Ajeti i agjërimit

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet) e të bëheni të devotshëm.”

(Bekare, 183)

mezhepler

Allahu i lartësuar na e ka zbritur shpalljen e Tij, Kur’anin, jo përnjëherësh, por dalëngadalë brenda një periudhe 23 vjeçare. Një pjesë e Kur’anit ka zbritur në Mekë ku i Dërguari i Allahut jetoi 13 vjet të profetësisë dhe një pjesë në Medine ku ai jetoi dhjetë vitet e fundit të saj. Ajetet e zbritura në Mekë kanë si bazë rregullimin e moralit dhe edukatës së njerëzve dhe asgjësimin e veseve e zakoneve të këqija, që ishin reale në shoqëri pa përjashtim besimi, moshe, gjinie e race. Për këtë arsye ajetet janë gjithëpërfshirëse dhe fillojnë me: “O ju njerëz”. Ndërsa ajetet e zbritura në Medine, në të shumtën e rasteve kanë si qëllim vendosjen e urdhëresave fetare dhe ndërtimin e anës praktike të Islamit, prandaj këtu ajetet fillojnë me shprehjen “O besimtarë”. Ndërkohë dijetarët thonë që në ajetet që fillojnë si në rastin konkret, “O ju që keni besuar”, ka një urdhër që Allahu u dërgon besimtarëve.

Ky ajet ka zbritur në periudhën e Medinës, në mesin e muajit të Shabanit, muaj që i paraprin Ramazanit. Allahu i Lartësuar me anë të këtij ajeti e bëri të obliguar (farz) agjërimin në këtë muaj të begatë.

Agjërimi është prej shtyllave kryesore të fesë. Është metoda më funksionale për të edukuar egon, e cila e shtyn njeriun vazhdimisht drejt së keqes e të pahijshmes. Agjëruesi gjen qetësi ndaj pëshpëritjeve të nefsit dhe bëhet fitimtar në luftën e madhe që bëhet midis egos dhe zemrës së ndriçuar me dritën e besimit. Agjërimi ëmbëlson jetën dhe i jep kuptim vullnetit të njeriut. Por, nga ana tjetër, egoja e sheh agjërimin si urdhrin më të vështirë që Allahu i Madhëruar i ka dërguar njerëzimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, duke e stërvitur njeriun dalëngadalë, i ka dërguar atij në fillim namazin si farzin më të lehtë prej të gjithëve, pastaj zekatin e më vonë agjërimin, si më të vështirin prej tyre.

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Ju ka ardhur një muaj i bekuar, në të cilin është bërë detyrim agjërimi. Në këtë muaj janë hapur dyert e Xhenetit, janë mbyllur dyert e Xhehenemit dhe shejtanët janë lidhur me pranga. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj.”

Ndërsa në një hadith tjetër i Dërguari i Fundit a.s. ka thënë: ”Me të vërtetë në xhenet është një derë e cila quhet Rejan. Nga ajo derë do të hyjnë agjëruesit, nuk do të lejohet të futet në të askush përveç tyre…”.

Ju është urdhëruar agjërimi

Pasi Profeti a.s. emigroi nga Meka për në Medinë, agjëronte tre ditë në muaj dhe ditën e Ashures. Ky është agjërimi i parë në İslam. Një vit e gjysmë pas emigrimit, pas ndryshimit të kibles, në ditën e 10 të muajit Shaban u bë obligim agjërimi i muajit të Ramazanit.

“Agjërim” do të thotë të largohesh nga ngrënia, pirja, kryerja e marrëdhënieve intime me qëllimin e adhurimit të Allahut që nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Duke u nisur nga ky përkufizim, shohim se agjërimi i pranueshëm tek Allahu duhet të plotësojë dy elementë bazë, të cilët janë:

a Nijeti. Agjërimi duhet të jetë vetëm për hir të Allahut dhe për askënd tjetër. Pra nuk ka vlerë ai agjërim që mbahet për dietë apo për ndonjë fitim tjetër pos fitimit të kënaqësisë së Allahut. Këtë e qartëson Allahu në një hadith kudsij kur thotë: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për Të.” Në fakt, jo vetëm agjërimi, por çdo adhurim tjetër duhet të kryhet me nijet të pastër, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ishin të urdhëruar që ta adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë.” Ndërsa profeti Muhamed a.s. thotë: “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimit.”

b- Ndërsa kushti i dytë i agjërimit të pranuar është: privimi nga ushqimi, të pirët dhe marrëdhënieve intime nga koha e imsakut deri në kohën e akshamit. Ebu Ubejde r.a. thotë: Çdo njeri, i cili përmban veten e tij nga ngrënia, të folurit e fjalëve të pahijshme dhe drejtimin drejt punëve jo të pëlqyeshme vetëm me nijetin e adhurimit të Allahut, është në agjërim.

Agjërimi është dy llojesh: i detyrueshëm dhe vullnetar. Agjërim i detyrueshëm është agjërimi i Ramazanit, agjërimi për shlyerjen e shkeljeve të normave fetare (kefaret) apo agjërimi për ndonjë betim të bërë. Ndërsa agjërimet veç Ramazanit, si në ditën e hënë e të enjte apo në ditë të veçanta të muajve, të cilat janë këshilluar nga Profeti a.s., janë agjërime vullnetare (suplementare). Në këtë kontekst flitet për agjërimin e detyrueshëm të muajit të Ramazanit.

Agjërimi i Ramazanit është detyrim fetar sipas Kur’anit, Traditës Profetike dhe konsensusit të dijetarëve. Argument për këtë është ajeti të cilin po e komentojmë. Ndërsa profeti Muhamed a.s. thotë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit një herë në jetë, nëse ke mundësi.”

Ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush

Në fakt agjërimi ka qenë detyrë edhe te popujt që kanë qenë përpara nesh. Ky fakt dëshmon qartë për rëndësinë e madhe që agjërimi ka si praktikë. A ka qenë obligim agjërimi një muaj, më pak apo më shumë kjo nuk dihet me saktësi, por ajo që është e rëndësishme të theksohet është se agjërimi është një adhurim nëpërmjet të cilit njeriu afrohet me Allahun e Lartësuar.

Pa dashur të hyjmë në detaje, mjafton të përmendim ngjarjen e Musait a.s., i cili shkoi të takohej me Allahun, ku agjëroi 30-të ditë dhe më pas agjëroi edhe 10 të tjera, nga dëshira që kishte që të rrinte sa më gjatë në takimin me Allahun e Lartësuar.

Me qëllim që të ruheni (nga gjynahet) e të bëheni të devotshëm

Ky është dhe thelbi i agjërimit. Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u larguar nga gjynahet dhe për t’u pajisur me devotshmëri. Agjërim do të thotë, të zbatosh ligjin e Allahut dhe të largohesh nga gjërat e ndaluara, njëlloj si devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut duke kryer urdhrat dhe duke u larguar nga gjërat e ndaluara. Është e vërtetë që agjëruesi privohet nga ushqimi, pirja dhe marrëdhëniet intime, por kështu ai triumfon në luftën ndaj nefsit që kërkon ta drejtojë atë në veprat e ndaluara. Profeti a.s. u drejtohet të rinjve që e kanë të vështirë të ruajnë veten e tyre nga gjynahet me këto fjalë: “O ju të rinj, ai që që ka mundësi të martohet, le të martohet. Ndërsa ai që nuk mundet, le të agjërojë, sepse ai do të bëhet si një mburojë për të”[1]. Siç shihet, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë.

Nëpërmjet agjërimit, besimtari ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Allahut ndaj tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk dëshiron që të shkelë ligjet dhe rregullat e Allahut të Lartësuar. Gjatë kohës që agjëron, ai e ndjen se Allahu po e vështron.

Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira duke iu bindur Allahut dhe nuk ka dyshim se, veprat e mira e afrojnë akoma më tepër me Allahun dhe agjëruesi bëhet më i devotshëm.

Lauren Luli

(Revista Drita Islame, Korrik 2014)

——————————————–

[1]Fet’h el-Bari 9:8; Muslimi 2:1018.

You must be logged in to post a comment Login