Bëj mirë…

14424734_1269352173075081_8105899565167935139_o

Tregohet se një njeri i mirë vendosi që të japë një sadaka (lëmoshë) për hatër të Zotit. Me qëllim që këtë akt të mirë ta bëjë vetëm për hatër të Zotit, vendosi që shumën që kishte ndërmend t’ia japë dikujt natën, që të mos e shohë askush tjetër. Për fat, ai ia dha këtë shumë një hajduti.

Të nesërmen, njerëzit filluan të flasin: “Mbrëmë i është dhënë një shumë e majme një hajduti…”

Njeriun e mirë e kaploi frika se mos kjo vepër e mirë nuk do i pranohej nga ana e Zotit, prandaj dhe vendosi që atë natë të ndihmojë dikë tjetër. Doli natën dhe i dhuroi diçka personit të parë që i doli përpara. Personit që ia dha shumën, rastisi të ishte një tregtar shumë i madh dhe i pasur.

Të nesërmen, fjala kishte marrë dhénë dhe njerëzit filluan të flasin: “E morët vesh? Shkon paraja te paraja!

Dikush i ka dhënë kaq e aq para filan tregtari. E ç’i duhet atij sadakaja?”

Njeriu i mirë u mërzit dhe u frikësua se nuk do i pranohej lëmosha e dhënë. Për herë të tretë vendosi të dalë sërish natën dhe t’i japë të njëjtën shumë dikujt tjetër, ndonjë hallexhiu. Meqë e bënte vetëm për hatër dhe kënaqësinë e Zotit, doli sërish natën. Personit të parë që i doli përpara, i la shumën në dorë dhe u largua. Ajo rastisi një grua e ligë, e cila shiste nderin e saj me para.

Të nesërmen, lajmi ishte përhapur sërish dhe njerëzit filluan të flasin: “Zot na ruaj, çfarë ditësh kanë ardhur! E morët vesh… Sadakaja mbrëmë i është dhënë një gruaje imorale…”

Njeriu i mirë u mërzit dhe u dëshpërua, pasi frikësohej se kontributi i tij nuk do të pranohej nga Zoti, pasi kishte rënë në duart e njerëzve jo të “përshtatshëm”.

Por, një ditë më pas, ai dëgjoi diçka të gëzueshme, gjë që e bëri të kuptojë se e mira që kishte bërë, kishte zënë vend dhe i ishte pranuar nga Zoti.

Ai dëgjoi se hajduti, me të marrë shumën prej tij, kishte reflektuar dhe kishte thënë: “O Zot i madh! Unë kam kushedi sa vite që vjedh, plaçkis dhe frikësoj miletin, kurse Ti vazhdon të më dërgosh njerëz të mirë që më ndihmojnë. O Zot, ji dëshmitar se unë do të pendohem dhe do të heq dorë nga vjedhja.”

Tregtarit që i ra në dorë shuma e natës së dytë, kishte qenë njeri koprrac dhe dorështrënguar. Asnjëherë nuk kishte nxjerrë diçka nga pasuria e tij e t’ua japë nevojtarëve. Atë natë, kur kishte vërejtur shumën që dikush i la në dorë, reflektoi dhe tha: “O Zot i madh, sa i dashur e i dhembshur je! Kam kaq shumë pasuri dhe kurrë nuk kam dhënë asnjë kacidhe. Kurse Ti o Zot, më dërgon njerëz të mirë që të më japin. E kuptova mesazhin Tënd. Që nesër edhe unë do të heq dorë nga koprracia dhe do të ndihmoj nevojtarët. Jam penduar, o Zot!”

Gruaja e përdalë, që përfitoi nga lëmosha e njeriut të mirë, me t’i shtënë në dorë të hollat, reflektoi dhe tha: “O Zot i madh! Kam kaq vite që e siguroj jetën time dhe të fëmijëve të mi duke shitur nderin. Megjithatë, Ti o Zot më dashke dhe më dërgoke njerëz të mirë që të më ndihmojnë.

E kuptova mesazhin Tënd o Zot. Jetesa mund të fitohet edhe me rrugë të tjera. Jam penduar o Zot, prandaj më fal dhe më prano!”

Bëje të mirën, pavarësisht personit që do të përfitojë nga ajo. Ku i dihet, ajo dorë që ti i zgjat, mund ta nxjerrë njëherë e mirë nga bataku ku ka rënë.

You must be logged in to post a comment Login