Aktivitet me haxhilerët shkodranë

Paraditen e së enjtes, më 23 tetor 2014, Myftinia Shkodër organizoi një takim me haxhilerët shkodranë të këtij viti. Në qendër të këtij aktiviteti ishin disa nga kujtimet dhe emocionet e përjetuara në vendet e shenjta, në Mekë dhe Medine, gjatë tri javëve të qëndrimit të tyre atje.

Takimi u përshëndet nga drejtori i Zyrës së Haxhit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, H. Hamdi Çurri, i cili falënderoi Zotin për mbarësinë e haxhit të sivjetshëm dhe emocionet e përjetuara nga besimtarët shqiptarë, në tubimin më të madh vjetor të besimtarëve myslimanë. Ai theksoi se këto takime i vlejnë më së miri rikthimit në vëmendje të kujtimeve të bukura dhe emocioneve të papërshkrueshme, që besimtarët përjetojnë gjatë ditëve të qëndrimit të tyre në Mekë dhe Medine.

Gjatë aktivitetit,  përmes një ekrani, u shfaqën momentet më të bukura të përjetuara gjatë haxhit të sivjetshëm, si: veshja e ihramit, tavafi përreth Qabes, qëndrimi në Mina, dita e Arefatit, nata në Muzdelife, gjuajtja e xhemerateve, vizita në xhaminë e Hz. Muhammedit (a.s), vizita në zonën e malit Uhud, vizita e varrezës së sahabëve etj.

Kujtime dhe emocione të përjetuara gjatë këtij haxhi, kanë sjellë edhe haxhilerët: Gilman Kazazi, Artur Nikolla dhe Arfin Tafa, që kanë dëshmuar momente të bukura dhe përjetime të ndryshme, që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tyre.

Ata kanë theksuar se, ndër të tjera, haxhi është një mundësi e madhe për t’u takuar edhe me dijetarë të shquar të ymetit islam, dëshmi e vëllazërisë dhe harmonisë islame në rrafsh global dhe një mundësi për të kuptuar se ritualet fetare atje, janë të veshura me emocione të mëdha dhe kënaqësi shpirtërore të papërshkrueshme.

Në fund të aktivitetit, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, shprehu falënderimet e tij dhe vlerësimet personale për organizimin e bërë nga drejtuesit dhe murshidët e KMSH, duke vlerësuar njëkohësisht edhe grupin e haxhilerëve shkodranë.

 

shkodr - haxhi aktivitet (1) shkodr - haxhi aktivitet (2) shkodr - haxhi aktivitet (3)

You must be logged in to post a comment Login