A lejohet t’i paraprish Ramazanit me agjërim?

 

Ebu Hurejre transmeton nga Profeti (a.s.) i cili ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit duke agjëruar një ose dy ditë përpara tij, përveç një personi që ka pasë agjëruar më përpara.”[1]

Hadithi profetik flet qartë për ndalimin e agjërimit përpara ardhjes së Ramazanit. Nuk është e lejueshme që një njeri të agjërojë një ose dy ditë përpara Ramazanit me synimin se ai po përgatitet për të agjëruar gjithë muajin. Një veprim i tillë është i ndaluar ngase agjërimi është një adhurim që kryhet në një kohë të caktuar, që fillon me daljen e hënës së re. Kjo lloj praktike konsiderohet si tejkalim i urdhëresave të Allahut. Imam Et Tirmidhi ka thënë: “Dijetarët nuk e kanë parapëlqyer që një njeri të agjërojë përpara se të hyjë muaji i Ramazanit.” Po ashtu nga ky hadith nënkuptojmë edhe faktin se është e ndaluar agjërimi në ditën e dyshimtë.

Ndërsa, ai njeri që e ka për zakon të agjërojë vazhdimisht, si p.sh.: të hënën dhe të enjten, apo një ditë po dhe një ditë jo, dhe rastis që dita kur i bie për të agjëruar është një ose dy ditë përpara Ramazanit, për të nuk ka problem nëse agjëron. Po ashtu ai person që ka për të shlyer një agjërim farz, si p.sh.: agjërim të zotimit, dëmshpërblimit apo kaza të Ramazanit të kaluar, i lejohet të agjërojë, sepse ky agjërim nuk konsiderohet si parapritje e Ramazanit.

Nëse  dikush thotë: Si mund t’i japim përgjigje hadithit të Amran ibnu Husejnit që transmeton se Profeti (a.s.) i është drejtuar një personi me këto fjalë: “A ke agjëruar në përfundim të këtij muaji (d.m.th. muajit Shaban)? Jo – u përgjigj ai.”[2] Ky hadith është argument i qartë për agjërimin në fund të muajit Shaban.

Përgjigja është kjo: Ndërmjet këtij hadithi dhe hadithit të Ebu Hurejeres të sipërpërmendur nuk ka kundërthënie. Pasi interpretimi i hadithit të Amranit është se personi të cilin e pyeti Profeti (a.s) e kishte pasë zakon që të agjëronte gjithmonë në fund të Shabanit. Ndërkohë që ky person e la agjërimin nga frika se një gjë e tillë përpara Ramazanit është i ndaluar dhe ndoshta nuk e kishte dëgjuar fjalën e Profetit: “përveç një personi që ka pasë agjëruar më përpara.” Prandaj Profeti (a.s.) e sqaroi duke i thënë se ky lloj agjërimi nuk ka të bëjë me ndalesën. Madje Profeti (a.s.) e urdhëroi që duhet t’ i plotësojë ato ditë agjërimi që i la mangët për të vazhduar adhurimin që e kishte bërë zakon se puna më e dashur tek Allahu është ajo që është e vazhdueshme.

Po ashtu transmetohet një hadith tjetër nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur të vijë gjysma e muajit Shaban, mos agjërojë askush prej jush.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur të vijë gjysma e muajit Shaban, mos agjëroni deri në Ramazan.”[3]

Interpretimi i këtij hadithi ka të bëjë me atë njeri që dëshiron të agjërojë vullnetarisht duke filluar pas gjysmës së muajit Shaban. Ndërsa ai njeri që e ka për zakon që të agjërojë ditën e hënë dhe të enjte, apo që agjëron një ditë po dhe një ditë jo, apo bashkon gjysmën e parë me gjysmën e dytë të muajit Shaban, apo ka për të agjëruar agjërim kaza, nuk e ka të ndaluar të agjërojë.

Transmetohet se Profeti (a.s.) ka pas agjëruar në muajin Shaban. Aishja (r.a.) kur është pyetur rreth agjërimit të Profetit (a.s.), ka thënë: “Agjëronte përgjatë gjithë muajit Shaban derisa e bashkonte me muajin Ramazan.”

Ky hadith nuk bie ndesh me hadithin e Ebu Hurejres, sepse agjërimi i Profetit (a.s.) në muajin Shaban ka qenë zakon dhe automatikisht përkon me fjalën e Profetit (a.s.): “…përveç një personi që ka pas agjëruar më përpara.”

 


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Transmeton imam Buhariu.

[3] Transmeton imam Ebu Daudi. Dijetarët e hadithit në lidhje me këtë hadith kanë dhënë disa mendime. Disa prej tyre thonë se hadithi është i dobët e të tjerë janë të mendimit se ky hadith është i saktë.

 

You must be logged in to post a comment Login