Arti: pjesë integrale e jetës së myslimanit

???????????????????????????????Duke folur për njeriun, në Kur’an Zoti thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (Dhārijāt, 56) Më tej vazhdon: “…vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe!” (Ankebūt, 45). Kjo çon në arsyetimin se raison d’etre-ja e vërtetë e njeriut është të adhurojë Zotin, gjë që nënkupton se e gjithë jeta e tij duhet të jetë akt devotshmërie dhe përkujtimi vis-à-vis i Krijuesit.

Rëndësia e përkujtimit, e sjelljes ndërmend (dhikr, tadhkīr) është thelbësore në Islam. Kur’ani është quajtur edhe dhikr-u-llāh, përkujtim i Zotit. Gjithashtu, dhikr-u-llāh është një nga emrat që i janë dhënë profetit Muhamed, jo vetëm sepse ai ishte i besuar dhe përcjellës i Kur’anit, por edhe sepse sjelljet, fjalët dhe ligjëratat e tij, shkurt çdo gjë që përbën Sunetin (Traditën Profetike) treguan deri ku shtrihet kujtesa ndaj Zotit, dhe si rezultat i përmendjes së vazhdueshme ishte afër Tij.

Kjo çështje, ky fiksim mund të thotë dikush, për përmendjen e Zotit, nuk është vetëm një element në perfeksionin individual: është tharmi i jetës shoqërore dhe i zhvillimit artistik. Për të kujtuar Zotin shpesh, është e domosdoshme që anëtarët e komunitetit mysliman të rrethohen në çdo çast të jetës së tyre – jo vetëm gjatë ritualit të faljes – me një mjedis të favorshëm për këtë kujtesë. Ky ambient, qoftë me zbukurime natyrale ose artificiale, duhet të jetë i bukur dhe i paqtë, në mënyrë që edhe kur njerëzit të takohen të mund të bëhen shkak për dhikr, apo t’i bashkohen atij (përkujtimit të Zotit).

Në kontekstin e gjendjes shoqërore, një ambient i tillë është konceptuar nëpërmjet praktikimit të sheriatit, ligjeve fetare që përmbajnë rregullat ndaj të cilave kemi detyrimin t’iu bindemi. Falë këtij ligji, pesë shtyllat e Islamit – një rrjetë mënyrash në sjellje, individuale dhe kolektive – janë endur në zemrën e shoqërisë – umetit.

Vula e dhënë mjedisit rrethues mund të shndërrohet në pasqyrën e botës shpirtërore, pikërisht prej së cilës njeriu hyn në domenin e artit, të artit hyjnor, i cili, sipas fjalëve të Frithjof Schuon-it, “është, para së gjithash, forma e dukshme dhe e dëgjueshme e Zbulesës, dhe më pas veshja e domosdoshme liturgjike”.[1]

Funksioni i artistit është të përktheje parimet e Islamit në një gjuhë estetike. Me fjalë të tjera, të përshtatë forma dhe motive që gjejnë vend nëpër ndërtesa dhe në çdo dekorim, që nga faltoret e deri në vogëlsirat shtëpiake. “Zoti është i bukur dhe e do të bukurën”[2] thuhet në një hadith (Allahu xhemīlun ue juhibbul-xhemāl), që mund të konsiderohet si themeli teorik i estetikës së myslimanit.

Sipas perspektivës islame, në të cilën të drejtat e Krijuesit kanë përparësi absolute nga ato të krijesës, arti nuk është gjë tjetër veçse një prirje që Zoti i ka dhuruar njeriut për ta ndihmuar të gjejë rrugën që shpie tek Ai. Prandaj, artisti, si gjithë të tjerët, është shërbyes i Zotit; ai nuk i përket ndonjë kategorie të veçantë. Ai duhet të përpiqet të përmbushë sa më mirë rolin e tij në shoqëri duke interpretuar në mënyrë sa më të tejdukshme Traditën që ndjek.

Së këndejmi, artistët myslimanë nuk e kanë pasur të vështirë të jetojnë me virtyte dhe të shkëlqejnë në punën e tyre. Profeti (a.s.) thotë: “Zoti do që kur ju të bëni diçka ta përsosni atë.” Ky hadith është ndjekur veçanërisht nga artizanët, por edhe nga të gjithë artistët e periudhës klasike, që këtë parim e kanë respektuar unanimisht si një kod profesional nderi.

Një karakteristikë tjetër e krijimit artistik në Islam është se ai nuk është praktikuar kurrë si nevojë, nga ku mund të shihnim përfundimin e mirë. Arti islam, ndryshe nga arti modern Perëndimor, nuk ka njohur kurrë ndarjen midis artit ‘të kulluar’ ose artit ‘për hir të artit’ dhe artit utilitar. I pari provokon emocion estetik, kurse i dyti i përgjigjet mungesës. Arti islam është gjithmonë i dobishëm, pasi dobishmëria i përgjigjet një rendi shpirtëror (si ajetet e Kur’anit të qëndisura në copën që mbulon Qabenë në Mekë), ose disa niveleve njëkohësisht si nëpër llambadarë ose hauze bronzi me arabeska.

Ndoshta keni pikasur që kur kam përdorur fjalët artist dhe artizan nuk kam bërë dallim ndërmjet tyre, sepse nuk kam thënë se cili shpreh artistikisht Islamin. Kjo sepse në arabishten klasike ka vetëm një fjalë për atë që punon dhe dekoron me duart e tij, kjo fjalë është sani’ – “artizan”, dikush që praktikon një zanat në të cilin derdh mjeshtërinë e tij sipas një teknike (në kuptimin e artit mesjetar dhe jo atij modern). Në arabisht, fjala fann – “art” bart të njëjtin konotacion. Kjo kuptohet edhe në fjalën e urtë ars sine scientia nihil – “teknika (ose prirja) pa dije nuk është asgjë”. Edhe artizanët myslimanë mund të kenë pasur fjalë të urta, të cilat teknokratët modernë do bënin mirë t’u kushtonin vëmendje. Prandaj, artisti, siç e njohim sot, në kërkim të vetes dhe me një rol periferik në shoqëri, nuk ekziston në traditën islame. Kjo është arsyeja se pse përdorimi i artist apo artizan nuk duhet të lërë vend për keqkuptime.

Gjithsesi nuk ka ndonjë dyshim që disa zanate për nga natyra nuk nxjerrin vepra artistike. Disa specialitete profesionale (si, fjala vjen, nxirja e lëkurës, krehja ose lyerja e leshit) nuk mund të shkëputen nga procesi i prodhimit, produkti përfundimtar i të cilit do jetë një vepër arti (për shembull, një qilim). Nga ana tjetër, elementë të caktuar artistikë (si një këngë ose simbole dhe kostume të veçanta që vishen në ditë të caktuara) janë të ndërthurura me festa tradicionale dhe përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për jetën kulturore të shoqërisë myslimane.

Shkurt, ka dy karakteristika themelore në artin e Islamit: së pari, nga këndvështrimi shpirtëror dhe etik, arti derivon thelbësisht nga mesazhi kuranor, vlerat e të cilit artisti synon t’i sjellë në planin formal; së dyti, teknika përcillet nga babai te djali, nga mjeshtri te nxënësi, me rregulla dhe praktika të pandryshueshme. Duhet sqaruar që këto teknika nuk janë të ngurta dhe nuk detyrojnë përsëritjen e vizatimeve të hershme; përkundrazi, në pjesën më të madhe të rasteve kanë siguruar një burim frymëzimi për artistët, dhe qëndrueshmëria e nivelit teknik i ka nxitur për të krijuar kryevepra që nuk janë kurrsesi të përsëritura. Nëse për herë të tjera formulat e lashta janë bërë të lodhshme dhe u ka humbur vlera si pasojë e përsëritjes së tepërt, duhen hedhur sytë në formula të tjera.

[1] F. Schuon, Understanding Islam, përkth. nga frëngjishtja D.M. Matheson (London: Allen & Unwin, 1963, 1976, 1979; Baltimore, Maryland: Penguin Books, 1972), kap. 4.

[2] Imam Ahmedi në Musned.

Jean-Louis Michon

Përktheu: Nejona Kadzadej

/Revista Drita Islame, Qershor 2013/

You must be logged in to post a comment Login