Besimi është një ndjenjë e krijuar në natyrën e njeriut

lexim kurani

“Kur njeriu nuk njeh veten për shkak se nuk e di, ai është në shkallën e fundit të padijes.”[1]

Njeriu është fetar nga vetë natyra e tij, për faktin se në ndërgjegjen e tij ekziston ndjenja e besimit te Zoti. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Çdo njeri lind me natyrë të pastër islame, pastaj prindërit mund t’ia ndërrojnë fenë, në një tjetër”. Kuptohet se feja e përfshin njeriun plotësisht, duke filluar nga mendja e tij, ndërgjegjja dhe vullneti, duke u bërë shoku më i ngushtë në të gjitha mjediset e punës. Si i tillë ai duhet të krijojë një baraspeshë në mes të natyrës shpirtërore dhe asaj materiale, me qëllim që asnjëra të mos e dhurojë tjetrën në aktivitetin jetësor. Megjithatë, Zoti i dhuroi mendjen dhe vullnetin e lirë, për të zgjedhur rrugën që i pëlqen, të caktojë vetë rregullat që dëshiron të ndjekë, sepse mbi bazën e logjikës ai do të përgjigjet për veprat e tij.

Njeriu që zgjedh rrugën e mohimit, të mosbindjes përdor të gjitha mjetet e format për të justifikuar veten, por harron se del kundër natyrës së tij. Nuk pyet se kush e krijoi dhe e solli në jetë. Cila është fuqia dhe autoriteti i tij? Kush ia dhuroi mendjen? A është ajo prodhim i trurit? Përgjigja për gjithë këto pyetje gjendet pa diskutim te Krijuesi superinteligjent që njihet me emrin “Allah” ose “Zot”, i cili është pronar i vetë njeriut dhe i gjithçkaje që ekziston në univers.

Si ka mundësi që mohuesi të dhunojë natyrën e tij? Për këtë çdo njeri, në veçanti dijetari, duhet të ulë egon e tij e të njohë Krijuesin dhe ligjet e tij mbi të gjitha krijesat. Një ditë secili do të shijojë vdekjen dhe i vetmi shok i përjetshëm për të do të mbetet feja. Ajo ka si veçori themelore që të mos harrojë për asnjë moment natyrën e njeriut dhe kufirin e mundësive të tij për të arritur pikën më të lartë të përsosmërisë së tij shpirtërore dhe trupore. Në Kur’an thuhet: “Ata të cilët u përpoqën për të ndjekur rrugën tonë, për hirin tonë, Ne me siguri do t’i udhëheqim ata”[2]. Prandaj në natyrën e njeriut nuk kemi vetëm fe, por ajo përfshin një koncept më të gjerë. Feja është edhe moral, filozofi, rrugë, një mënyrë e përsosur për të ndërtuar jetën. Në një citim tjetër kuranor thuhet: “Pasha njeriun dhe atë që e krijoi atë dhe ia mësoi se cilat janë të mirat dhe të këqijat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi veten dhe ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”[3]. Në këtë mënyrë Zoti i madhërishëm, duke i shoqëruar njeriut gjithmonë fenë islame, ka dashur që të realizohet ky sistem, me përpjekjet e vetë njeriut për të ndërtuar jetën e tij individuale, familjare e shoqërore. Vetëm në emër të Zotit mund të përmirësohet jeta dhe të arrihet ajo që njeriu synon në jetë. Por pa dituri e kulturë, pa moral nuk mundet që personaliteti i njeriut të bëhet i dashur, i gëzuar dhe respektuar. Shoqërimi i Islamit gjatë jetës e pengon njeriun të përfshihet në vese negative. Besimtari i vërtetë ka garanci fenë islame për të gjitha udhëzimet e porositë që i jepen në jetë. Ai i zbaton ato se është i bindur në ndërgjegjen e tij se ka një Zot, që i ka urdhëruar ato dhe i solli nëpërmjet të dërguarit të tij, Profetit Muhamed a.s. për të ndërtuar sistemin e jetës së njeriut.

Natyra e njeriut duhet të krijojë një baraspeshë në normat morale në shoqëri duke mos nëpërkëmbur ligjet e fesë. Pra ndodh që njerëz të veçantë që e quajmë veten bashkëkohor të shekullit modern mënjanojnë besimin ndaj Zotit, ose e mohojnë atë. Në kuadër të civilizimit, ata bien pre e alkoolit, drogës, prostitucionit, seksit të shfrenuar dhe aventura të tjera të shëmtuara. Ata harrojnë se krijojnë një boshllëk në mes të shpirtit dhe trupit. Kënaqësitë materiale do ta çojnë atë drejt sëmundjeve të rrezikshme vdekjeprurëse. Nuk mjafton forca ligjore shtetërore për të larguar njerëzit nga aktet e dhunshme e të turpshme. Besimi te Zoti i rrënjosur thellë në zemrat e tyre, mbështetet në drejtësinë absolute, të cilës nuk mund t’i fshihen për asnjë moment e si të tillë ata nuk bien nën sundimin e epsheve e pasioneve, por zbatojnë me korrektësi çdo ligj. Në Kur’an thuhet: “Nuk ka dyshim se tek Allahu më i ndershëm është ai që është më i ruajtur nga të këqijat”[4].

Feja islame vë theks të veçantë në dinjitetin njerëzor, i cili buron nga vetë veçoria e tij njerëzore. Ashtu siç thotë Zoti në Kur’an: “Në të vërtetë ne i kemi nderuar pasardhësit e Ademit…”[5]. Kjo do të thotë se njeriu posedon dinjitet nga vetë natyra e tij, dhe se ai dinjitet është burimor dhe i pavarur nga raca, vendi, kombi, fisi apo familja. Ai bazohet në faktin se njeriu është qenie njerëzore, në faktin e përkatësisë së këtij lloji, të cilat vetë Zoti ia dhuroi. Kriteri i vlerës së vërtetë te çdo njeri është jeta e tij personale dhe raportet me shoqërinë, të cilat feja islame i trajton si nevojë e domosdoshme në jetën e secilit. Mirëpo në shekullin e sotëm, të dehur nga përparimet që ka bërë shkenca e teknologjia në të gjitha fushat, njeriu sa vjen e bëhet më egoist e indiferent ndaj fesë. Ai harron për një çast se mendja dhe arsyeja nuk erdhën rastësisht, por Zoti ia dhuroi ato dhe e veçoi nga bota shtazore. Prandaj ringjallja e vetëdijes së besimit te Zoti është domosdoshmëri, është motivi i jetës, mbi atë çka jetohet dhe për çka duhet të jetohet. Në Kur’an thuhet: “Obligimi ynë është të ndihmojmë besimtarët”[6]. Kjo do të thotë që njeriu në vetvete është besimtar nga vetë natyra e tij për këtë arsye duhet nxitur e kujtuar që të mos e harrojë e braktisë atë, duke menduar se ka arritur suksese në shkencë e teknologji. Filozofi grek, Plutarku (shek. i parë i erës së re) ka thënë: “Njeriu mund të shëtisë tokën dhe të gjejë në të qytete pa mure, pa libra, pa të holla, por nuk mund të gjejë qytete e vende pa tempuj e lutje”. Një kozmonaut sovjetik është shprehur: “Kur u nisa me anije kozmike në drejtim të qiellit, iu luta pa ndërprerje Zotit që ta kryeja udhëtimin me sukses”.

Nga sa u tha vërtetohet se feja është prirje e lindur dhe nevojë e domosdoshme në jetën e njeriut për të krijuar kushte të përshtatshme për edukimin e mëtejshëm me këto ndjenja. Për të larguar pengesat që cenojnë pastërtinë e ndjenjave të besimit të njeriut duhet patjetër të ndiqet shpallja hyjnore, Kur’ani famëlartë, që rregullon jetën e njeriut në mënyrë të përsosur, në pëlqim me ligjet e Zotit dhe kënaqësinë e tij si qëllim të parë e të fundit.



[1] H. Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit, sure Bekare, ajeti 13, fq. 47.

[2] Kuran, sure Ankebut, ajeti 69.

[3] Kuran, sure Shems, ajeti 9-10.

[4] Kuran, sure Huxhuratë, ajeti 13.

[5] Kuran, sure Isra, ajeti 70.

[6] Kuran, sure Rrum, ajeti 47.

 

Nga: Xhemal Balla /Revista Drita Islame, Dhjetor 2012/

 

You must be logged in to post a comment Login