“Brain Gain” po rikthen trurin në atdhe

Programi “Brain Gain”, i cili po identifikon dhe nxit kthimin e akademikëve dhe intelektualëve të suksesshëm pranë institucioneve publike të arsimit të lartë dhe shkencës, sektorit privat e më pas mbështetjen e tyre në procesin e integrimit apo riintegrimit në Shqipëri, po jep rezultatet e pritshme.

Rrjedhja ose largimi i trurit (Brain Drain), një nga fenomenet që ka prekur shumë vende të botës në periudha ndryshme, u shfaq në Shqipëri menjëherë pas rënies së regjimit komunist. Në kërkim të një jete më të mirë, në harkun kohor të dy dekadave të fundit, mjaft intelektualë, akademikë, me tituj shkencorë u larguan nga Shqipëria.

Pasojat negative të këtij fenomeni reflektojnë në procesin e zhvillimit të vendit për një të ardhme më të mirë të vendit.

Por që nga viti 2006, një program i përbashkët mes qeverisë dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD), po bën të mundur aplikimin e projekteve për kthimin e trurit në atdhe. Bëhet fjalë për programin “Brain Gain”, i cili synon angazhimin e diasporës së mirëkualifiuar shqiptare në zhvillimin e vendit.

“Ndalimi i rrjedhjes së trurit dhe krijimi i kushteve që lejon kthimin cilësor është dhe arritja më e madhe e këtij programi. Individet e mbështetur nga ky program kanë ndikuar cilësisht në fushat ku ata punojnë”, i tha ATSH-së, drejtuesi i programit “Brain Gain”, Bernard Zeneli.

Sipas tij, janë 140 intelektualë dhe akademikë (39 prej tyre vajza dhe gra), që janë rikthyer në Shqipëri, vend që në vitet 90 përjetoi largimin më të madh të stafit akademik në nivele deri 50% e personave me doktoraturë.

Zeneli vlerësoi se “tani po përjeton një kthim cilësor të personave me doktoratura pranë institucioneve të arsimit të lartë. 61 është numri i personave që mbështeten me doktoratura”.

“Brain Gain” mundëson lehtësira specifike për personat që vijnë nga jashtë sepse ligjet që rregullojnë punësimin në Shqipëri nuk e lejojnë një gjë të tillë. Në bashkëpunim me departamentin e administratës publike janë krijuar disa lehtësira për pranimin e dokumentacionit për kandidaturat që vijnë nga jashtë si edhe në procesin e konkurrimit.

Programi promovon personat e kthyer nga jashtë që punësohen në administratë ose ne institucione të arsimit të lartë. Në administratën qendrore ky program ka mbështetur 20 individë.

Programi fokusohet edhe në arsimin e lartë dhe ka mbështetur 81 individë të punësuar në institucionet publike të arsimit dhe 31 të tjerë të punësuar në institucionet private të arsimit të lartë.

Paketat ri-integruese, me të cilat programi Brain Gain mbështet individët që kthehen, kanë kushtuar rreth 1 milion dollarë. Gjate këtij viti qeveria pritet të shtojë fondin.

“Nëse në periudhën 1990 -2000 Shqipëria përjetoi largim masiv akademik, që nga viti 2008, si rezultat edhe i politikave Brain Gain ka një kthim cilësor të akademikëve drejt katedrave akademike në institucione private dhe publike të arsimit”, deklaroi Zeneli.

You must be logged in to post a comment Login