BBC: Ç’po ndodh në Alepo?

Qyteti verior sirian Alepo për katër vjet rresht ka jetuar i bllokuar, por tashmë rrethimi është thyer.

Alepo ka qenë një fushëbetejë kryesore në luftën midis forcave besnike të presidentit Bashar al-Assad dhe kryengritësve që duan ta rrëzojnë atë. Që nga nëntori, forcat qeveritare siriane kanë rimarrë me shpejtësi pothuajse të gjithë territorin në lindje të mbajtur nën kontroll nga forcat opozitare, duke i lënë rebelët në prag të humbjes.

Dhjetëra mijëra civilë janë larguar nga këto zona, por OKB-ja thotë se qindra vetë janë zhdukur që nga kalimi i zonës nën kontrollin e qeverisë dhe se rebelët po pengojnë civilët të largohen.

Ndërkohë, njerëzit në zonat e marra nga trupat ushtarake janë duke vuajtur nga mungesa serioze e ushqimit dhe karburantit.

Pse ka rëndësi Alepo?

Alepo ishte dikur një ndër qytetet më të mëdha të Sirisë, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Ai ka qenë qendra industriale dhe financiare e shtetit.

Qyteti i vjetër është një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s dhe është i famshëm për fortesën e tij të shekullit të 13-të, Xhaminë e Madhe të shekullit të 12-të dhe tregjet e mëdha të mbuluara.

Kur shpërtheu kryengritja kundër presidentit Assad në vitin 2011, Alepo nuk përjetoi protestat e mëdha apo dhunën vdekjeprurëse që tronditi qytezat dhe qytetet e tjera. Por papritmas u bë një fushëbetejë në korrik 2012. Luftëtarët rebelë nisën një ofensivë për të zmbrapsur forcat qeveritare dhe për të fituar kontrollin mbi Sirinë veriore. Por sulmi rebel nuk ishte vendimtar.

Alepo përfundoi i ndarë përgjysmë – opozita kontrollonte lindjen dhe qeveria perëndimin. Gjatë katër viteve të mëpasshme, beteja për Alepon u bë një mikrokozmos i konfliktit të gjerë në Siri. Ajo theksoi dobësinë e të dyja palëve, si dhe dështimin e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët dhe për të arritur një marrëveshje paqeje.

Kush po lufton?

Nga ana e qeverisë, forcat shtetërore janë duke u mbështetur nga sulmet ajrore ruse dhe militarët shiitë, përfshirë luftëtarë nga Irani, Iraku, Afganistani, Libani dhe Pakistani.

Opozita kryesisht sunite përbëhet nga disa grupe rebele, shumica e të cilëve kanë marrë ndihmë financiare nga kundërshtarët kryesorë të presidentit Asad, duke përfshirë SHBA, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Grupet radikale islamike janë gjithashtu të përfshirë.

Si i humbën territoret rebelët gjatë 2016?

4 Janar: Në fillim të vitit, rebelët mbanin Alepon lindore dhe kishin lidhje me kufirin me Turqinë nëpërmjet territorit në veri dhe perëndim. Qeveria e Turqisë është një përkrahës kryesor i rebelimit kundër Asad.

1 Gusht: Në gusht forcat qeveritare rrethuan rebelët, duke marrë kontrollin e Rrugës Castelo në Alepon veriore, me rëndësi strategjike, pasi është e vetmja rrugë që bën lidhjen me lindjen e rrethuar nga rebelët. Rreth 275.000 njerëz papritmas e gjetën veten nën rrethim.

22 Gusht: Rebelët dhe luftëtarët e lidhur me Al-Kaedën në rrethinat jashtë Alepos morën sërish kontrollin e një rruge përmes rajonit Ramousseh në jug të qytetit, duke siguruar lidhjen e tyre me botën e jashtme.

17 Tetor: Forcat qeveritare rimorën zonën në fillim të shtatorit dhe vendosën sërish rrethimin. Në mes të tetorit pati një pauzë të shkurtër të ofensivës për të lejuar civilët dhe rebelët të largohen, por pak vetë përfituan nga kjo ofertë.

28 Nëntor: Forcat qeveritare siriane rimarrin më shumë se një të tretën e territorit të kontrolluar nga rebelët në Alepon lindore. Rebelët humbasin të gjitha lagjet veriore, duke mbetur me më pak se dy të tretat e territorit që kishin në qytet.

6 Dhjetor: Trupat ushtarake avancojnë më tej, duke kontrolluar më shumë rajone në lindje. Fitoret nënkuptojnë që qeveria ka rimarrë më shumë se 70% të sipërfaqes të mbajtur nga rebelët.

12 Dhjetor: Ushtria siriane arrin fitore të tjera, duke marrë nga rebelët disa rajone përfshirë zonën kryesore Sheikh Saëd, duke i lënë ata në një territor të vogël të rrethuar.

13 Dhjetor: Pas bombardimeve intensive nga forcat pro-qeveritare, kryengritësit janë mbledhur në zona gjithnjë e më të vogla të qytetit, duke u tërhequr në vetëm një pjesë të vogël të lagjeve. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara tha më vonë se ndërhyrja ushtarake në Alepon lindore ka përfunduar.

Forcat qeveritare siriane nisin shtypjen e tyre përfundimtare

Dhjetëra mijëra civilë braktisën shtëpitë e tyre pasi forcat qeveritare siriane ndërhynë në zonat veriore të Alepos. Më 13 dhjetor, më shumë se 90% e qytetit kishte rënë nën udhëheqjen e qeverisë. OKB thotë se rreth 100 mijë njerëz janë shtrënguar në zonat e zvogëluara të Alepos lindore.

Në qytet po mbarojnë ushqimi dhe karburanti dhe infrastruktura bazike dhe kujdesi shëndetësor mungojnë – në një moment në nëntor, të gjitha spitalet në Alepon lindore ishin praktikisht jashtë shërbimit, si rezultat i goditjeve ajrore.

OKB thotë se qindra civilë kanë ndërruar jetë, por qeveria dhe Rusia kanë mohuar targetimin e tyre. Raketat dhe mortajat e rebelëve gjithashtu kanë vrarë dhjetëra njerëz në perëndimin e drejtuar nga qeveria.

Çfarë ndodh nëse Alepo e rebelëve bie?

Nëse Alepo nën pushtetin e rebelëve bie, atëherë qeveria siriane do të ketë kontroll të plotë mbi katër qytetet më të mëdha.

Presidenti Asad mund të shpresojë se fitoret e arritura në Alepo do të kthehen në diçka më shumë dhe do të ndihmojnë në mbarimin e luftës civile. Por me forcat rebele, kurdët dhe të ashtuquajturit xhihadistë që kontrollojnë ende pjesë të mëdha të vendit, rruga drejt fundit të luftës duket e gjatë.

Pra, ka mundësi që të kemi një tjetër lloj lufte – me rebelë që nuk kërkojnë të mbrojnë territorin e tyre, por kryengritje të vazhduara.

/BBC/

 

You must be logged in to post a comment Login