Agjërimi dhe Mëkëmbësi i Allahut

S’ka dyshim se Allahu i Madhëruar e ka obliguar agjërimin e Ramazanit për qëllime të larta dhe urtësi të rëndësishme. Besimtarit i del për detyrë të meditojë dhe perceptojë urtësinë e Allahut që qëndron pas kësaj urie dhe etje dhe të konstatojë objektivin dhe sekretin e agjërimit, me qëllim që ky obligim të kryhet ashtu siç e dëshiron Allahu dhe jo si e lakmojnë njerëzit.

 

ramazan

nga Sabahudin JASHARI

 

Islami karakterizohet nga një larmi adhurimesh. Adhurime që demonstrohen nëpërmjet fjalëve siç janë duaja, dhikri i Allahut, urdhri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, mësimi i të padijshmit etj. Adhurime që pasqyrohen përmes veprave fizike aktive siç është namazi, financiare siç është zekati dhe të dyfishta siç është haxhi. Adhurime që s’janë as thirrje dhe as vepra aktive, por që demonstrohen përmes privimit apo ndalimit nga të ngrënit dhe të pirët e nevoja të tjera të natyrshme prej agimit e deri në perëndim të diellit, siç është agjërimi.

Por duhet pasur parasysh se ky lloj privimi, pavarësisht se në aparencë duket pasiv, në realitet dhe në esencën e tij është një vepër aktive, për arsye se është ndalim i egos nga diçka që e lakmon për hir të Allahut të Madhëruar. Kështu që është një punë e vullnetshme që ka rëndësinë dhe peshën e vet në peshoren e të drejtës, të së mirës dhe pranimit tek Allahu i Madhëruar.

Gjithçka e trajtuar më sipër konfirmon faktin se nijeti është standardi vlerësues në çdo veprim. Vetë feja nuk është gjë tjetër veç veprimit dhe privimit, veprim të urdhrave obligative apo stimulues dhe ndalim nga gjëra absolutisht të ndaluara apo relativisht të ndaluara.

Agjërimi është një adhurim i vjetër i njohur edhe në fetë e tjera para Islamit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Megjithatë duhet pasur parasysh se agjërimi i Islamit ndryshon nga të gjitha llojet e agjërimeve të tjera. Këtij adhurimi të madh, agjërimit, Allahu i Madhëruar i ka zgjedhur një muaj të begatë dhe bujar, i cili gëzon një pozitë dhe respekt të veçantë në zemrat dhe shpirtrat e myslimanëve. Është muaji në të cilin ka zbritur grupi i parë i ajeteve kuranore të mbartura nga Xhibraili për te zemra e më të nderuarit profet: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi.” Ky muaj të cilin e përzgjodhi Allahu i Madhëruar për të zbritur librin e Tij më të mirë për te krijesa e Tij më e nderuar është realisht i obligueshëm që në të të obligohet ky adhurim i madh vjetor. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji Ramazan në të cilin ka filluar zbritja e Kur’anit i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i së vërtetës nga gënjeshtra. E kush e përjeton këtë muaj duhet ta agjërojë, e kush është i sëmurë apo në udhëtim, le t’i kompensojë me ditë të tjera. Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin…” (Bekare,185)

 Pse agjërojmë?

S’ka dyshim se Allahu i Madhëruar e ka obliguar agjërimin e Ramazanit për qëllime të larta dhe urtësi të rëndësishme. Besimtarit i del për detyrë të meditojë dhe perceptojë urtësinë e Allahut që qëndron pas kësaj urie dhe etje dhe të konstatojë objektivin dhe sekretin e agjërimit, me qëllim që ky obligim të kryhet ashtu siç e dëshiron Allahu dhe jo si e lakmojnë njerëzit.

Agjërimi dhe njeriu

Nuk mund ta përcaktojmë dhe perceptojmë drejt objektivin e këtij adhurimi vetëm nëse përcaktojmë drejt realitetin e njeriut. Pra kush është njeriu?! Cili është realiteti i tij?! Mos vallë njeriu është ky trup apo skelet që rri në këmbë?! Apo është thjesht ky grup sistemesh, qelizash, mishi, gjaku, kockash dhe nervash?

Për hir të së vërtetës, nëse njeriu do të ishte vetëm kaq, nuk do kishte gjë më të pavlerë e të parëndësishme.

Atëherë ç’është në të vërtetë njeriu?!

Njeriu, mëkëmbës i Allahut në tokë

 Allahu i Madhëruar i njoftoi me madhështi krijesat e Tij më të pastra, engjëjt, për krijimin e njeriut dhe këtë nuk e bëri për krijesat e tjera, gjë që tregon se njeriu do të kishte një pozitë dhe rol të veçantë në këtë gjithësi. (Kujto, o Muhamed) kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës.” (Bekare, 30)

Allahu e prezanton krijesën e Tij të re me cilësinë dhe karakteristikën e tij dalluese, mëkëmbës në tokë. Pra njeriu do të ishte i autorizuari i Allahut në tokë për ta organizuar jetën nën hijen e udhëzimit hyjnor. Por këtij roli kaq të madh dhe të lartë i duhen dhe i nevojiten mundësi dhe faktorë të realizimit të tij dhe për këtë Allahu i Madhëruar e pajisi njeriun dhe i mundësoi tre faktorë vendimtarë:

I pari: Natyra e dyfishtë e krijimit të njeriut, shpirt dhe trup, apo natyrë engjëllore – qiellore dhe natyre materiale – tokësore.

(Përkujto) kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë dhe me erë. E kur ta përsos atë (në formën e njeriut), do t’i jap atij shpirtin që është krijesë Imja, atëherë ju bini ne sexhde për të.” (Hixhr, 28-29)

I dyti: Ambienti i përshtatshëm për ta luajtur këtë rol që është toka dhe gjithësia. “A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj çka në qiej e çka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta…” (Lukman, 20)

 I treti: Metoda hyjnore udhëzuese dhe përcaktuese e mënyrës dhe rrugës së realizimit me sukses te këtij roli, shpallja apo Kur’ani. “Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për të devotshmit!” (Bekare, 1-2)

Thamë me lart se njeriu gëzon natyrë të dyfishtë krijimi, atë engjëllore dhe atë tokësore. Vetëm me anë të kësaj natyre, kjo krijesë mund të ndërtojë marrëdhënie të natyrshme efikase me të dy faktorët e tjerë vendimtarë për realizimin e rolit mëkëmbës në tokë nëpërmjet ambientit të përshtatshëm dhe metodës hyjnore, Kur’anit.

Natyra shpirtërore-engjëllore i mundëson njeriut të lidhet natyrshëm me shpalljen e Allahut të Madhërueshëm, ta kuptojë, ta perceptojë dhe ta mbartë atë. Ndërsa natyra e tij materiale-tokësore i mundëson zbritjen në tokë të kësaj metode hyjnore, apo ta jetësojë atë. Mirëpo, këto marrëdhënie dydimensionale me Kur’anin dhe tokën, nuk mund të ndërtohen dhe të ruhen përjetësisht, nga natyra e dyfishtë e njeriut vetëm nëse dy përbërësit e natyrës së tij, trupi dhe shpirti e ruajnë harmoninë origjinale në të cilën e ka krijuar Allahu i Madhërueshëm.

Roli i njeriut dhe synimi i agjërimit

Pikërisht këtu del plotësisht në pah synimi dhe sekreti i agjërimit. Në këtë pikë kuptojmë se synimi i agjërimit lidhet ngushtë me rolin e njeriut si mëkëmbës në tokë, pra me thelbin e ekzistencës se tij. “O ju besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte edhe për ata para jush me qëllim që të bëheni të devotshëm!” (Bekare, 183). Pra për të qenë të denjë për rolin me të cilin jeni ngarkuar dhe për t’u ngritur në nivelin e përgjegjësisë së duhur.

Allahu i Madhëruar për hir të ruajtjes së harmonisë trup-shpirt ka vendosur stacione apo kohë inventari ku njeriu të vetanalizohet dhe të furnizohet me pajisjet e nevojshme që ruajnë natyrshmërinë e tij, harmoninë trup-shpirt. Allahu ka përcaktuar stacione ditore, pesë kohët e namazit, stacione javore siç është dita e xhuma, stacione vjetore siç është Ramazani dhe stacion një herë në jete siç është haxhi. Por pa përjashtuar këtu aspak preokupimin dhe shqetësimin e vazhdueshëm për mbarëvajtjen e relatave shumë dimensionale që demonstrohen dhe manifestohen përmes përkujtimit të pandërprerë të Allahut dhe pendimit nga mëkatet.

Në këtë stacion vjetor, Ramazanin, besimtari me frerin e tij të besimit ndalon për të bërë bilancin e tij. Ku është me veten, me shpirtin dhe trupin e tij?! A vazhdon të jetë njeri apo e ka munduar natyra tokësore?! Ku është me Zotin dhe me shpalljen që Ai i ka zbritur për t’i ndriçuar rrugën drejt objektivit të ekzistencës?! Ku është me shoqërinë ku jeton?! A ndikon në këtë shoqëri të ngrihet dhe të lartësohet, apo me sjelljet dhe veprat e tij e shtyn drejt humnerës?! Ku është me ambientin ku jeton?! A e ka lulëzuar dhe zbukuruar sipas dëshirës hyjnore?! A e ka organizuar jetën në të sipas metodës Kuranore, apo e ka shndërruar në shtëpi të përjetësisë dhe pistë konkurrimi për jetë a vdekje?!

Pra, Ramazani për besimtarin është stacioni i analizës së tij multidimensionale e cila i mundëson afrimin drejt qëllimit të ekzistencës. Me këtë inventar bëhet edhe pajisja me aftësinë për të ndërtuar raportet e natyrshme me Allahun, pra me udhëzimin apo metodën e Tij hyjnore e në të njëjtën kohë me aftësinë për të reflektuar sipas kësaj metode. Përvetësimit të kësaj gatishmërie apo aftësie, në këtë muaj të bekuar, i shërbehet përmes adhurimeve intensive që kryhen duke filluar nga agjërimi e më pas namazi, itikafi, sadakaja e fitrit, dhikri dhe të gjitha punët e tjera të mira.

Ramazani dhe Kur’ani

Ramazani ndryshe mund të quhet edhe muaji i Kur’anit. Kjo për shumë arsye, por këtu po mjaftohemi me dy prej tyre.

E para: Allahu e përmend Kur’anin në të njëjtin kontekst me Ramazanin.

“Muaji Ramazan në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe sqarim e dallues i të drejtës nga e kota” (Bekare, 185). Siç njofton Allahu se Kur’anin e ka zbritur në Natën e Kadrit dhe kjo natë është në Ramazan.

E dyta dhe më e rëndësishmja: Ky muaj realisht është një shkollë apo institucion Kur’anor. Është muaji i përjetësimit të Kur’anit, muaji i stërvitjes kuranore, muaji në të cilin gatishmëria e përjetësimit të normave kuranore është në gradën më të lartë të mundshme. Është universitet me dyer të hapura për të gjithë dhe me kushtet dhe konditat maksimale të arritjes së suksesit dhe kalueshmërisë. Universitet, në të cilin dështon vetëm ai që nuk e dëshiron suksesin, nuk dëshiron të kalojë. Ja se ç’thotë profeti Muhamed (a.s.): “I dështuar me të drejtë konsiderohet ai që ka arritur Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet.”

Ramazani dhe Shpërblimi

Gatishmëria dhe aftësia e përjetësimit të natyrshëm të Kur’anit në këtë muaj stimulohet fuqishëm edhe përmes sevapeve të shumëfishuara të punëve të mira. Pra, Allahu e shtyn robin e Tij në këtë muaj drejt gradave më të larta të devotshmërisë përmes shpërblimeve të panumërta.

Profeti (a.s.) thotë: “Puna e mirë vullnetare në këtë muaj ka shpërblimin e një farzi, ndërsa kryerja i një farzi ka sevapin (shpërblimin) e 70 farzeve.”

“Kush agjëron Ramazanin me besim në peshën dhe rëndësinë që ka te Allahu si dhe duke pritur sevapin prej Tij, i falen të gjitha gjynahet që ka bërë më parë.”

“Atë që e gjen nata e Kadrit duke adhuruar Allahun duke besuar dhe shpresuar shpërblimin e Allahut, i falen të gjitha mëkatet që ka kryer më përpara.”

 “Të gjitha punët e birit të Ademit janë për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë di ta shpërblej në formën më të mirë.”

Por ajo që ka shumë rëndësi të mësohet, është koncepti se shpërblimi i agjërimit dhe i të gjitha adhurimeve të tjera është nxitje për të arritur gradat e larta të devotshmërisë. Pra, është rezultat i arritjes dhe realizimit të objektivit të agjërimit dhe jo qëllim në vetvete. Sepse nëse kur agjërojmë kemi parasysh vetëm sevapin e tij dhe jo objektivat që duhet të arrijmë te vetja jonë përmes këtij adhurimi, atëherë sevapi bëhet i pameritueshëm. Si shembulli i një nëpunësi që lodhet shumë gjatë orarit të punës, por pa realizuar detyrën dhe përgjegjësinë e ngarkuar. Është e natyrshme që ky nëpunës nuk meriton shpërblimin mujor.

Këtë ka për qëllim edhe thënia e profetit Muhamed (a.s.), sipas së cilës: “Kush nuk i largohet gënjeshtrës, mashtrimit dhe veprave të dëmshme, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij.”

Merita e shpërblimit nuk varet nga të agjëruarit, por nga realizimi i objektivit të agjërimit, nga devotshmëria. Sa më lart ta ngremë veten përmes agjërimit, aq më i madh është sevapi; sa më shumë të reflektojmë gjatë këtij adhurimi, ndaj lidhjeve me Allahun, me veten, me shoqërinë dhe me ambientin ku jetojmë, aq më e madhe është kënaqësia e Allahut ndaj nesh. Këtë e pohon edhe ajeti vijues kuranor:

“Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte edhe për ata para jush në mënyrë që të bëheni të devotshëm”, pra, që të arrini devotshmërinë.

Objektivat specifikë të agjërimit

Ky adhurim madhor me dobi kaq të shumta na lejon dhe na krijon mundësinë të futemi pak më thellë në të, për të parë në mënyrë më specifike sekretet dhe urtësitë e tij.

Agjërimi, edukim për shpirtin

Më sipër saktësuam konceptin se njeriu nuk është ky fizik apo trup që shohim me sy, por kuptimin e vërtetë e merr përmes shpirtit të dhënë prej Allahut. Kështu që trupi është shtëpia e banuesit qiellor, shpirtit. Por ja që njeriu shpesh kujdeset për shtëpinë më shumë se për banuesin e saj. Neglizhon shpirtin dhe adhuron trupin e tij. Shpesh lodhet vetëm për trupin, punon dhe rreth barkut të tij vërtitet. Nëse njeriu ia nënshtron dëshirat e shpirtit, trupit dhe epshet e tij i bën komandues të mendjes, kthehet në një kafshë të ulët dhe djall të dëbuar.

Kësaj i thërret poeti besimtar:

“O rob i trupit tënd që lodhesh shumë në shërbim të tij.

A kërkon fitimin tek një tregti e humbur?

Ktheju shpirtit tënd dhe lartësoi vlerat e tij.

Se ti me shpirt dhe jo me trup je njeri.

E nëse njeriu i jep përparësi vlerave shpirtërore mbi instinktet trupore, ngrihet në nivele edhe më të larta se engjëjt.

 “Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, janë krijesat më të mira.” (Bejineh, 7)

Për këtë Allahu obligoi agjërimin, që njeriu të çlirohet nga pushteti i epsheve dhe të çlirohet nga burgu i trupit, të ngrihet në nivelin e portave të duasë e kur troket, t’i hapen dyert.

“Tre lutje nuk kthehen mbrapsht, e agjëruesit kur e çel agjërimin, e udhëheqësit të drejtë dhe e atij që i është bërë padrejtësi.” (Transmeton: Tirmidhiu, Imam Ahmedi, Ibnu Maxheh.

Agjërimi është shëndet

Agjërimi krahas edukimit të shpirtit është edukim dhe për trupin. Sepse shumë prej sëmundjeve janë pasojë e stomakëve të mbushur e të tejngopur.

Profeti (a.s.) thotë: “Njeriu nuk mbush enë më të keqe se stomaku i tij. Birit të Ademit i mjaftojnë disa kafshata sa për ta mbajtur drejt shpinën. E nëse dëshiron të hajë më shumë se kaq, një të tretën le t’ia lërë ushqimit, një të tretën ujit, e pjesën tjetër ajrit.”

Edukimi i vullnetit dhe i durimit

Nuk mund të ketë shkollë për edukimin e vullnetit dhe të durimit, si shkolla e detyrueshme e agjërimit që i hap dyert e saj një muaj në vit.

Çfarë e ndalon njeriun të mos hajë, të mos pijë e të kufizohet ndërkohë që gjithçka e ka pranë?! Gjë e cila përsëritet 12 apo më shumë orë në ditë dhe 29-30 ditë në vit? S’ka gjë tjetër veç vullnetit dhe durimit të ndërgjegjshëm e të lirë që janë të lidhura me Allahun.

“O ju të rinj, kush ka mundësi le të martohet sepse martesa të ruan shikimin dhe nderin. E nëse s’keni mundësi, atëherë agjëroni, sepse ai është mburojë për ju”, këshillon Profeti Muhamed (a.s.).

Duke u nisur nga fakti se agjërimi të mëson durimin, Profeti (a.s.) e ka quajtur muaji i Sabrit (Durimit).

“Çdo gjë ka zekat, zekati i trupit është agjërimi dhe agjërimi është gjysma e durimit.” 

Agjërimi është gjysma e durimit duke ditur se te njeriu qëndrojnë tre lloj forcash, forca epshore si te kafshët, forca e irritimit si te egërsirat dhe forca shpirtërore si te engjëjt. E nëse forca e tij shpirtërore mund njërën prej dy të parave, kjo do të thotë se ka fituar gjysmën e betejës.

Forca e përballimit të sfidave

Islami është fe e dinamizmit dhe ndryshimit dhe jo e dorëzimit dhe fatalizmit. Misioni i ndryshimit patjetër që përballet me sfida. Ai që nuk e mund veten dhe epshet e tij nuk mund të mposhtë sfidat me të cilat përballet. Ndërkaq, ai që nuk duron urinë e një dite nuk mund të durojë ndarjen për shumë kohë nga familja dhe vendi i tij për hir të objektivave të mëdha.

Mirënjohje ndaj mirësive të Allahut

Të jetuarit e vazhdueshëm me mirësitë dhe begatitë e Allahut, shpesh e humb ndjesinë e vlerësimit të tyre dhe ul nivelin e falënderimit të tyre. Kështu, duke u shkëputur për një farë kohe nga këto begati, ndjenja e vlerësimit dhe e falënderimit të tyre rigjenerohet.

Transmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar më ofroi të ma shndërronte luginën e Mekës në flori. Unë i thashë: O Allah, më mirë pranoj një ditë të ngopem e një ditë të kem uri. Kjo është më e mirë për mua. Sepse kur më kap uria, të kthehem Ty e të të kujtoj. E kur ngopem, të falënderoj Ty.”

Përkujtim dhe përjetimi i gjendjes se të varfërve dhe të privuarve

Përjetimi praktik i të varfërve është sekret apo urtësi shoqërore e agjërimit. Është një kujtesë që nuk vjen nga zëri i predikimeve dhe fjalimeve, por nga zëri i zorrëve dhe stomakut. Mbase ai që është rritur në djepin e bollëkut, mendon se s’ka prej atyre që vuajnë për bukën e gojës. Ndërsa agjërimi është rast që të gjithë të përjetojmë gjendjen e të vobektit e si rrjedhojë të kujtohemi për të.

Transmetohet se profeti i Allahut, Jusufi (a.s.) agjëronte shpesh pavarësisht se ishte administrator i hambarëve të tokës. Kur u pyet pse e bënte këtë, ai tha: “Kam frikë se nëse ngopem harroj urinë e të varfrit dhe të vobektit.”

Agjërimi, dorëzim i plotë përpara Allahut

Përmes agjërimit demonstrohet dorëzimi i plotë para Zotit të gjithësisë si dhe bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij. Ky dorëzim është i përbashkët për të gjitha adhurimet, por del në pah përmes agjërimit më shumë se kurdoherë tjetër. Besimtari çdo gjë e ka para syve të tij, ujin, ushqimin e të tjera, por bindja ndaj Allahut dhe dashuria për Të e bëjnë që të mos u afrohet. Për këtë, Allahu e specifikon agjërimin duke ia atribuuar Vetes dhe duke sipërmarrë në formë të drejtëpërdrejtë shpërblimin e tij.

“Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë di si ta shpërblej. Robi im lë ushqimin, ujin, kënaqësitë e tij për Mua!”

Ky është agjërimi në Islam. Allahu nuk e ka bërë ligj për të torturuar njerëzit e Tij, por për të zgjuar shpirtin, shëndoshur trupin, për të forcuar vullnetin, për të përfituar durimin, për të ngjallur ndjenjën e falënderimit, për të edukuar ndjenjën e mëshirës dhe dorëzimin ndaj Zotit të gjithësisë, e kështu njeriu të ngjitet në gradat më të larta të devotshmërisë për të qenë me të drejtë mëkëmbës i Allahut të Madhëruar në tokë.

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login