Boshllëku

zemra

Adoleshenti vuri re se u përplas me diçka të butë, teksa po ecte në errësirë. Në çast, u përkul të shikonte.

O Zot! Ç’të shihte! Në mes të këmbëve, kishte një zemër që ishte nxjerrë me mjeshtëri nga zgavra e saj. Ishte tamam si në fotografi, e gjallë dhe me gjak. Kur e mori në duar, i shastisur, sa s’u çmend nga tmerri.

Zemra rrihte dhe ishte e nxehtë.

Adoleshenti deshi të shpëtonte sa më parë nga ajo zemër, e cila iu ngjit në duar si të merrte situatën e një organi tjetër, por ai u pengua nga ca ndjenja që nuk po i kuptonte. Pas pak u qetësua dhe për të gjetur të zotin e kësaj zemre, trokiti në portën e shtëpisë më të afërt.

– A është e juaja kjo zemër? – pyeti vajzën e re që shikonte pas zinxhirit të derës. – E gjeta pak më parë në rrugë.

– Unë zemrën time ia dhashë një mosmirënjohësi që e njoha para tre muajsh, – u përgjigj vajza me një shprehje pafajësie. – Pyesni në shtëpinë pranë, mund të jetë e tyre.

Shtëpia që tregoi vajza ishte një vilë marramendëse. Shërbëtori që hapi derën, e mori djaloshin dhe e shoqëroi tek i zoti i shtëpisë në katin e sipërm.

– A është e juaja kjo zemër? – e pyeti djaloshi. – Ende rreh, prandaj…

Zotëria thithi një gllënjkë nga gota e kristaltë dhe me sytë që i ndrinin nga të pirët, tha duke u ngërdheshur:

– Unë zemrën time ia shita kësaj bote. Në shtëpinë bri jeton një mendjendritur, ai e di të zotin.

Adoleshenti vrapoi menjëherë për te kasollja aty pranë me zemrën në duar, e cila nisi të ftohej dhe të ngadalësonte të rrahurat.

– A është e juaja kjo zemër? – e pyeti. – Por shpejt ama, pothuaj po pushon së rrahuri.

I moshuari mbylli ngadalë Kur’anin që po lexonte.

– Unë zemrën time ia dhashë Allahut, së bashku me çdo gjë tjetër që kisha, – tha ai duke buzëqeshur. – Pronarin e asaj që ke në duar, pse nuk ua pyet nënës dhe babait tënd?!

– Që të dy janë plakur dhe lodhur, – tha duke shfryer djaloshi. – Ngaqë kërkojnë mbikëqyrje si një fëmijë, bëra shamatë me ta para tri ditësh dhe i braktisa.

– I braktise, ë? – tha burri plak i mërzitur. – Domethënë i braktise…

Adoleshenti dukej krejt i qetë nga kjo bisedë. Porse i moshuari e kishte marrë prej kohësh përgjigjen. Eci me hapa të sigurt drejt adoleshentit dhe e kapi me të dy duart nga këmisha, duke e shqyer atë në çast.

Në gjoksin e adoleshentit kishte një boshllëk të gjakosur në madhësinë e zemrës që mbante në dorë.

 

You must be logged in to post a comment Login