A është e lehtë sot të jesh myslimane?

Në ditët e sotme nuk është e lehtë të jesh myslimane. Kjo do të thotë që cilado prej nesh duhet ta njohë në thellësi fenë e saj, duke mos u mjaftuar vetëm të dijë se kush është Allahu, por edhe të kuptojë se si ta jetojë Islamin në përditshmëri. Allahu nuk na ka lënë vetëm Kuranin e Shenjtë, por edhe mjaft shembuj të profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të). Allahu thotë në Kuran: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfarë. E kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është shumë larg të vërtetës” (Ahzab: 36)

Myslimanet e kanë të këshillueshme ta zbatojnë Islamin në mënyrën më të lehtë të mundshme. Allahu na e ka bërë me dije se feja jonë nuk është e vështirë për t’u ndjekur, dhe Profeti (paqja qoftë mbi të) na ka vënë në dijeni se kur të na jepet rasti për të zgjedhur mes dy a më shumë mundësive, të zgjedhim rrugën më të lehtë, për sa kohë që jemi brenda së lejueshmes (hallallit). Feja jonë nuk ka lidhje me asketizmin. Islami nuk është feja e “bëje-mos e bëj”, por një besim që ka kufijtë dhe përmasat e lejueshme të veprimtarisë jetësore.

Për shembull, veshja e hixhabit nuk ka të bëjë vetëm me shaminë, por nënkupton një mbulesë të jashtme mbi veshje, kur femrës i duhet të dalë jashtë shtëpisë. Mbulesa e ruan atë edhe nga “zona e mahramit”(njerëzit e afërt, me të cilët nuk mund të martohet) dhe prej këqyrjes së trupit të saj prej të tjerëve, çka mundëson shmangien e vështrimeve të pakujdesshme, atyre të ngulta, apo edhe tundimeve gjinore. Edhe nëse dikush nuk e di arsyen e vërtetë së kësaj sjelljeje femërore (të mbulesës), ai vëren qartazi se si gjinia femërore po bën hapa pas. Prandaj mbulesa është në të vërtetë një masë mbrojtëse për vetë dinjitetin femëror. Profeti ka thënë: “…femra nuk mund të veshë rroba që përvijojnë apo ato përmes së cilave shihet trupi i saj”. Nisur nga kjo këshillë, është me vend që të shmangim një mori veshjesh, që të në vërtetë, të gjitha të shpien ashtu dalëngadalë drejt veshjeve të shkurtra deri në skaj.

Femra duhet të vlerësohet për mbarë nga meshkujt, por nëse ajo ia kushton tërësisht vëmendjen e saj vetëm veshjes, atëherë edhe vetë meshkujt nuk do ta vlerësojnë atë sipas mendjes dhe botës së saj shpirtërore. Ndryshe, mund të thuhet se vetë femra nga ana e saj po lëshon mesazhe komprometuese në ‘inbox’-in e mashkullit. Disa gra po shkonin dikur tek Aishja, bashkëshortja e Profetit (paqja qoftë mbi të), të veshura me rroba prej cope të hollë. Kur ato e pyetën gruan e Profetit se ishin apo nuk ishin myslimane, përgjigja që morën ishte pohuese. Por, Aishja shkoi më tej, duke u shpjeguar atyre që edhe pse ajo veshje nuk i bënte jo-myslimane, kujdesi ndaj veshjes nuk është kurrë i tepërt, se myslimanet duhet të vishen në mënyrë sa më të përshtatshme, në respekt të besimit të tyre. Ka raste që veshja jonë është e trashë për stinën e nxehtë, por duhet sjellë ndër mend shpërblimi që Allahu do të na ofrojë për bindjen tonë ndaj Tij. Për të gjitha ato femra që nuk kanë lindur në familje apo vende myslimane, hapat e para janë të vështirë. Personalisht, kur vendosa të mbulohesha, të gjithë sytë e njerëzve që më rrethonin ishin ngulur tek unë, ndërsa mua nuk më mbetej veçse të ulja shikimin dhe t’i lutesha Allahut që të më jepte forcë dhe të më mbronte. Në çastin e parë kur njerëzit me të cilët punon apo jeton do të përballen me veshjen tonë, do ta marrin si lojë apo si një shaka të çastit. Ne të gjitha e kemi kaluar këtë periudhë vështirësie në përballjen me të tjerët, me njerëzit e afërt apo edhe të largët. Ka raste që kjo periudhë vështirësie kalon më lehtë e në raste të tjera shkon tej mes shumë peripecish. Por nëse mbështetesh tek Allahu, herët a vonë gjithçka të bëhet më e lehtë. Të bindura se po veprojmë drejt, na bën që ndjehemi mirë brenda vetes, edhe nëse mjedisi që na rrethon është i sertë ndaj nesh.

Bashkëshortet duhet të tregojnë bindje ndaj bashkëshortëve të tyre. Nëse bashkëshorti kërkon diçka prej nesh, duhet ta përmbushim kërkesën e tij, për sa kohë që ajo nuk bie ndesh me besimin tonë. Këtu nuk e kam fjalën për bindjen e verbër, si të shërbëtorit apo të qenit të shtëpisë, por, për atë lloj bindjeje që ngërthehet me respektin e ndërsjellë. Një respekt e bindje që shtrihet deri te nëna apo babai i bashkëshortit tonë. Disa lloj vëshirësish të kësaj natyre mund të hasen në hapat e para të martesës, kur kërkojmë të tregohet sa më shumë vëmendje ndaj nesh. Për ata njerëz që nuk kanë botëkuptimin tonë fetar, kjo është një mënyrë e padurueshme jetese dhe pa të drejta elementare gjinore. Për këtë arsye, në dy prej martesave të kryera në botën e ndryshme nga ne, njëra përfundon me ndarje martesore.

Ka raste që bashkëshorti kërkon diçka prej nesh, ndërkohë që ne jemi të zëna me një punë tjetër, duke menduar njëkohësisht se ai do të na mirëkuptojë. Sakaq, edhe vetë fëmijët tanë mund të kërkojnë më shumë vëmendje prej nesh. Ta themi troç, burrave nuk u pëlqen shumë të presin, por qoftë si femra ashtu edhe si bashkëshorte, prej nesh pritet të jemi ato që kryejmë më shumë sakrifica në emër të besimit tonë, pa treguar shenja nervozizmi a bezdie. Ka gra që nuk dinë kurrë ta mbajnë gjuhën nën dhëmbë, flasin e përflasin, duke ia ngritur qimet e kokës përpjetë jo vetëm bashkëshortit, por kujtdo që bisedon me to. Ka një thënie profetike që bën fjalë për këto rrethana. Nëse gruaja ndërron jetë dhe burri i saj është i kënaqur me të, ajo shkon në Parajsë. Shpërblimi i Allahut është i pamatë kur e krahasojmë me bindjen tonë ndaj bashkëshortit, bindje e cila të mundëson hyrjen në Parajsë. Në Ditën e Gjykimit, pyetja e dytë me të cilën do të përballet një bashkëshorte, është se si është sjellë ajo me bashkëshortin e saj.

Shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) e pyetën se kush pas Allahut meritonte më shumë respekt. Ai u përgjigj: “Nëna juaj”. E pyetën përsëri dhe morën të njëjtën përgjigje. Vetëm pasi e pyetën për herë të tretë, ai u përgjigj: “Nëna dhe më pas babai juaj”. Edhe në Testamentin e Vjetër, hebrenjve u këshillohej të respektonin prindërit e tyre, madje shkohej deri atje sa mosbindja ndaj tyre dënohej me goditje me gurë deri në vdekje! Respekti ndaj prindërve shfaqet i mangët edhe për shumë shoqëri të zhvilluara perëndimore. Prindërit vetë po vuajnë pasojat e moskujdesjes në kohën e duhur, për t’i edukuar fëmijët e tyre me respekt ndaj të moshuarve. Fëmijët prej kohësh nuk e kanë haberin se ç’është respekti për më të rriturit, për familjarët, mësuesit apo bashkëmoshatarët e tyre. Kjo mungesë e theksuar respekti sjell për pasojë kryerjen e shumë veprimeve të dhunshme, vrasjeve apo plagosjeve në bankat e shkollës, sidomos prej adoleshentëve.

Një tjetër arsye e dhunës që mbizotëron kudo, është portretizimi i yjeve të muzikës, filmave apo televizionit. Disiplina duket të jetë shfaqje e huaj për fëmijët e të rinjtë, si në shkollë ashtu edhe në jetë. Shumë prindër nuk e vënë ujin në zjarr për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, ngaqë janë shumë të zënë me “biznesin” apo jetën e tyre “private”. Të jesh prind është biznes mbi bizneset, sepse të kujdesesh për fëmijët e tu nuk do të thotë vetëm t’i ushqesh e t’i mbathësh, por, mbi të gjitha, t’i edukosh në rrugë të mbarë. Është detyra jonë, e prindërve myslimanë, që t’i edukojmë ata në rrugën e Allahut dhe mbështetur në këshillat e Profetit, që më pas ata të bëhen myslimanë të denjë. Kjo arrihet vetëm nëse prindërit tregohen të përgjegjshëm ndaj detyrimeve që ata kanë ndaj fëmijëve, ndërkohë që duhet të jenë të parët që të zbatojnë me përpikëri besimin Islam. A falemi ne vetë pesë herë në ditë, në shtëpi apo xhami? Nëse fëmijët tanë do ta vërejnë këtë, do ta kenë më të lehtë të na ndjekin në këtë rrugë, për t’u falur edhe ata si ne, qoftë në shtëpi, qoftë edhe në xhami. Nëse bijat tona na shohin të veshura me hixhab, edhe ato do të jenë të prirura të vishen si ne. Ne nuk duhet të tregohemi të shkujdesura, që për një kohë të gjatë t’i lejojmë të vishen si të duan – edhe me të shkurtra – e në kohën e duhur, t’i kërkojmë të mbulohen tak-fak. Njëkohësisht, duhet që të shpeshtojmë vizitat mes vetë familjeve myslimane, sepse kjo është mundësia më e mirë për vijimësinë e besimit tek Allahu. Po cila vallë është mënyra më e mirë që ne të ndjekim rrugën e duhur?

Për këtë arsye është mjaft e rëndësishme të lexojmë sa më shumë hadithe profetike dhe më pas t’i vëmë në zbatim. Islami nuk është një fe e zbatueshme vetëm për myslimanet e 1.427 viteve më parë, por është po njëlloj e zbatueshme edhe në ditët e sotme. Shumë probleme e shqetësime që po hasim ditët e sotme, do të shmangeshin vetvetiu nëse do të ndjekim fill e për pe ato që Allahu dhe Profeti na kanë këshilluar. Kam dëgjuar prej shumë grave të më thonë se ato janë “myslimane moderne”. Të dashurat e mia, një përcaktim i tillë nuk zë vend. Islami ose ndiqet pas, ose jo. Gjithçka që u vu në zbatim 1.427 vite më parë është po aq i zbatueshëm edhe sot ashtu si atëherë. Ato gra që mbulohen pas fjalëve “myslimane moderne”, përpiqen të justifikojnë veten për mosgjetjen e forcës shpirtërore dhe për mosbindjen e treguar ndaj Allahut dhe Profetit. Ato mund t’i marrin mendjen vetes, por jo Allahut, e në Ditën e Gjykimit nuk do të munden dot të japin shpjegime se përse nuk kanë përmbushur ato detyrime që duheshin përmbushur. Kështu, ndjehen të shqetësuara për shkak të gjykimit të të tjerëve, se çfarë thonë, mendojnë a paragjykojnë krijesat, por ja që nuk shqetësohen fare për Gjykimin e Krijuesit, Allahut.

A është e lehtë të ndjekësh urdhëresat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të)…për veshjen e hixhabit, të jesh grua, të jesh nënë? Nuk është gjithmonë e lehtë e, për më tepër, nuk është e lehtë të ndash vërtetësisht atë që duam me atë që duhet të bëjmë, aq më tepër kur na shkon ndër mend edhe ndonjë mosbindje e çastit ndaj këtij apo atij urdhri. Por duhet të kuptojmë diçka tjetër, që sa më shumë nuk duam të bëjmë diçka, aq më shumë arsye kemi ta bëjmë atë. Kjo nuk është vetëm çështje tradhtie a besueshmërie, por mbi të gjitha mbetet si çështje e dijes dhe vetëdijes sonë. Kuptimin më të madh të durimit e marrim apo e përftojmë në rrethanat më të vështira, si dhe në ato nga më të padurueshmet. Durim do të thotë bindje, pranim: që jeta nuk na mëson si ta pëlqejmë a dëshirojmë, por që ajo na mëson se si të kthehemi te Allahu, e t’i kërkojmë ndihmë për të dalë ngadhënjyes në betejën me padurimin apo sfidën me mosbindjen e çastit.

Nga; Khadija Watson

Përktheu: Enkelejda Avxhiu

You must be logged in to post a comment Login