Agjërimi, mjek i trupit dhe i shpirtit

ramazan-1024x819Feja islame nëpërmjet institucioneve të saj ka trasuar rrugën e madhështisë e të dinjitetit njerëzor. Një nga këto institucione është agjërimi. Thënia e famshme e Profetit tonë Muhamed a.s.: “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm”, nxjerr në pah vlerat kuruese të agjërimit. Shprehja “do të jeni të shëndetshëm” paraqet formën maksimale kurative për agjëruesin, në favor të dy pjesëve përbërëse të njeriut, të trupit dhe të shpirtit.

Agjërimi si institucion fetar dhe si subjekt mjekësor, është aq i vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Që me shfaqjen në tokë të njeriut të parë, midis shumë detyrash përkundrejt Krijuesit të tij, ishte edhe agjërimi, që prej tij të kish dobi si trupi ashtu edhe shpirti.

Mjekësia, si shkencë që merret me kurimin e defekteve të trupit, të lindura apo të fituara, agjërimin e sheh të studiuar apo të aplikuar në shërbim të përmirësimit apo edhe të shërimit të disa sëmundjeve apo të sistemeve në përgjithësi.

“Njeriu është mjek i vetvetes”, thotë babai i mjekësisë, Hipokrati. “Nëse trupi nuk është pastruar, sa më shumë ta ushqesh, aq më shumë e dëmton atë.”

Në mjekësi agjërimi quhet dietë urie dhe ai që e përdori i pari si të tillë në Evropë ishte mjeku francez E. Dui, në vitin 1887. Ai rekomandonte uri terapie në dy lloje: pjesërisht dhe gjithë ditën, duke pirë ujë vetëm për 25-30 ditë. Në këtë mënyrë, kur nuk ushqehemi nga goja, fillon të ushqyerit endogjen (i brendshëm) dhe trupi fillon të shfrytëzojë rezervat në mëlçi, muskuj, etj. Një terapi e tillë rekomandohej në rastet e sëmundjeve të lukthit, të zorrëve, të mënjanimit të lodhjeve fizike, të depresionit nervor, etj. Kështu, uria, armiku më i madh i njerëzve, bëhet njëkohësisht edhe miku më i madh i tij, shërues i vërtetë.

Në terapi të tilla, organizmi shpenzon dhjamin si dhe mbeturinat, kryesisht helmet e grumbulluara nga metabolizmi i parregullt, nga sëmundjet, ilaçet, etj. Bashkë me peshën e humbur nga uria, përmirësohet veprimi kardiovaskular, tensioni, humb aritmia dhe frymëmarrja e parregullt, forcohet tonusi i zemrës. Agjërimi si metodë e tillë kurimi, më vonë u bë i pranishëm në shumë klinika mjekësore.

Edhe sot, agjërimi në mjekësi paraqet bashkëkohësi, përparimi dhe i tillë do të jetë sa të jetë bota, sidomos kur masa intelektuale botërore e këtij fillim shekulli po e vërteton me vetëdije rëndësinë e tij.

Por agjërimi, përveç ndikimit që ka në trupin e njeriut, ka edhe një pikësynim tjetër dhe që i shtrin vlerat e tij në drejtimin më të vërtetë, më cilësor të tij, në atë të mjekimit të shpirtit.

Që në lashtësi e deri sot, njerëzimi ka menduar e ka kërkuar të kurojë e të lehtësojë edhe shpirtin, dhe këtë e ka kërkuar vetëm nëpërmjet një qëllimi: braktisjen e brengave. Të gjithë njerëzit, përkundër dëshirave, kërkesave e qëllimeve të ndryshme, nuk bëjnë asnjë lëvizje dhe nuk flasin asnjë fjalë e që me të nuk synojnë të dëbojnë brengën nga vetja. Kur është fjala për këtë synim, është e nevojshme të thuhet se njerëzit e shikojnë atë në mënyra të ndryshme, secili nga pikëpamja e vet.

Ka njerëz që nuk besojnë, prandaj nuk mendojnë fare për shpirtin; ka edhe të këqij që nuk dëshirojnë të mirën dhe të vërtetën. Ka që synojnë pasuri, ka që duan të mbeten të varfër, ka njerëz të urtë, të devotshëm, por ka edhe nga ata që nuk e çmojnë diturinë e mbesin në injorancë, sikurse shumica e botës së rëndomtë.

Këto janë mënyrat me të cilat njerëzit synojnë t’i dëbojnë brengat. Megjithatë, të ndarë në grupe, njerëzit synojnë të vijnë në një pikë graviteti: askush brengën nuk e konsideron të mirë dhe dëshiron ta largojë nga vetja. Këtë e kërkojnë të gjithë, edhe i padituri, edhe dijetari, edhe i miri, edhe i keqi. Por duke mos gjetur faktorin kryesor e të vërtetë për të gjithë, garojnë në planet e tyre. Ai që synon pasuri, kërkon të mos bjerë në brengën e varfërisë, ai që kërkon dituri i ruhet brengës së të paditurit, ai që kërkon shoqëri i largohet brengës që sjell vetmia. Disa nga këto brenga arrijmë t’i pakësojmë, disa të tjera na lindin, disa na kalojnë e disa na mbeten.

Synimi i vetëm dhe i vërtetë, ku njeriu duhet të përqendrohet për largimin e brengave, është feja. Feja në trajtën e vet  të përkryer, paraqet të vërtetën, e cila është në harmoni të plotë me nevojat e shpirtit të njeriut dhe prirjet e tij. Në fenë islame një nga këto të vërteta, dhe më e rëndësishmja në këtë drejtim, është agjërimi.

Agjërimi, përveç se është sprovë trupore, është para së gjithash sprovë shpirtërore. Në Islam, agjërimi është kohë e jashtëzakonshme me dimensione meditimesh të mëdha, të cilat i adresohen shpirtit nëpërmjet dy rrugëve: të humanizmit dhe të devotshmërisë. E para reflektohet me dhënien e lëmoshës, si forma më e lartë e fisnikërisë në drejtim të përmbushjes së nevojave  njerëzore. “O agjërues, mos e shuaj etjen dhe urinë e vetes tënde, por shuaj edhe urinë dhe etjen e të tjerëve”. Ky është akt i manifestimit publik të humanizmit. Ndërsa rruga e dytë, ajo e devotshmërisë, e arrin apogjeun e vet në dialogun me Allahun xh.sh. nëpërmjet zbatimit të udhëzimeve të Tij.

Vetëm agjërimi, domethënia e të cilit është largim, është institucion, me ligje, rregulla e këshilla, të cilat, si qëllim kryesor kanë mjekimin e shpirtit të njeriut. Çdo njeri i arsyeshëm nuk ndërmerr asnjë aksion, deri sa nuk e kupton qëllimin e tij dhe nuk përcakton cakun e tij. Qëllimin e agjërimit e gjejmë në domosdoshmërinë e tij si mjekues i shpirtit, i mbështetur në devotshmërinë e abstenimit të atyre faktorëve, që sjellin te njeriu brenga.

Për agjërimin, në Islam nuk mjafton që të vijë vetëm ana pasive materiale, e cila shprehet nga përmbajtja, nga ajo që ushqehet. Agjërimi para së gjithash është veprim aktiv shpirtëror, me të cilin ai që e kryen, arrin cakun, të cilin ia ka caktuar vullneti i Allahut. Pra, vullneti i agjëruesit përputhet nëpërmjet devotshmërisë dhe me vullnetin e Allahut.

Nëpërmjet rrugës së përkushtimit ndaj Allahut, zhvillohet mjekimi shpirtëror. Përkushtimi ndaj Tij është qëllimi i vërtetë i agjërimit, si abstenim ndaj të gjitha veprave, që te njeriu sjellin çorientim, degradim, dhe afirmim jonjerëzor.

Përkushtimi ndaj Allahut xh.sh., kjo vlerë e pamatur, i përket atij, i cili kontrollon qëllimet e veta dhe e bën maksimalisht të pastër nga dëshirat, që sjellin dobësi. Përkushtimi ndaj Allahut, që shprehet në këtë rast në agjërim, e përmban njeriun nga dëshirat, pasionet e ulëta, nga mallëngjimet e irritimet, që sjellin te njeriu vetëm brenga.

Dhe t’i braktisësh ato ka vetëm një mënyrë e ajo është të punuarit e të vepruarit në emër të Allahut. Këtë mundësi më së shumti na e jep agjërimi. Çdo mundësi tjetër është vetëm mashtrim e ngushtësi mendore.

Nuk ka send, në tokë e në qiell, që të mos e adhurojë Zotin, edhe pse nuk e kuptojmë mënyrën e adhurimit të tyre, me përjashtim të një pjese të njerëzve, të cilët, të mashtruar pas kënaqësive të përkohshme të kësaj jete, qëndrojnë larg adhurimit të tyre ndaj Zotit. Besimtarët agjërues janë krenarë e të gëzuar, për arsye se janë inkuadruar në adhurim ndaj Krijuesit të tyre, i janë bashkuar rreshtave të të gjitha sendeve dhe qenieve në ekzistencë, në adhurim. Agjërimi si adhurimi i përsosur në vlera, e bën njeriun të jetë i pajisur me virtyte të larta. Gjatë periudhës së agjërimit, njeriu ndihet më bujar me shoqërinë, e sidomos me pjesën më të varfër të saj, sepse duke agjëruar ai e ndjen vetë në praktikë urinë dhe vuajtjet e saj, prandaj tregon gatishmëri në ndihmë të tyre.

Agjërimi nuk është vetëm një provë, që bën ndërrimin e praktikës së përditshme jetësore, por është edukim fiziko-shpirtëror, i cili edukon si mendjen dhe qëllimet e saj, ashtu dhe trupin e shpirtin në dobi të vetes e shoqërisë.

Agjërimi është shprehja më e lartë e durimit, si metoda më e mirë për heqjen dorë nga epshi vetjak ndaj gjithë atyre elementeve që i sjellin dëm shoqërisë. Agjërimi është kohë lufte për njeriun në emër të Zotit. Luftë kundër gjithë asaj që është e dëmshme e pa vlerë për veten dhe shoqërinë. Thamë në emër të Zotit, sepse agjërimi është veprim i fshehtë dhe i vetmi në të cilin nuk mund të ketë hipokrizi. Njeriu ose agjëron në emër të Zotit, ose nuk agjëron fare.

Nuk ka qenie njerëzore në atë që nuk ka fe. I arsyeshmi për veten, nuk sheh shpërblim tjetër përveç atij që vjen prej Allahut. Ky është mësimi i Islamit në domethënien e tij të mirëfilltë dhe esenciale shpirtërore.

Allahu thotë: “Agjëroni për Mua, Unë jam shpërblyesi i tij”.

Ismail Muçej

You must be logged in to post a comment Login