Ashensori i kohës!

Hourglass and Shadownga Rejan ISLAMI

Në ato pasdite vere, kur vapa përvëlon dhe në freskinë e krojeve, nuk gjendet ndonjë poet për të të ngushëlluar dhe as ndonjë shkrimtar për të të mbushur të gjithë atë dritare zbrazëtie që çelet në pa kufijtë e kohës. Malli për heronjtë zvetënohet, ndërsa kujtimi për miqtë që dikur i ule në stolat e zemrës, ka mbetur si një histori naive dhe e trishtë njëkohësisht! Amanetet janë shënuar si për zakon në ato lule të pakta që kanë çelur në lëndinën e jetës. Sërish i njëjti tren, i njëjti stacion që të çon dhe të sjell po aty! Shumë kohë kanë kaluar që prej atëherë, saqë pëllumbat shtegtarë të bardhë nuk janë parë të kalojnë më në atë anë, ndërsa posta me letrën e kujtimit, ka harruar përgjithmonë të vijë. Po ashtu, edhe ato prag mbrëmje nën hijen e pemëve të sapoçelura, mbetën veçse një ëndërr fëminore e harbuar.

Nuk ishim ne ata heronj? Brezi i viteve ’80 që endeshim rrugëve të atdheut me plot ëndrra fëmijërore?Sot nuk jemi më të tillë! Kaq shumë kemi kërkuar nga jeta dhe bota, saqë na janë lodhur të gjitha pulset e zemrës dhe përkundër kësaj, ndjekim rrugën e merimangës për të ndërthurur ndonjë projekt afatgjatë, siç bie fjala një llogari të sigurt bankare. Kjo mbetet vetëm se plan dhe na shërben herë pas here për të na mbushur minutat tona të zbrazura, e duke luajtur me veten, se ‘mbase ndonjëherë do të ndodhë ashtu!’ Sa herë e kam krijuar këtë plan dhe sa herë kam qeshur më pas, kur e kam kuptuar se mashtrimi më i madh që ne vdekatarët bëjmë në jetë, është ai ndaj vetes. E madje, nuk lodhemi nga kjo, duke u dergjur në harresën historike se mbase do të jetë ashtu, edhe pse shumë herë nuk qëlloi të ishte me të vërtetë ashtu sikurse e menduam.

Në këtë rrugë ëndrrash, kujtuam se gjithmonë e ardhmja do të jetë e bekuar dhe e realizuar ashtu sikurse mendjengushtësia jonë e ndërtoi kala brenda vetes. Të pasurit një punë të mirëpaguar dhe me reputacion, ishte si gjithnjë plani kryesor i të gjithë atyre që mbaruan shkollën e lartë vitet e fundit. E mbase një pjesë e tyre e arritën, por as kjo nuk ishte freskia me të cilën do ta lagnim shpirtin tonë në ditët rutinë, plot monotoni e banalitetet të çfarëdollojshëm. Dhe si gjithnjë u interesuam edhe për një tjetër diplomë, e madje e morëm me kaq seriozitet, saqë nuk na mungoi dëshira për ta thënë shumë herë; edhe për ata që nuk e kishin mendjen asnjëherë aty. Pasi e arritëm, edhe në atë rast, kuptuam jo zhgënjimin e thellë, por fluturimin me të cilën gjërat e kësaj bote ikin, duke na lënë pas disa grimca kujtimesh që na rikthehen herë pas here brenda ashensorit kur ngjitemi për në katin e 10-të të pallatit me xhama të zinj. Aty ofrohen të gjitha çfarë mund të kërkosh, që nga djepi i vogël që ne u rritëm dikur (sot është modifikuar) e deri tek arkivolet më luksozë! Më pas, del prej atyre dhe arratisesh në një tjetër rrugë, kur sigurisht sindroma e “muzikës” së makinave jo vetëm që nuk pushon ndonjëherë, por të është bërë simfoni e ditës tënde. Pasi i lë prapa krahëve të gjitha këto, një kafe me ata pak miq të mbetur dhe me të cilin nuk është konsumuar ende nektari i dellit tonë intelektual, është një nga ato mënyra për të mos e mbyllur herët zinxhirin e ditës. Këtu, mundohemi të gjejmë atë çka na ka munguar gjatë atyre orëve të shkuara.

Ndonjëherë bisedat për kolegët, apo për ata që janë pak më larg zemrës sonë, por me të cilët kemi të bëjmë vazhdimisht, është një mënyrë dekadente për gjithçka ke vendosur si qëllim jete. Kur e lë pas edhe këtë sekuencë, kupton se prapë je kthyer në zhgënjimin tënd të dikurshëm. Ndonjë flirt, a ndonjë histori dashurie, mund të të shërbejë si ngushëllim me këngën tënde të preferuar melankolike. I mërzitur, me një dëshirë për të shkuar larg, ose për t’ia nisur nga e para, është ajo çka zëvendësohet si një tjetër forcë ngushëlluese me perspektivë në të ardhmen. Të gjitha këto ishin zhgënjimet tona të përditshme, ose le t’i quajmë ëndrra, në këtë tokë të vetëm lojës dhe mashtrimit. Teksa kapërcen këto ura të kohës, dije se vetëm një kujtim në këtë botë të madhe të ndjek pas, ai është kujtimi për Zotin, që të vjen vetvetiu si në dritë, si në errësirë. Edhe kur je në shkretëtirë, Ai është busulla për të mos humbur, e nëse je në një qytet kontrovers prej 10 milion banorësh, Ai është binari për t’u mbajtur fort. Për sa kohë që ky është kujtimi më i vyer i tërë sorollatjeve të mia në këtë jetë, atëherë unë jam optimisti më i madh në këtë botë. Poshtë urës ku gjendem, lumi i jetës do të rrjedhë, me ose pa dëshirën time. Ai do të ndjekë shtratin e vet. Në këtë rrugëtim lëkundjesh, tek Ti Zoti im prehjen unë e gjej dhe shpirtit dhembjet nuk ia ndjej!

(Revista Drita Islame, Qershor 2013)

 

You must be logged in to post a comment Login