Bir i thjeshtësisë

Realiteti jetësor me anët e tij të dukshme apo përkohësisht të padukshme, është dëshmitari më kokëfortë, që nuk korruptohet apo komprometohet, shantazhohet, presionohet për ta braktisur, deformuar apo ndryshuar dëshminë mbi jetën e njeriut.

Faktet janë kokëfortë, duam apo nuk duam ne. Na pëlqen apo nuk na pëlqen, jeta lëviz me mënyrat e veta. Edhe pse shpesh nuk e kuptojmë se ku do të dalë jeta me këto mënyra, sërish duhet ta dëgjojmë këtë zë. Ka prej tyre që edhe nuk e dëgjojnë. Nuk e dëgjojnë, sepse kujtojnë se mund ta zotërojnë jetën dhe t’i japin asaj format që duan. Pavarësisht rravgimeve të kësaj natyre, jeta mbetet jetë, e palidhur nga litarët njerëzorë. Prandaj ajo çan përpara drejt limaneve të reja dhe secilin udhëtar e ankoron në limanin që vetë udhëtari kujton se e ka detyruar jetën ta ankorojë aty. Gjithsesi jeta nuk shqetësohet prej atyre që kujtojnë se e zotërojnë atë. Ata që kujtojnë se e zotërojnë, shqetësohen vazhdimisht për të. Ky shqetësim buron nga fakti se duan që të kenë jetë më cilësore. Se çfarë kuptojnë me cilësi kjo është çështje e tyre, megjithatë, shqetësimi më pak i futur në objektivin e prioriteteve mbetet cilësia e të qenët më njerëzor.

Të qenët njeri është një fakt që nuk mund të hidhet poshtë. Nuk ka teori apo teorizime që ta zhbëjnë këtë fakt. Por sfida nuk është thjesht kjo. Ata që duan të vendosin në dyshim faktin nëse janë njerëz apo jo, kanë rrugë të gjatë deri te siguria mbi këtë çështje. Po siguria, e cila ka rrugë edhe më të gjatë, është se a do të mundemi të jemi njerëz me qenien njerëzore brenda njeriut dhe jashtë tij?

Kjo është sfida më e rëndë që qëndron përballë nesh, gjithmonë e pathyeshme, pavarësisht dallgëve apo limaneve ku jeta na çon. Njeriu nxjerr në shesh atë që mban brenda vetes. Nuk e duron dot peshën e asaj që mban dhe e hedh atë jashtë vetes, duke manifestuar virtytet ose veset që mbart së brendshmi. Kjo ka për të ndodhur herët a vonë. Pa u larguar përfundimisht prej këtu do të manifestohet gjithçka që endet brenda njeriut. Pikërisht këtë harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë shumë syresh. Duke harruar, ose duke bërë sikur harrojnë, ata nuk e kanë për gjë që të transformohen siç ua kërkon situata apo momenti. Po kështu nuk e kanë për gjë të vetëngrihen në pozita superiore në raport me të tjerët. Të shfaqen superiorë e konsiderojnë mision të jetës së tyre. Kjo u shkakton një pështjellim të madh brenda qenies. Shpesh kalojnë edhe në dëlir. Nëse dëlirojnë sepse kanë para, pushtet apo janë të lidhur me fije që shkojnë drejt tyre, superioriteti bëhet i pashmangshëm, madje dhe i rrezikshëm. Të dëlirurit nga superioriteti nuk e kanë për të madhe të shfaqin gjithë arrogancën dhe ëmbëlsinë e tyre të sheqerosur me fyerje, ngërdheshje, shpërfillje dhe nënçmim.

Kjo shfaqje e tillë iu adresohet pikërisht atyre që, me thjeshtësinë e tyre krejt natyrore, shpërfillin sjelljet e një aristokracie false, krejt të jashtme dhe krejt bosh nga brenda. Kjo kategori syresh nuk është se nuk di të performojë sjellje të tipit aristokratik, por nuk ka dëshirë të shkatërrojë atë që është virtyt antidot për superioritetin delirant. Thjeshtësia është një virtyt që përbën një themel të rëndësishëm për të qenët njeri. Pa thjeshtësinë delirimi në superioritet të paqenë bëhet evident dhe i pakundërshtueshëm. Fuqia e këtij dëliri kërkon ta mposhtë medoemos thjeshtësinë, sepse ajo është barriera që e ndalon për të shkrirë përuljen njerëzore ndaj asaj që është përtejnjerëzore. Është hendeku që frenon njeriun të bjerë në prehrin e nanurisjeve delirante që ngrihen mbi themele gjërash të zhdukshme. Prandaj thjeshtësia është kaq e rëndësishme për të qenë ai që duhet të jesh. Thjeshtësia është shenjë e një zemre të mirë, është shenjë e një zemre që rreh për të mbajtur gjallë njerëzoren. Prandaj të luftosh për thjeshtësinë, është kusht i patjetërsueshëm për të mbetur njeri në një kohë kur mjedisi rrethues është tepër i kontaminuar me dëlire superioritetesh të paqena.

Nuk ka shumë rëndësi se ç’thonë e sajojnë mbi pavlefshmërinë e thjeshtësisë, mbi të qëndruarit larg atyre që jetojnë thjesht dhe me thjeshtësinë si veshje të zemrës së tyre. Çfarëdo që të thuhet, nuk duhet harruar se thuhet nga ata që kanë frikë prej thjeshtësisë, sepse rubinët, smeraldet, diamantet dhe xhevahiret e kurorave të kokave delirante bëhen shtrojë për këmbët e atyre që zemrat u janë dashuruar me thjeshtësinë.

Kësisoj, kush dashuron njeriun brenda qenies së tij, nuk duhet të ngurrojë aspak të jetë një bir i thjeshtësisë. Thjeshtësia të jetë shtrojë dhe mbulojë e qenies së tij natë e ditë. Të jetë shtrojë dhe mbulojë në ditë të vështira apo në ditë të begata, në ditë të nxehta apo në ditë të akullta, në net të errëta apo në net me hënë. Edhe pse delirantët e superioriteteve të paqena do t’i zgjasin gjuhët e tyre me përlyerje false drejt të thjeshtëve, dekurajimi nuk duhet të lëshojë spirancën në oqeanin që gjendet brenda nesh.

Oqeani brenda nesh ka vend për të gjithë virtytet. Le të zgjedhim thjeshtësinë si varkën që duhet të lundrojë pash më pash në këtë oqean dhe të shpërndajë në çdo ishull të tij aromat më të mira të virtyteve.

Nuredin Nazarko

/Revista ‘Drita islame’, shtator 2017/

You must be logged in to post a comment Login