Boston, studentet jomyslimane, një ditë me hixhab në respekt të Islamit

fushata nje dite me shami (3)Studentet jomyslimane të Universitetit të Bostonit (SHBA) kanë kaluar një ditë duke bartur hixhabin, si pjesë e projektit të universitetit “muaji mars, rritja e ndërgjegjësimit për Islamin”, me të cilin është synuar korrigjimi i keqkuptimeve që kanë të bëjnë me Islamin dhe hixhabin.

Studentët e Universitetit të Bostonit shpeshherë i mbulojnë kokat e tyre me gjëra të tilla si kapele bejsbolli, shalle, mbulesa fetare, por ekziston diçka që  krijon paragjykime dhe reaksion, e kjo është hixhabi. Nëdisa vende vendosja e hixhabit në shkolla publike, universitete dhe institucione qeveritare është e ndaluar. Sakina Hassanali, kryetare e unionit islam në Universitetin e Bostonit thotë se hixhabi i saj tërheq vëmendjen. “Kjo kryesisht lidhet me paragjykimet. Për shembull, njerëzit mendojnë se unë flas arabisht”, thotë ajo. Në të vërtetë, Hassanali është nga Tanzania ku fliten vetëm anglishtja dhe suahilishtja.

Hassanali thotë se studentet që iu bashkuan kësaj sfide janë përballur me komente fyese dhe përbuzëse, megjithatë kjo nuk i ka penguar për t’i shkuar deri në fund kësaj eksperience intriguese.

Unë pashë ftesën në sajtin e Unionit George Sherman, dhe thashë me vete, nëse do ta bëj, do të jetë një përvojë interesante”, thotë Dian Qu, studente e Fakultetit të Arteve.

“U kërkova kolegeve myslimane të më tregojnë për mënyrën se si vishet hixhabi, por më vonë harrova, kështu që e vura atë në mënyrën time”, thotë studentja me origjinë nga Kina.

Qu tregon se të jesh e mbuluar është e vështirë, ngaqë të duhet të përballesh me çdo gjë. Ajo rrëfen se gjatë kohës që ishte e mbuluar, i dashuri i saj i kërkoi që ta hiqte shaminë kur të dilte me të, por ajo nuk pranoi.

“E kundërshtova, ngaqë isha shumë e bindur për atë që po bëja”, thotë ajo.

fushata nje dite me shami (2)Sonia Perez Arias është një tjetër studente që i është bashkuar kësaj fushate sensibiluese.

“Tërë ditën kam qenë e veshur me hixhab. Komentet e njerëzve kanë qenë të ndryshme, madje disa më kanë përqeshur, por kishte edhe prej atyre që më përshëndesnin në kohën që shëtisja në Commonwealth Avenue. Unë i pëlqej sfidat. Myslimanët më përshëndesnin në arabisht, por unë nuk dija si t’ju përgjigjem”, thotë Arias.

Ndërsa Hindusja Kaul iu bashkua projektit e shtyrë nga kurioziteti dhe interesi i saj për kulturën islame.

“Në momentin kur hyra në klasë u përballa me shikimet e studentëve, të cilët më shihnin me habi. Presioni ishte tepër i fortë, megjithatë çdo gjë kaloi për mrekulli. Përmes kësaj eksperience kuptova se shumë nga njerëzit të gjykojnë për paraqitjen dhe jo për atë që ti je në vetvete.”

“Befasia ishte kur gjatë rrugës era ma hoqi hixhabin, dhe një kalimtar ktheu kokën, duke mos më shikuar nga turpi. Ndoshta ka menduar për mua se ishte për herë të parë zbulohesha në publik”, tregon e emocinuar Kaul.

Përvojë pozitive

Mbështetja e jomyslimanëve në “Ditën e hixhabit” ka bërë jehonë të madhe në media dhe është mirëpritur jo vetëm nga autoritetet zyrtare dhe arsimore, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, të cilët e kanë cilësuar një përpjekje serioze për korrigjimin e keqkuptimeve rreth Islamit dhe hixhabit.

“Unë dua t’i përgëzoj studentet tona të cilat kanë pranuar sfidën e “Ditës së hixhabit”, duke vendosur të përjetojnë shpërblimin subjektiv për shkak të zgjedhjes personale dhe të rrezikojnë të bëhen objekt përqeshës i personave me paragjykime”, thotë Shehla Hari, profesoreshë e antropologjisë në Fakultetin e Arteve dhe Shkencës.

“Dita e hixhabit” nuk është ngjarja e vetme e organizuar me rastin e muajit të universitetit. Unioni islam i universitetit organizoi një seri aktivitetesh, duke përfshirë “Petalet e Profetit s.a.v.s.”, shpërndarjen e luleve në sheshin Marsh, si dhe faljen e namazit të akshamit në shesh. Një veprimtari tjetër ishte edhe diskutimi i hapur me temë “Çka është Islami” në qendrën Howard Thruman.

“Përgjigja ka qenë e masive”, thotë Hassanali, duke iu referuar ngjarjes “Petalet e Profetit s.a.v.s”. “Edhe pse ne ishim ato që dhuronim lule, një djalë na është afruar dhe na dhuroi neve lule. Ky veprim na preku dhe na emocionoi shumë”.

Edhe pse nuk ekzitojnë statistika zyrtare, në SHBA vlerësohet se jetojnë afërsisht 8 milion myslimanë.

IGJ-Drita Islame

 

You must be logged in to post a comment Login