Bruksel, seminar mbi kontributin e komuniteteve fetare në shoqëri

Në Bruksel u mbajt seminari me titull “Kontributi i komuniteteve fetare në punë sociale”, organizuar nga Komisioni Evropian, pjesë e programit “People to People”. Qëllimi i këtij seminari ishte që të kontribuojë në njohjen më mirë të politikave dhe projekteve sociale të BE-së.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare të Ballkanit Perëndimor, personalitete të fushës akademike, ekspertë të shoqërisë civile etj. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime dhe sollën përvoja interesante nga kulturat dhe traditat e vendeve nga ata vijnë. Në fjalët e tyre u vlerësua kontributi i institucioneve fetare në projekte me dobi sociale dhe në orientimin e duhur të anëtarëve të shoqërisë ku ata veprojnë.

Komuniteti Mysliman u përfaqësua nga nënkryetari Gazmend Aga. Në lidhje me pjesëmarrjen e tij në këtë organizim z. Aga u shpreh: “Në kohën kur familja e madhe njerëzore po përballet me sfida të shumta, veprimtari të tilla shërbejnë për të treguar se institucionet fetare prodhojnë energji shumë të madhe në shërbim të shoqërisë dhe angazhimin e anëtarëve të saj në përpjekje serioze në emër të dobisë së përgjithshme”.

Gjatë fjalës së tij në këtë forum, z. Aga ka sjellë në vëmendje shembullin e mrekullueshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, të cilën e ka cilësuar si vlerën më të madhe të popullit shqiptar.

Nënkryetari Aga pati takime me personalitete fetare dhe civile të pranishëm në Bruksel. Ai zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesin e Komisionit Evropian në Shqipëri, z. Konstantinos Niafas. Gjatë bisedës, nënkryetari Aga theksoi se bashkekzistenca në paqe e shoqërisë shqiptare, e cila ruhet dhe kultivohet pikërisht nga njerëzit e fesë, përbën jo vetëm një rast unik, por shërben si vlerë integruese e shqiptarëve në familjen e madhe evropiane.

Seminari i zhvilloi punimet e tij nga 19 deri me 23 shtator 2011.

You must be logged in to post a comment Login