Agjërimi dhe njeriu

DSC_0203

nga Blerim Ciroka, Londër

Agjërimi është një ndër pesë shtyllat e Islamit. Zoti na urdhëron drejtpërsëdrejti të agjërojmë. Agjërimi fillon që nga koha e hershme e mëngjesit dhe përfundon me perëndimin e diellit. Agjërimi zgjat 30 ditë dhe ditët janë të caktuara, ata nuk mund të ndryshohen. Përjashtohen nga agjërimi fëmijët, të sëmurët, udhëtarët e distancave të largëta, dhe rastet e ngjashme e të veçanta, kur personi nuk mund të agjërojë. Krahas kësaj justifikime si puna, stina e verës, koha e gjatë e agjërimit, pirja e duhanit e të ngjashme nuk konsiderohen shkaqe të mjaftueshme të lënies se agjërimit.  Agjërimi është praktikuar edhe në fetë dhe popujt para nesh. Agjërimi urdhërohet qartë në Bibël, në Teurat si dhe në Kur’an. Krahas kësaj agjërimi ndiqet edhe nga njerëz jo të fesë me qëllime kuruese.

 Agjërimi është një adhurim shumë i gjerë. Ai fillon nga qëllimi, largimi nga ngrënia e pirja, pastrimi shpirtëror i individit, vetëkontrolli për sa veprojmë a punojmë, largimi nga çdo gjë që praktikisht e thyen agjërimin, qëndrimi larg nga çdo gjë e ulët që ia zbeh vlerat dhe dobitë e agjërimit. Agjërim do të thotë të ndërgjegjësohesh, do të thotë të të zbutet zemra, do të thotë të jesh njerëzor, do të thotë tëjesh më i mëshirshëm, do të thotë ta ndjesh se je krijesë njerëzore si të gjithë të tjerët. Të agjërosh do të thotë të mësosh në praktikë se pa furnizimin e Zotit tënd ti je asgjë. Të agjërosh do thotë të kesh më shumë mëshira ndaj vetes, ndaj prindërve tuaj, ndaj bashkëshortes tënde, do të thotë më shumë kujdes ndaj të gjithë njerëzve të tjerë. Agjërimi yt është dëshmi e besimit të pastër në Një Zot të Vetëm dhe përkushtimit tënd ndaj Mësimeve Hyjnore. Të agjërosh do të thotë të kesh kohë më shumë gjatë ditës. Të agjërosh do të thotë të ruash ekuilibrin mes besimit në Zotin dhe dashurisë ndaj kësaj botë kalimtare! Të agjërosh do të thotë ç’viktimizim nga sjelljet dhe fjalët e kota, do të thotë më shumë adhurim, më shumë qetësi, më pak ndrydhje shpirtërore e emocionale. Të agjërosh do të thotë më shumë kthjellim në të menduar.

 Të agjërosh siç duhet do të thotë që çdo ditë do të ndjesh një ndjesi tejet të veçantë. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), ka thënë: “Besimtari ka dy gëzime; një herë kur bën iftar (ha darkën e agjërimit) dhe kur takohet me Zotin e tij.” Takimi me Zotin e tij për një besimtar të përkushtuar dhe të bindur do jetë momenti me i lumtur i qenies së tij. Çasti kur Zoti i Madhërueshëm do i thotë besimtarit: “Të lumtë, ti u përpoqe shumë, ishe i bindur dhe zbatove çfarë të urdhërova. Tani ja ku është parajsa, qëndro aty përjetësisht i qetë me të mirat e saj.” Padyshim që ky do të jetë çasti më i lumtur, që njeriu ka përjetuar ndonjëherë. Të njëjtën gjë Profeti a.s. na mëson besimtari e përjeton çdo darkë kur ushqehet gjatë muajit të Ramazanit, pas një agjërimi dinjitoz. Kjo kënaqësi na mjafton, edhe sikur të mos kemi përfitime të tjera nga agjërimi.

“Agjëroni që të jeni të shëndetshëm”, thotë Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të). Thënë ndryshe, agjëroni që të keni kolesterol e yndyrë më pak në gjak, agjëroni që të jeni më të lehtë, agjëroni që të jeni më të gjallë, agjëroni që të mos ju kap obeziteti dhe kompleksi i shëndetit të tepërt. Agjëroni që t`i bëni ballë sëmundjeve më lehtë. Agjëroni që të mos përfundoni në mëshirën e barnave. Mjekësia vërteton çdo ditë e më shumë se agjëruesit i kapërcejnë me lehtë sëmundjet e ndryshme, se sa ata që nuk agjërojnë.

Në fund të fundit të agjërosh do të thotë një vakt ushqimi dhe pak ujë më pak. Gjithsesi ne ushqehemi herët në mëngjes dhe në darkë kur perëndon dielli. Të lësh një pjatë pa ngrënë por të kënaqesh Zotin tënd, të përfitosh në këtë botë dhe në të amshueshmen, të fitosh shëndetin e mirë, të forcosh dinjitetin tënd si qenie njerëzore ia vlen. Pikërisht dinjitet dhe lartësimi moral do të thotë të agjërosh, kur je në gjendje t`i kontrollosh sytë e pasionet e tjera, që janë të padenja, që janë vetëm se tradhti e mashtrim.

 Si njerëz ne kemi nevojë për agjërim. Kemi nevojë për agjërim kur mashtrimi e dyfytyrësia janë bërë normë. Kemi nevojë për agjërim kur fëmija s`ka respekt ndaj prindërit e prindi s`ka mëshirë ndajë fëmijës. Kemi nevojë për agjërim në këtë kohë kur droga e alkooli po e shkatërrojnë këtë shoqëri me pasoja të pallogaritshme, në këtë kohë kur darkave të fundjavave nuk ke shumë dëshirë të dalësh rrugëve të qytetit (Londrës) nga atmosfera e shfrenuar e alkoolit, ku aroma e hashashit ndjehet në çdo cep të qytetit.

Agjërimi dhe Ramazani ngërthejnë në vetvete një natë që është më e mirë se një mijë muaj, Nata e Kadrit. Një mijë muaj është jeta e njeriut prej 83 vitesh. Për sa i përket vlerës, Zoti ka bërë që gjatë këtij muaji të madh të kemi mundësinë të përjetojmë e përfitojmë sa përfitojmë gjatë gjithë jetës tonë në aspektin shpirtëror. Gjatë këtij muaji djajtë janë të prangosur dhe ndikimi i tyre tek besimtarët e sinqertë është i papërfillshëm. Besimtari është me i lehtë dhe më i gatshëm për të bërë vepra të mira. Gjatë këtij muaji veprat e mira shumëfishohen më shumë se sa gjatë muajve të tjerë. Kështu është, kështu e ka caktuar Zoti i Lartmadhëruar.

Agjërimi është një nevojë për ne dhe shoqërinë tonë. Është një nevojë në këto ditë kur njeriu po përjeton gjendje me vuajtje dhe pasoja marramendëse. Në këtë kohë kur po dëgjohet jo pak ndasia bashkëshortore si rrjedhojë e tradhtisë, si rrjedhojë e pasimit të epsheve dhe pasioneve në mënyrë kafshërore e të turpshme, agjërimi mbetet një shumë efikase dhe po aq organike për ta ndihmuar njeriun e sotëm.

You must be logged in to post a comment Login