrës.

Në fund të ceremonisë së Hatmes Sherife, u shpërndanë me qindra kopje të përkthimit të kuptimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe, mundësuar nga Shoqata Humanitare Kulturore Shqiptare në Vjenë (Austri) – “Xhamia Imam El-Buhari”, në bashkëpunim me Myftininë Shkodër.

ceremonia-hatmes-2015 ceremonia-hatmes-2015-2 ceremonia-hatmes-2015-5  ceremonia-hatmes-2015-13_small ceremonia-hatmes-20157_small

You must be logged in to post a comment Login