Ali Zaimi: Haxhi, udhëtimi që të ndryshon jetën!

 

 

Haxhi është vizita e Qabes e cila gjendet në Mekën e ndritshme dhe e vendeve të bekuara përreth saj, brenda një kohe të caktuar dhe në formën e caktuar. Si adhurim ai ka një vend shumë të lartë, sepse besimtari e kryen edhe me trup, edhe me pasuri, duke kaluar shumë vështirësi dhe duke bërë sakrifica materiale, argument që provon sinqeritetin e të qenit të tij rob i Allahut.

Myslimanët e ardhur për çdo vit, mblidhen në atë tokë të pejgamberëve, takohen e njihen me njëri-tjetrin si dhe i luten Zotit së bashku për mirëqenie materiale e shpirtërore.

Për të folur rreth vlerave e urtësive të këtij rituali madhor, si dhe për organizimin e tij për të tretin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kemi zgjedhur të bisedojmë me kancelarin Ali Zaimi.

 

IMG_5476

-Zoti ka caktuar për robin adhurime trupore si namazi dhe agjërimi, disa të tjera që kanë bëjnë me pasurinë si zekati, e disa të tjera si Haxhi dhe Umreja, që janë sintezë e adhurimeve trupore dhe atyre me pasuri. Përse Zoti e ka bërë detyrim Haxhin për myslimanin?

Çdo adhurim, përtej urtësive pafund që mbart, kryhet për arsye se është urdhër i Allahut, për devocion ndaj Tij. Mund të them që Haxhi është një adhurim që kuptimisht mbart në vetvete gati të gjitha adhurimet dhe si çdo adhurim tjetër nga njëra anë ai është një pretekst që Allahu ka vendosur për të pastruar dhe mëshiruar njeriun, nga ana tjetër, është një nevojë e njeriut për t’u afruar me Zotin. Vetë Haxhi është kulmi i përkushtimit fizik, material dhe shpirtëror i krijesës ndaj Krijuesit Mëshirëplotë. Ajo që e veçon këtë adhurim, që është obligim vetëm një herë në jetë, është fakti se, pa marrë parasysh ndasitë me bazë ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture, pozite shoqërore e posti politik, bashkon nën një qëllim të vetëm miliona myslimanë duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje fort të gjallë të barazisë e të vëllazërisë.

 

-Qabeja është faltorja e parë e themeluar për adhurimin e Zotit në tokë. Kjo shtëpi u ndërtua nga dy njerëz profetë: Ibrahimi dhe Ismaili. Cila është lidhja e tyre me Faltoren e Shenjtë dhe me këtë ritual të përvitshëm?

Qabeja, me atë domethënie e shenjtëri të thellë, e shtrirë që në kohërat përpara Hz. Ademit dhe krijimit të tij, e më pas e rishfaqur dhe e rindërtuar prej Hz. Ibrahimit dhe Hz. Ismailit a.s., kushedi për të satën herë si kible e të gjitha feve qiellore, është një vatër e pashoqe monoteizmi, e tillë që, prej veçantive që mbart, nuk mund të gjendet një ndërtesë e dytë që, barabar me të, të mund t’i thuhet Shtëpi e Allahut. Vetë rituali i Haxhit, në formën e tij të njohur sot, është një ibadet që na mbërrin që nga koha e Ibrahimit a.s. Kurani fisnik, në ajetet 22/27–28 të sures “Haxh”, bën fjalë për haxhin e Ibrahimit, për thirrjen e drejtuar prej tij njerëzve për të marrë pjesë në këtë adhurim, për historinë e Qabes e të riteve të haxhit. Mënyra se si ne e kryejmë Haxhin sot e kësaj dite është pikërisht në ndjekje të traditës që ka lënë Ibrahimi a.s. dhe djali i tij Ismaili a.s.

Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) ndërtoi Qaben duke përmbushur urdhrin e Allahut. Ai e ndërtoi edhe me ndihmën e djalit të tij më të vogël, Ismailit. Ja se si përshkruhet në Kur’an ndërtimi i Qabes: “Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke ngritur themelet e shtëpisë (Qabes) luteshin: Zoti ynë, pranoje prej nesh, se në të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!” (Bekare, 127). Po ashtu kemi versetin tjetër kuranor: “Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde. Dhe thirr ndër njerëz për Haxhin…” (Haxh, 26-27) Këto dhe versete të tjera tregojnë lidhjen e fortë që babë e bir kishin me Qaben. Në Kur’an po ashtu na tregohet se siguria që mbizotëron aty është dua e Ibrahimit a.s. Madje vetë ardhja e Profetit Muhamed a.s., është dua e pranuar e Hz. Ibrahimit a.s.

Gjithashtu një sërë ritesh që bëhen në Haxh janë përkujtim i ngjarjeve që përjetuan Ibrahimi dhe Ismaili a.s.; për shembull: saji (vrapimi) mes Safa dhe Merve, namazi pas Mekam-i Ibrahim, goditja simbolike e shejtanëve, etj. Profeti Ibrahim është prej të Dërguarve të vendosmërisë së Lartë dhe ka një lidhje të fortë me profetin Muhamed a.s., fisi i Profetit e ka prejardhjen pikërisht nga djali i Ibrahimit, Ismaili a.s.

 

-Është më se e qartë që kur një mysliman qëndron në këmbë, apo përkulet e përgjunjet gjatë të falurit, ai vetëm se është i ndjeshëm ndaj pranisë së Zotit. Është po aq e qartë se të gjitha drejtimet janë të njëllojta në vlerat e tyre materiale apo morale dhe asnjë drejtim nuk shenjtërohet thjesht për hir të vetë drejtimit. Përse Zoti e obligoi profetin Muhamed dhe bashkësinë e tij me një drejtim apo kible, pra drejt Qabes në Mekë?

Ne shohim dhe njihemi nga ajetet kuranore se Allahu i ka dhënë një rëndësi të veçantë unitetit dhe ndërveprimit njerëzor. Ajeti: “O ju njerëz Ne ju krijuam juve nga një burrë e një grua e ju sollëm në popuj e fise që të njiheni”, na tregon pikërisht këtë. Të gjitha adhurimet madje nxisin ndërveprimin njerëzor. Pra njëra prej urtësive që ne mund të shquajmë është që besimtarët sikurse janë unikë në adhurimin e një Zoti të vetëm, të jenë unikë edhe gjatë kryerjes së adhurimeve, që ta ndjejnë disa herë në ditë që janë krijesa të të njëjtit Zot, që janë të barabartë para Tij, e ndërsa shohin kaq shumë gjëra që i bashkon të mund të vëllazërohen e të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.

Mendoj se së bashku me urtësitë që studiuesit dhe njerëzit e zemrës do të zbulojnë përherë brenda këtyre mënyrave të caktuara të adhurimit, dhe konkretisht drejtimit drejt Qabes, me këtë drejtim synohet një edukim dhe disiplinë e posaçme. Përpara se Qabeja të bëhej kibla e myslimanëve me parë kible ishte xhamia Aksa, më pas u bë Qabeja në Mekë. Vetë Profeti ynë e priste prej Allahut këtë dhe Ai ia plotësoi këtë dëshirë. Kjo tregon edhe vlerën e Qabes, dhe dihet që disa vende të ndryshme kanë vlera më të mëdha sesa të tjerat. Gjithashtu duhet patur parasysh që namazi është një adhurim që bëhet në grup dhe për këtë arsye duhet përcaktuar një drejtim. Gjithsesi ajo vlerësohet sepse Allahu e ka përcaktuar të tillë. Ndërsa adhurimi është vetëm për Allahun.

-Ku konsiston përgatitja e një besimtari para se të ndërmarrë këtë udhëtim sa material po aq edhe shpirtëror?

Të gjithë shkojmë në Haxh me dëshirën e pastrimit të shpirtit dhe ndjenjave tona, me dëshirën e një fillimi të ri, e një jete të re. Natyrisht që një njeri që kërkon një fillim të ri, bazuar edhe në traditën tashmë që kanë njerëzit që shkojnë në haxh, përpara se të nisen, së pari pajisen me njohuri mbi ritualet e haxhit, i kërkojnë hallallëkun të gjithë të njohurve, lajnë borxhet që kanë si dhe marrin masat që t’i sigurojnë familjet e tyre për kohën që do të jenë në haxh.

Një haxhi duhet që, para së gjithash, të jetë i vetëdijshëm për hapin që po hedh. Ai po niset në një udhëtim ku do të vëzhgojë njëra pas tjetrës të radhitura simbolet e Islamit, duhet të dijë që në këtë udhëtim, bazuar në thëniet profetike, është mysafir i Allahut. Njeriu në këtë udhëtim njihet e bëhet pjesë e të vërtetave të vjetra, por që nuk vjetrohen, të përjetshme e pa fillim, që mbeten kurdoherë të freskëta dhe mbërrin në përmbushje të kësaj vepre madhështore që s’do t’i harrojë kurrë. Nëse arrin të formojë këtë vetëdije, atëherë përfitimi prej këtij udhëtimi të bekuar është i papërshkrueshëm me fjalë. Vetë Profeti përgëzon se shpërblimi i Haxhit të pranuar është Xheneti i Amshuar, prandaj besimtari me këtë përkushtim duhet të përgatitet, të kërkojë kënaqësinë e Allahut, pra të niset në këtë udhëtim vetëm për kënaqësinë e Zotit.

-Ritet që kryhen gjatë Haxhit janë mjaft të thjeshta e të drejtpërdrejta. Cila është filozofia e tyre?

Pikësëpari çdo adhurim ndaj Zotit është një sprovë, por edhe i thjeshtë në veprim, pasi Zoti nuk i vendosi detyrime njeriut për t’ia vështirësuar jetën, përkundrazi për t’ia bërë sa më të lehtë atë. Megjithëse çdo adhurim ka në esencën e vetë bindjen dhe devotshmërinë ndaj Zotit, brenda tyre ka një varg të madh urtësish, disa të njohura dhe shumë të ngelura mister.

Çdo rit i haxhit mbart mjaft simbolika të ndryshme. Po përmend disa sa për ilustrim: për shembull: vetë rrugëtimi për në haxh të kujton udhëtimin e jetës, kupton që në këtë botë je udhëtar; heqja e rrobave të tjera dhe veshja e ihramit simbolizon, zhveshjen dhe distancimi nga të gjitha mëkatet dhe gabimet e mundshme, dhe veshjen me rrobën e bardhë që simbolizon qefinin, gjuajtja e shejtanëve është simbol i goditjes së injorancës, egos dhe mendimeve djallëzore që na ngacmojnë; vetë tavafi rreth Qabes do të thotë të pranosh që je rob i Zotit dhe i dorëzohesh vullnetit të Tij.

Ndërsa saji mes safa dhe merva nënkupton një vrap nga dënimi i Zotit për tek Mëshira e Tij, të strehomi tek mëshira e Tij dhe ai na premton xhenetin e amshuar.

Ndërsa Arafati është momenti më magjepsës, tashmë hap duart dhe kërkon të njohësh vetë Atë, Allahun. Në Arafat, shikojmë se si miliona njerëz njëherësh, thonë ‘Allahu Ekber’. Njerëz që lotojnë prej dashurisë dhe pendimit për gjynahet që kanë bërë. Të tjerë qajnë prej dashurisë ndaj Krijuesit. Askush që e di se kujt i drejtohet nuk kthehet duarbosh nga Arafati, aty lutja nuk kthehet mbrapsht. Aty tashmë ti ke braktisur Qaben dhe i je drejtuar Atij që e ka shenjtëruar Atë, e lë Mekën i drejtohesh Atij që e ka bekuar atë.

Muzdelifeja nga ana e saj të kujton errësirën e varrit, aty ku mbyllen veprat, e ndërsa në agim drejtohesh për në Mina kujton mëngjesin e ringjalljes për gjykimin e madh. Secilit haxhi i shkakton ndjesi të veçanta, por mbi të gjitha këto rite kuptimin e vërtetë e marrin sepse janë urdhëruar prej Atij që na njeh më mirë se ç’e njohim ne veten tonë.

 

-Guri i Zi është vendosur në njërën anë të ndërtesës së Qabes dhe jo në pak raste puthet, preket apo përshëndetet nga besimtarët kur bëjnë tavafin. Shumë njerëz mendojnë se myslimanët adhurojnë Gurin e Zi. Si i përgjigjeni këtij pretendimi?

Myslimanët çdo adhurim e bëjnë bazuar në Kur’an dhe Traditën Profetike. Islami erdhi që të çrrënjosë idhujtarinë dhe nuk mund të pranohet dhe pretendohet që myslimanët adhurojnë gurin e zi. Puthja e gurit, apo përshëndetja e tij bazohet në traditën e Profetit tonë të nderuar si shenjë nderimi që i bëhet Gurit të Zi për sekretet që ai mbart, ose thjesht respekt ndaj traditës profetike. Guri i zi, transmetohet të jetë gur qiellor që mbart mjaft sekrete në vetvete, por gjithsesi është mjaft e qartë që besimtarët nuk e adhurojnë atë. Ndoshta përgjigjen më të bukur lidhur me këtë çështje e ka dhënë Hz. Omeri, ndërsa shprehet përpara Gurit të Zi në Qabe: “O gur! Ti nuk je asgjë tjetër veçse një gur. As dobi nuk të jep e as dëm. Po mos të kisha parë Profetin as duke të puthur, as unë nuk e bëja.”

-Ka plot njerëz që i shohin ritet e Haxhit si obligime të rënda. Të tjerë shkojnë deri atje sa i konsiderojnë si formë e idhujtarisë. Si e shpjegoni këtë?

Haxhi është një sprovë, sikurse çdo adhurim. Ai nuk i duhet Zotit, por robit. Ai është një mundësi më shumë për të fituar mëshirën e Zotit. Nuk duhet të ngatërrojmë vlerësimin me adhurimin. Ne vlerësojmë shumë gjëra në këtë botë, së pari si besimtarë vlerësojmë sipas radhës ato që Zoti i vlerëson. Njeriun, besimin, sinqeritetin, familjen, shoqërinë, Atdheun, etj. Por ne adhurojmë vetëm Zotin e Gjithësisë, dhe askënd tjetër. Edhe Qabeja vlerën e ka sepse Allahu e ka quajtur me vlerë, madje të shenjtë atë. Ritet në haxh ne i bëjmë pikërisht sepse jemi të urdhëruar, por sigurisht që ato përmbajnë një sërë simbolikash e urtësish dhe kanë një ndikim të padiskutueshëm në jetën e njeriut.

-Profeti a.s. ka thënë: “Haxhi është (qëndrimi në) Arafat”. Cila është urtësia që qëndron pas kësaj thënie dhe çfarë simbolizon qëndrimi i myslimanëve në luginën e Arafatit?

Po, është e vërtetë. Aq shumë rëndësi i është dhënë Arafatit sa që Profeti ka deklaruar se Haxhi është Arafat. Ai është momenti që Allahu ka zgjedhur për të pranuar duatë më shumë se kurrë tjetër. Ndoshta sikurse sexhdja që është momenti kur njeriu është më pranë Zotit, ndër veprat që kryen, dita e Arafatit është koha kur njerëzit, me lëvizjet e tyre dhe qëndrimin në pritje të mëshirës dhe faljes, formojnë një pamje mahsheri. Bashkë me sekretet që përmban Arafati dhe vlerat e mëdha tek Allahu, hadithi i Profetit, “Haxhi është Arafat”, na tërheq vëmendjen se pa qëndruar sadopak në Arafat, Haxhi yt nuk është përmbushur.

Nga ana tjetër Arafati ka një përndritje të rrallë dhe koha që kalohet atje ka një thellësi të tillë, saqë një shpirt që e ka arritur një herë fatbardhësinë e të gjendurit në atë kopsht, asnjëherë nuk i rrënohet krejtësisht qëndrueshmëria dhe nuk vdes në gjendjen e atyre që jetojnë të dhënë krejtësisht pas kësaj bote. Ata që kanë kaluar pak orë të jetës së tyre në Arafat, gjithë jetën çelen si trëndafilat dhe kurrë nuk thahen.

-Adhurimet paraqesin qëllime në vetvete, por ndërkohë janë edhe mjete të veçanta të edukatës shpirtërore, morale e shoqërore. Vështruar në këtë optikë, a mund të përmendni disa nga përfitimet që sjell ky adhurim madhor?

Si të gjitha adhurimet, edhe Haxhi ka mjaft përfitime për njeriun. Haxhi e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re; përforcon jetën shpirtërore të njeriut, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore.

Haxhi forcon e rrit besimin, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, e pastron krejt shpirtin duke rafinuar ndjenjat dhe thuajse i jep krahë atij.

Haxhi i mbart vizitorët në kohë, katërmbëdhjetë shekuj më parë. Ai i bën ata të kujtojnë Profetin e Profetëve, u kujton atyre ato përpjekje të mëdha që janë bërë për t’u njohur Islami.

Haxhi nënkupton dorëzim të plotë ndaj urdhrave të Zotit të Lartësuar.

Është konferenca më e madhe e paqes që njihet në historinë e njerëzimit, që ka si kryefjalë “Paqen”; paqe me Zotin, me veten, me njerëzit madje edhe me kafshët e deri tek insektet.

Ai është demonstrim i përgjithshëm i universalitetit të fesë Islame. Ai mbart simbolikën e mahsherit dhe përjetimit të ditës së kiametit, si dhe mjaft dobi dhe përfitime të tjera, në varësi edhe të aftësisë së receptorëve shpirtërorë të gjithsecilit.

-Gjatë qëndrimit në territoret e shenjta besimtarët ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera, si: vizita e Xhamisë së Profetit në Medinë apo vende të tjera me rëndësi kulturore e historike. Përse preferohet diçka e tillë?

Një pjesë e këtyre janë synet, siç është vizita në Xhaminë e Profetit. Një person që shkon në Haxh, megjithëse s’ka të bëjë me ritet e Haxhit, nuk e lë pas dore këtë vizitë, sepse ndër njerëz Profeti Muhamed a.s. është më i dashuri, më i dhembshuri dhe pikërisht ai që na përcolli dhe mësoi të gjitha bukuritë e besimit Islam. Ndërsa vizitat e tjera kanë një vlerë domethënëse në kuadër të përkujtimit të përpjekjeve të mëdha që ka pasur Profeti me sahabët në përçimin e mesazhit islam. Në disa nga ato vende janë zhvilluar ngjarje kyçe të historisë islame, prandaj gjykoj se njohja dhe vetëdija për të shkuarën është motiv për të ardhmen.

-Një organizim i këtyre përmasave dhe me miliona njerëz që vijnë nga të katër anët e globit kërkon një menaxhim profesional, duke filluar nga udhëtimi, akomodimi e shërbime të tjera të nevojshme. Dihet që prej tre vitesh ekskluzivitetin për organizimin e haxhit në Shqipëri e ka Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Çfarë ka ndryshuar në këtë periudhë sa i përket anës organizative?

Organizimi nga KMSH gjatë këtyre tre viteve është marrë me seriozitetin maksimal dhe duke qenë një institucion kompetent për organizime të tilla, cilësia e organizimit është rritur ndjeshëm. Duke filluar që nga ndërgjegjësimi dhe vetëdija që përpiqemi t’u japim haxhinjve për hapin që po hedhin, informacionin e detajuar mbi plotësimin sa më korrekt të riteve të haxhit, asistencën e vazhdueshme dhe deri tek plotësimi i nevojave që përmban ky udhëtim kaq i rëndësishëm; janë masa që KMSH përpiqet t’i plotësojë në maksimumin e mundshëm.

Siç e përmenda edhe më lart, Haxhi është ndër obligimet themelore për myslimanin, prandaj Komuniteti Mysliman ka qenë i gatshëm dhe në shërbim të gjithë haxhinjve, por edhe myslimanëve shqiptarë, me organizimin e simpoziumeve, botimin e librave e broshurave, ku pasqyrohet rëndësia e këtij rituali dhe mënyra e kryerjes së tij.

Nuk e them këtë për mburrje, pasi në fund të fundit, kjo është detyra jonë si Komunitet Mysliman, t’u shërbejmë besimtarëve dhe për këtë ne jemi përpjekur ta kryejmë si duhet. Komuniteti Mysliman ka tre vjet që organizon Haxhin, dhe për këtë në kemi caktuar një grup pune (i quajtur Guida e Haxhit), i përbërë nga teologë, udhërrëfyes e mjekë mjaft të përgatitur, në mënyrë që haxhinjve të mos u mungojë asgjë dhe ta realizojnë më së miri këtë detyrim të përcaktuar nga Krijuesi.

Qëllimi dhe detyra jonë si institucion nuk është vetëm dërgimi i besimtarëve në Qabe, por edhe zgjimi i vetëdijes së tyre, nxitja e përkushtimit, jo vetëm gjatë këtij rituali por edhe më pas dhe për këtë teologët tanë të dërguar atje, çdo ditë zhvillojnë biseda me tema rreth Haxhit në veçanti dhe Islamit në tërësi.

Nga viti në vit ne përpiqemi ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme që edhe haxhinjtë të përfitojnë sa më shumë nga ky udhëtim, mundësia e të cili nuk të jepet shpesh.

Mesazhi juaj i fundit..

Së pari i uroj të gjithë haxhinjve shqiptarë, Haxh të pranuar tek Allahu. Së dyti, dua që t’u kujtoj se në këtë udhëtim ata janë mysafirë të Allahut, prandaj të luten e t’i kërkojnë Atij mirësi për vete dhe për vendin tonë, si dhe të përgjërohen që Allahu t’i ndihmojë myslimanët në gjithë globin e t’i bëjë ata përfaqësues të denjë të parimeve më të bukura njerëzore.

Së treti, le t’i drejtohen Zotit me lutje të sinqerta në Arafat, pasi lutja në atë vend të bekuar nuk kthehet mbrapsht.

 Intervistoi: Haxhi Lika

(Revista Drita Islame, Tetor 2013)

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login