Agjërimi, Nata e Kadrit, Zbritja e Kur’anit

hena-ramazan

 “O ju besimtarë! Ju është bërë farz të agjëroni në ditë caktuara, ashtu si popujve të kaluar, me qëllim që të shmangeni nga rruga e keqe.” (Bekare 183-185)

 “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e xhehenemit.” (Hadith, transmeton Ebu Hurejra)

Qëllimet kryesore për të cilat Zoti (xh.sh.) e ka bërë detyrë agjërimin janë: qëllimi fizik apo shëndetësor dhe qëllimi moral. Agjërimi ka qëllim shëndetësor sepse zbaton porositë mjekësore, rregullon stomakun, që është organizmi i përgjithshëm i trupit. Ashtu siç thotë Profeti (a.s.): “Agjëroni që të keni shëndet.”

Agjërimi kultivon tek agjëruesi një vetëdije të shëndoshë, sepse ai e mbron agjërimin e tij edhe fshehur edhe publikisht. Ai e mban atë që të kënaqë Zotin e tij dhe të kënaqë vetëdijen e tij me ndershmëri dhe përpikërinë e tij në vetvete dhe publikisht. E mëson besimtarin të jetë i durueshëm, zemërgjerë, i drejtë dhe të disiplinojë dëshirat e tij epshore dhe të mund të vendosë veten e tij mbi të gjitha ngacmimet fizike. Ky është njeriu me karakter, me personalitet, me fuqi dhe vullnet të përpiktë. Agjërimi është një urdhër i Zotit për besimtarin që të bëjë kontrollin e vetvetes, të ruajë dinjitetin dhe lirinë personale, të jetojë në paqe.

Agjëruesi është në gjendje të kontrollojë vetveten, të ushtrojë një komandë të plotë ndaj epsheve të tij; disiplinon dëshirat e tij dhe u reziston dëfrimeve të palejuara. Ky njeri është në gjendje të sigurojë vetveten, të fitojë dinjitetin e tij, të sigurojë një paqe të brendshme e cila është burimi i paqes me Zotin, e si pasojë me të gjithë.

Myslimani që agjëron është ndryshe nga të tjerët. Ai karakterizohet nga një pastërti e brendshme dhe e jashtme, shpirti i tij është i kristaltë sepse është afër Zotit (xh.sh.).

Mësime nga Agjërimi

Zoti (xh.sh) në Kur’an, sure “Bekare”, ajeti 105, urdhëron dhe thotë: “E kush e përjeton prej jush muajin e Ramazanit, le të agjërojë.” Ndërsa profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk është i fuqishëm ai që tërbohet, por ai që e kontrollon veten në çastin e shqetësimeve të mëdha.” Pra, myslimani që agjëron me vullnet të lirë dhe bindje të plotë për hir të Zotit dhe afrimit të Tij, duhet të mendojë në këto kushte se pasioni, epshi, dëmi, armiqësia dhe urrejtja janë dobësi që e shkatërrojnë shpirtin e njeriut. Agjërimi e bën besimtarin të jetë i sinqertë, nuk njeh hipokrizi dhe tradhti, veçse devotshmëri. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Zoti nuk ka nevojë për largimin e ndonjërit nga pirja, në qoftë se ai nuk e largon gënjeshtrën”. Gjithashtu ai e ka ndaluar agjërimin t’i vihet të keqes me të keqe, paturpësisë me paturpësi dhe thotë: “Në qoftë se ndonjëri e shan ose e sulmon le të thotë: Unë agjëroj… Nuk gënjej, nuk sulmoj e as nuk dëmtoj.” Sa me vlerë të madhe është morali i sinqeritetit të njeriut karshi njeriut, sepse njeriu nuk ka vetëm natyrë trupore materiale, por edhe natyrë shpirtërore të zemrës. Kur njeriu e harron këtë të vërtetë, bie në një nivel shumë të ulët, poshtërohet dhe përbuzet shumë.

Agjërimi e bën myslimanin të disiplinuar në dëshirat e tij, ushqehet, fle dhe zgjohet në mënyrë të disiplinuar dhe të organizuar. Uria ditore është e përbashkët për familjen myslimane, në të njëjtën kohë hanë iftarin, në të njëjtën kohë falen me vëllezërit myslimanë. Këtu bashkohet i riu me të moshuarin, i dituri me të paditurin, i pasuri me të varfrin.

Agjërimi është një mjet pajtimi dhe respektimi në mes këtyre kategorive njerëzish dhe e bën myslimanin një njeri me personalitet dhe karakter të fortë, me vullnet që i shmang të gjitha pasionet negative, por kjo ndjenjë bashkimi dhe vëllazërimi duhet të bëhet realitet dhe me vëllezërit e tjerë myslimanë. Si e presin ata iftarin, a i mjafton ushqimi, a kanë nevojë? Dhe myslimani i devotshëm e ndjen se duhet të ndihmojë edhe ata që të gëzohen në iftaret e tyre dhe tek besimtari lind një ndjenjë e re, e bukur bujarie. Përderisa njeriu, myslimani është i barabartë përpara Zotit dhe përpara ligjit, duhet të shohë atë që ka pranë, si jeton, si ta ndihmojë atë. Njeriu që agjëron e ndjen se i bashkëngjitet të gjithë besimtarëve të tjerë ndaj detyrës së njëjtë, karshi Zotit (xh.sh.) me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat qëllime dhe motive.

Nata e Kadrit

Zoti (xh.sh) në Kur’an në suren “El-Kadr” urdhëron e thotë: “Ne e zbritëm Kur’anin natën e Kadrit. Ç’të bëri ty të dish se çfarë është nata e kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një muaj. Me lejen e Zotit, këtë natë zbresin Engjëjt dhe Xhibrili për çdo çështje. Ajo që përcakton Zoti është paqe deri në agim të mëngjesit.”

Kjo është nata e vlerësimit, është nata më e vlefshme, më e rëndësishmja ngase me të fillon shpallja e dritës në të gjithë botën. Është më e dobishme se një mijë muaj, është më e rëndësishme ngase në të zbresin engjëjt në qiellin e dynjasë në tokë, rreth njerëzve, zbresin për shkak se Zoti (xh.sh.) përcakton çdo çështje të vitit dhe Ai nuk përcakton tjetër veç atë që është në dobi të njerëzve.

Nata e Kadrit sipas dijetarëve islamë është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.. Kjo natë është mbajtur e fshehur nga Allahu (xh.sh.), sepse është nata e të mirave për besimtarët islamë, nata që shumohet ibadeti, natë shprese për të mira dhe begati nga Allahu (xh.sh.).

Në këtë natë çdo send që gjendet në tokë bën sexhde, të gjitha dritat janë të ndezura derisa të dalë drita, pranohet lutja e atyre që luten dhe kërkojnë nga Zoti (xh.sh.) dhe prandaj duhet të jemi në rrugë të drejtë të nderimit dhe të respektit për njëri-tjetrin dhe në rrugën e Zotit, i cili në këtë muaj të Ramazanit, posaçërisht i mëshiron besimtarët.

Është transmetuar nga Buhariu, se: “Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) 10-të ditët e fundit të Ramazanit, mbyllej në xhami (i’tikaf) dhe qëndronte në shtëpinë e Allahut, aty ku qëndrohet më pranë Tij në falje dhe lutje.

Në këto ditë, ashtu siç transmetohet nga Aishja (r.a.), Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i mbante gjallë me këndim Kur’ani, sepse kjo ishte nata më e afërt dhe vendi më i afërt më të falurit me shqiptim e fjalëve të Allahut (xh.sh.). Për këtë natë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “O Zot! Ti je falës, e do faljen, më fal mua”.

Prandaj për ne në këtë natë të madhe lind si detyrë të mbështesim Profetin dhe të udhëhiqemi sipas porosive të tij, në të gjitha punët, duke nderuar dhe respektuar ashtu siç thotë vetë Zoti në Kur’an “Ju (umeti i Muhamedit) jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaheni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun”. (El-Imran, 10)

Zbritja e Kur’anit

“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani.” (El-Bekare, 185)

Kur’ani zbriti pjesë-pjesë për t’i dhënë mundësi njerëzve që ta lejojnë dhe ta kuptojnë domethënien e tij, ta mësojnë të shkruar dhe njëkohësisht ta mësojnë përmendësh.

Kur’ani është fjala e Allahut, është burimi origjinali i të gjitha parimeve dhe normave të fesë islame, është baza e vërtetë mbi të cilin qëndron e gjithë ndërtesa e fesë islame. Ashtu siç përmendet në suren “Esh-Shura” ajeti 192, me të vërtetë Kur’ani është shpallja e zbritur H. Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) brenda 23 vjetëve dhe i zbriti sipas ngjarjeve dhe sipas kohës gjatë së cilës Profeti ishte i preokupuar për të përtërirë botën që e kishte mbuluar errësira. Fillimi i zbritjes ka filluar në një natë të bekuar të muajit të Ramazanit, kur Muhamedi në vetmi mendonte për njerëzit e tij, të cilët kishin marrë rrugën e shtrembër në besimin e idhujve. Pikërisht në këtë natë në prag të mëngjesit, i vjen një zë nga Xhibrili “Ik’re” (lexo). Zëri i përsëritet tri herë radhazi derisa i thuhet: “Lexo, me emrin e Zotit tënd”. Pikërisht në këtë natë Muhamedi mori barrën e rëndë të profetësisë, të shpalljes së besimit islam.

Kur’ani ka zbritur në dy qytete, në Mekë dhe në Medine. Në Mekë u zbritën 2/3 e Kur’anit, kurse në Medine 1/3 e tij. Ajetet e zbritura në Mekë kanë karakter fetar, besimin në një Zot dhe Muhamedin si të dërguarin e Tij, besimin në ditën e gjykimit, urdhëron njeriun të pajiset me morale të larta, e thërret për drejtësi dhe mirësi, të mbajë premtimin e dhënë, të ketë frikë Zotin, të largohet nga çështjet që cenojnë moralin dhe e ndalon çdo gjë që është kundër të vërtetës, të falesh e të japësh zekatin, etj… Ndërsa ligjet apo problemet qytetare u plotësuan me zbritjen e sures “Bekare” dhe “En-Nisa” në Medine ku u formua dhe u konsolidua shteti.

Në shumë ajete të Kur’anit Zoti (xh.sh.) është betuar në krijesat e Tij, por ky betim është ndryshe nga betimi i njerëzve për krijimin e gjithësisë. Fjala hyjnore në formë betimi zbulon se punët e Zotit (xh.sh.) janë dy llojesh:

-Të dukshme dhe të kuptueshme

-Të vështira për t’u kuptuar.

Prandaj Zoti (xh.sh.) me diturinë e Tij të pafund, për të treguar të vërtetën e punëve të vështira dhe të padukshme ia ka sjellë njerëzimit në formë betimi, si dëshmues dhe vërtetues i tyre në formë krahasimi.

H. Muhamed mbajti një qëndrim të patundur për të përhapur rrugët e drejtësisë së Kur’anit, për të shuar errësirën e padijes së popujve barbarë. Pati shumë kundërshtime, por suksesi qe i shpejtë dhe u bënë transformime të thella, për një periudhë fare të shkurtër.

Myslimanët e të gjithë botës i ndjekin parimet e tij, i cili nuk predikoi vetëm në teori, por i zbatoi edhe në praktikë me shembullin e tij personal, si dhe u bë shembull për ndjekësit dhe vazhdon e do vazhdojë të jetë model i njeriut të përsosur, i dërguar i fundit i Zotit (xh.sh.) deri në fund të kësaj bote.

 (Revista Drita Islame, Korrik 2013)

You must be logged in to post a comment Login