Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin

Mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe qindra mijëra të tjerë në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut, i falur nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu.

Programi i Bajramit ka vijuar me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, në fjalën e tij përshëndetëse, uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës.

“Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë. Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e kujtimit të njëri-tjetrit, është dita për të gëzuar fëmijët me dhurata e përkëdhelje, është dita për të respektuar të moshuarit me mirënjohje e dashuri, është dita për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre njerëzve që presin interesimin dhe vëmendjen tonë”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Gazmend Aga, u ndal në vlerat sociale të muajit të Ramazanit, si muaj i sakrificës, i bamirësisë, i solidaritetit me ata persona dhe familje në gjendje të vështirë dhe u bëri thirrje besimtarëve për të ndihmuar sa më shumë nevojtarët.

“I bëj thirrje të gjithë të pasurve ta ndajnë bukën me fqinjin dhe të varfrin, se do ta gëzojnë e s’do varfërohen kurrë. Besimtarët duhet të jenë aktivë në shoqëri duke kontribuar, duke ndihmuar që nga çështjet e përbashkëta të ambientit e deri te çështjet sociale, sepse aty ku ka myslimanë, aty duhet të ketë solidarizim, përkrahje dhe përpjekje”, nënvizoi nënkryetari Aga.

Falja e Namazit të Fitër Bajramit u drejtua kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, ndërsa hytbeja e Fitër Bajramit u mbajt nga Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra, i cili u lut për më shumë paqe dhe harmoni mes njerëzve, harmoni të cilën e reflekton edhe kjo ditë feste.

25 qershor 2017

You must be logged in to post a comment Login