Agjërimi është pastrim dhe falje mëkatesh

Dua etmekEbu Hurejre (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.)ka thënë : “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më parë.”[1]

Shpjegimi i hadithit

Hadithi profetik flet për vlerën e agjërimit të muajit të Ramazanit. Agjërimi i muajit të Ramazanit është shkak i larjes dhe fshirjes së gjynaheve dhe mëkateve. Profeti (a.s.) thotë: “Pesë namazet nga njëra-tjetra, nga xhumaja në të xhuma dhe nga Ramazani në Ramazan ka shlyerje të mëkateve nëse njeriu i largohet mëkateve të mëdha.”[2]

Është transmetuar gjithashtu nga Profeti (a.s.) se namazi, agjërimi dhe sadakaja e ruajnë njeriun nga sprovat që mund t’i bien në familjen, pasurinë dhe fqinjin e tij.

Ky hadith tregon se që mëkatet të shlyhen duhet të plotësohen tre kushte:

Kushti i Parë: Ta agjërojë muajin e Ramazanit me besim; besim tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, besim tek obligueshmëria e agjërimit të muajit të Ramazanit, me besim tek shpërblimi që Allahu ka përgatitur për agjëruesit.

Kushti i Dytë: Ta agjërojë muajin e Ramazanit duke shpresuar shpërblimin. Agjërimi i tij duhet të jetë i sinqertë vetëm për hir të Allahut, e jo për sy e faqe të njerëzve apo për ndonjë synim tjetër. Përkundrazi ai e shfrytëzon ditën sado që e gjatë të jetë ajo për të fituar sa më shumë shpërblime dhe sevape.

Kushti i Tretë: Ti largohet mëkateve të mëdha. Mëkat i madh konsiderohet çdo mëkat për të cilin sheriati islam ka vendosur një masë ndëshkimore për të, ose ai i cili e kryen atë mëkat është kërcënuar me ndëshkim në botën tjetër apo për arsye se Allahu është i zemëruar me atë vepër. Si për shembull: idhujtaria, kamata, ngrënia e pasurisë së jetimit, imoraliteti, magjia, vrasja, mosbindja ndaj prindërve, ndërprerja e lidhjeve farefisnore, dëshmia e rreme, përbetimi në rrenë, mashtrimi në shitblerje..etj. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ju i shmangeni mëkateve të mëdha për të cilat jeni të ndaluar për t’i vepruar, atëherë Ne ua falim mëkatet (e vogla) dhe ju fusim në vendbanime të nderuara.”[3]

Nëse myslimani agjëron muajin e Ramazanit duke i plotësuar kushtet e lartpërmendura, Allahu i Lartësuar nëpërmjet agjërimit i fal të gjitha gjynahet dhe mëkatet e vogla, nëse njeriu i shmanget gjynaheve të mëdha ose është penduar prej tyre.

Në lidhje me mëkatet e mëdha, dijetarët janë të mendimit se ato nuk mund të shlyhen nga veprat e mira që kryen njeriu, por kërkohet domosdoshmërish që njeriu të pendohet.

Prandaj, në këtë muaj të begatë myslimani duhet të shpejtojë që të pendohet sa më parë që të jetë e mundur. Të pendohet nga të gjitha mëkatet; të voglat apo të mëdhatë. Ndoshta Allahu e pranon pendesën e tij dhe ia fal mëkatet. Ai i cili e ngjyros jetën me mëkate dhe gjynahe në dëgjimin, shikimin, gjuhën apo me shqisat e tij, në të vërtetë ai e ka humbur rastin për të pastruar veten dhe që t’i falen mëkatet. Në këtë rast ai nuk e meriton faljen që i është premtuar, përkundrazi mund të jetë pjesë e lutjes së Xhibrilit. Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) duke ngjitur shkallët e minberit tha tre herë: Amin. O i Dërguar i Allahut! Kur ngjite shkallët e minberit the tre herë: Amin – e pyetën të habitur. Profeti (a.s.) tha: “Më erdhi Xhibrili (a.s.) dhe më tha: Atij që e arrin muaji i Ramazanit dhe nuk i janë falur mëkatet, hyn në zjarr dhe është shumë larg Allahut. Ai më tha: thuaj Amin dhe unë thashë..”[4]

Prandaj, agjëruesi duhet të bëjë çmos që t’i falen mëkatet dhe të fitojë kënaqësinë e Allahut duke agjëruar, falur dhe duke kryer të gjitha obligimet. Po ashtu ai duhet të largohet nga ato mëkate dhe gjynahe që janë shkak i privimit nga mirësia e Ramazanit. Agjëruesi duhet të veprojë në këtë formë për të marrë si shembull dhe modelin më të mirë Profetin (a.s.). Dijetari i shquar Ibnu Kajm El Xheuzije thotë: “Në muajin e Ramazanit Profeti (a.s.) e kishte për zakon të kryente sa më shumë punë të mira. Ai ka qenë njeriu më bujar, ndërkohë që gjatë muajit të Ramazanit ka qenë edhe më bujar. Gjatë këtij muaji ai jepte më shumë sadaka, ka qenë bamirës i madh, lexonte më shumë Kur’an, falej shumë, e përmendte Allahun dhe bënte itikaf në xhami. Në këtë muaj ai e adhuronte Allahun shumë më tepër seç mund ta adhuronte në muajt e tjerë.”

/Elton Harxhi-Drita Islame/


[1]  Transmetojnë Buhari dhe Muslimi.

[2]  Transmeton Muslimi.

[3]  Sure Nisa: 31.

[4]  Transmetojnë Ahmedi, El Bejhaki dhe Ibnu Huzejme nga Ebu Hurejra.

You must be logged in to post a comment Login