Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

“Bajrami është festa e cila bashkon të gjithë myslimanët pa dallim shtrese, ngjyre, pasurie etj. Që të gjithë e ndiejnë veten të barabartë, të gjithë të gëzuar, të gjithë pjesëmarrës në këtë festë madhështore. Kjo sigurisht të jep një sinjal të fortë se umeti islam është si një trup, të gjithë gëzohen, të gjithë hidhërohen, të mirën dhe të ligën e kanë bashkë, janë pra umet unik”.

kurban bajrami (4)
Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë ishin pjesë e festimeve dhe faljes së namazit të Bajramit.

Ceremonia ka filluar me fjalën më të bukur, me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami Gazmend Teqja. Gjatë ceremonisë drejtori i Thirrjes në Islam pranë KMSH-së, z. Elvis Naçi, dha sqarime dhe informacione mbi historikun dhe filozofinë e Kurban Bajramit. Më pas kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor. Është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes ndaj begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia dhuron njerëzimit, me dëshirën dhe vullnetin e Tij që ne të jemi mëkëmbësit e Tij në sipërfaqen e tokës. Le t’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne i Madhërishmi dhe le të bëhemi sot në këtë ditë, pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e saj”, u shpreh z. Bruçaj në fjalën e tij përshëndetëse.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga Kryetari Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

“Kurbani është një trashëgimi e traditës së Ibrahimit a.s. I madhi Zot sot ka dashur që atmosfera hyjnore të zbresë në tokë, në zemrën dhe shpirtin e çdo besimtari dhe besimtareje. Ne të gjithë së bashku, myslimanë të këtij vendi do të bëhemi dëshmitarë të plotësimit të aureolës së besimit”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e therjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman” etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.

4 Tetor 2014

/Drita Islame/

kurban bajrami (5)

   kurban bajrami (3)   kurban bajrami (8)kurban bajrami (6) kurban bajrami (1)kurban bajrami (7) kurban bajrami (2)

You must be logged in to post a comment Login