Agjërimi si liri

Liri do të thotë të shmangësh lidhjet, pengesat, kufijtë. Sa më shumë t’i kapërcesh këto, aq më i lirë do jesh. Duke u dorëzuar tek Allahu, për të realizuar kështu Islamin, kemi bërë zgjidhjen më të mençur drejt çlirimit të vërtetë.

feeding-doves

Njerëz të thjeshtë, të cilët nuk kanë pasur mundësi, apo nuk i kanë shfrytëzuar mundësitë për t’u njohur me Islamin, shpesh i shohin agjëruesit me një sy plot mëshirë e keqardhje. U dhimbsen se po e kalojnë ditën pa vënë asgjë në gojë, duke refuzuar ftesat për një kafe, duke u shmangur nga grumbullimet e tymshme e të zhurmshme të kafeneve e restoranteve. Përballë këtyre njerëzve, të cilët janë shpesh miq a të afërm me ne, kemi një “shfajësim” serioz për të mos shkelur në ambientet vulgare që ofrojnë më së shumti klubet e qyteteve tona, vende ku nuk përmendet Allahu, ku konsumohet alkooli dhe imoraliteti, vende që ngushtojnë çdo kraharor në të cilin ka mbetur sadopak besim… Prej mirësive të panumërta të këtij muaji, është se largohemi, tërhiqemi nga rrethi ynë për të ndenjur do s’do me të ndershmit, me ata që respektojnë Islamin e me agjëruesit, duke krijuar kështu, ndonëse përkohësisht, një shoqëri të drejtë prej të zgjedhurish, një model të asaj që duhet të ishte në të vërtetë shoqëria njerëzore.

Është vërtet një rast paradoksal, më tepër tragjik se komik, t’i shohësh “mëshiruesit e agjëruesve”, ata që u dhimbsemi se jemi duke dëmtuar më kot trupin, se jemi duke u robtuar e robëruar, duke humbur vullnetarisht lirinë… lirinë për të qenë si ata, lirinë “për të kafshëruar” lirshëm e pa kuptim me hajen e me pijen, pa ndaluar pak për të medituar se nga vjen kjo haje e pije, e më pas për të kuptuar të vërtetën për qenien tonë e pse-të e saj, për të ndjerë atë që ndjejnë njerëz si ne në skamje, pa u ndalur pak nga kjo haje e pije për të kuptuar kufijtë e vetes e për të pohuar me sakrificë se kemi nevojë për Zotin.

Liri do të thotë të shmangësh lidhjet, pengesat, kufijtë. Sa më shumë t’i kapërcesh këto, aq më i lirë do jesh. Duke u dorëzuar tek Allahu, për të realizuar kështu Islamin, kemi bërë zgjidhjen më të mençur drejt çlirimit të vërtetë.

Duke iu dorëzuar Allahut, myslimani njëkohësisht është çliruar nga “zotat” e rremë, është shkëputur nga çdo varësi dhe nga çdo bindje ndaj gjithçkaje përveç Zotit të vërtetë. Kjo është liria më e vërtetë që mund të arrijë një krijesë. Në të njëjtën mënyrë, edhe agjërimi, si një nga kulmet e kësaj lirie, bëhet shprehës i dorëzimit vetëm te Krijuesi dhe i çlirimit nga krijesat; është pohimi jo vetëm me fjalë, por me gjithë qenien tënde, se duke ndërprerë ushqimin e ujin me urdhrin e Tij, i bindesh Allahut që nuk e sheh, e nuk i bindesh urisë e etjes, që janë brenda teje. Në këtë përmasë sakrifice, që gjithsesi është simbolike dhe nuk del jashtë mundësive normale të njeriut, lidhja me Allahun, Krijuesin, bëhet e drejtpërdrejtë, pa asnjë pengesë; njeriu humb atributet thjesht lëndore, dhe mbush qenien e tij me bindje e dashuri ndaj Zotit. Ushqimi, uria, epshi, kufij të natyrshëm te frymorët, kapërcehen gjatë këtij muaji, dhe njeriu lartësohet realisht mbi krijesat e tjera me vetitë që e veçojnë nga ato, sidomos me lirinë e zgjedhjes: lirinë për të zgjedhur mes Allahut e shejtanit, mes Islamit e joislamit, mes bindjes e kryelartësisë, midis të ngrënit dhe urisë. Agjërimi në muajin e bekuar ofron një stërvitje të përvitshme për t’u shkëputur gjithnjë e më tepër nga nevoja për krijesat, duke tentuar drejt një mbështetjeje gjithnjë e më të madhe te Zoti, e kjo është liria e mirëfilltë.

Shembullin më të fortë të çlirimit, të lirisë përmes Islamit e agjërimit, e marrim këto ditë nga vëllezërit që e kalojnë këtë muaj të madh duke vuajtur dënime nëpër burgje; shumica e tyre janë kthyer te Zoti dhe e kanë njohur fenë e Tij, vetëm aty, midis hekurave të kryqëzuara. Duke refuzuar ushqimin në oraret e përcaktuara prej rojtarëve të tyre, për t’iu bindur Zotit, ata janë çliruar njëherësh nga dy pushtete: nga pushteti i rojtarëve dhe nga ai i urisë. Ata praktikisht kanë arritur në burg, lirinë.

You must be logged in to post a comment Login