90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

KMSH-Flamuri

 

nga Ferit LIKA

Atë vit bënte shumë ftohtë, ishte dimri i vitit 1923, kur prijësit myslimanë që kishin marrë pjesë aktive në çështjet kombëtare, iu kthyen “shpirtit”, duke formuar dhe konsoliduar komunitetin fetar. Ndarja nga Shejhul Islami i Perandorisë Osmane, e cila u realizua zyrtarisht në Kongresin e Parë Mysliman, shënoi edhe themelimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Kongresi i 90 viteve më parë ishte i rëndësishëm, jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit shqiptar. Ai mot solli hapjen e rrugës përmes së cilës do të kalonte “reformimi islam” në përputhje me kërkesat e kohës. Reformim institucional pasi ai shpirtëror ishte i ngulitur thellë në zemrat e shqiptarëve.

Vitet ‘20 të shekullit XX, ishin vitet e luftës për demokraci e përparim shoqëror, ku mbizotëronte një atmosferë me ndjenja të theksuara kombëtare. Kongresi i Parë Mysliman me pjesëmarrjen e 36 delegatëve, hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike, me kahje kombëtare. Në fakt, institucionet e fesë islame në Shqipëri kanë ekzistuar edhe më parë, por këtu bëhet fjalë për inkuadrimin në strukturat e Komunitetit Mysliman të sapoformuar.

Ky periudhë historike shënon edhe hapin e parë organizativ të pavarësisë fetare të institucionit islam më të lartë në Shqipëri, në pozitat e një shteti laik, në ngjizjen e një kombi vital, ku të gjitha fetë janë njëlloj të respektueshme. Paskëtaj filloi puna e një veprimtarie intensive për riorganizimin dhe më vonë në forcimin e institucioneve të fesë islame, detyrave dhe rolit të tyre, ngritjen dhe organizimin e zyrave të Sheriatit.

Në vitet në vazhdim feja po institucionalizohej përherë e më shumë në shërbim të besimit dhe kombit shqiptar. Ajo çka i shërbeu më shumë fesë dhe kombit ishte arsimi fetar islam i cili filloi në marsin e vitit 1924, me hapjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, shkollë, e cila shumë shpejt u bë djepi i dijes dhe kulturës kombëtare, e drejtuar nga personalitete të shquara islame, traditë arsimore kjo e cila sot është përhapur në të gjithë trojet shqiptare.

Por qielli i “besimit”, i çështjeve fetare filloi të errësohej me inkuadrimin e ideologjisë komuniste, re të cilat ishin paralajmëruar edhe më parë nga prijësit myslimanë, duke i shpallur luftë në emër të fesë e besimit. Idetë komuniste po përhapeshin me shpejtësi dhe armiku kryesor për ta ishte feja. Por ndonëse institucioni i fesë u dobësua në mënyrë ta pallogaritshme derisa edhe u shkatërrua totalisht, besimtarët i mbajtën fort bindjet e tyre fetare, pavarësisht nga përndjekjet. Sigurisht që pas dyzet vjetësh përndjekje dhe barbarizmash kundër fesë panorama e besimit ishte e trishtueshme, por ajo kurrë nuk u shua.

Të gjithë ata fetarë e atdhetarë që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u vranë dhe u masakruan në mënyrën më çnjerëzore, por as kjo nuk mundi të shkulë rrënjët e besimit në vend. “…Të gjithë elementët shqiptaro-fetar, si vëllezër të një gjaku e si besues të një Zoti të Amshueshëm, duhet me u bashkue e me u organizue në nji front të përbashkët për ta luftuar ateizmin, që do me shkatërrue “Fe e Atdhe”. Kjo është lufta e shenjtë që duhet të bëjnë të gjitha fetë në Shqipëri”, ishte kjo thirrja e myslimanëve kundër komunizmit. Qindra xhami u shkatërruan, ndërsa qindra njerëz të fesë, intelektualë e patriotë u pushkatuan, u burgosën apo u internuan, terror i cili vazhdoi deri në fillim të viteve ‘90.

Sërish në ato net të ftohta të nëntorit 1990, myslimanët po përgatiteshin për një “kryengritje” dhe më 16 nëntor 1990, pas 23 vjetësh u këndua Ezani dhe u fal Xhumaja në Shkodër, në Xhaminë e Plumbit, e më pas në të gjithë vendin. Ishte një barrë e rëndë dhe e vështirë në kushtet e krijuara, pas një periudhe kaq të gjatë kohe, qoftë në aspektin material, ashtu edhe në atë moral. Nuk kishte fonde, mungonin ambientet ku do të kryheshin ritet dhe shërbesat fetare, nuk kishte asnjë qendër a zyrë prej nga ku do të lëshoheshin udhëzimet organizative; ishte vetëm vullneti Zotit pastaj dëshira e mirë e grupeve nismëtare në qendër e në rrethe për ta parë fenë edhe një herë të funksionojë lirisht e pa ndrojtje.

Dalëngadalë feja filloi të zërë vendin që i takonte në shoqërinë shqiptare. Paralelisht edhe Komuniteti Mysliman ndërmori një rol aktiv në jetën social-kulturore të vendit duke i paraprirë, madje dhe parandaluar probleme të shumta sociale, sepse as fuqia e ligjit nuk e ka fuqinë e bindjes dhe ndikimit të besimit.

Komuniteti Mysliman sot është institucioni zyrtar juridik i njohur nga shteti si përfaqësues dhe në shërbim të mbarë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë. Ai e ka shtrirë aktivitetin e tij në të gjithë territorin e republikës me strukturat dhe institucionet e tij fetare e arsimore, si  medrese e universitete. E sot, gati një shekull më pas të gjithë ne, krenarë për të parët tanë, kujtojmë dimrin e atij viti që solli pranverën e  besimit, dinjitetit njerëzor pasi liria e ndërgjegjes, feja dhe besimi mbështeten në thelbin e dinjitetit njerëzor.

Por mbi të gjitha sot liria e besimit triumfon, shpirti besimtarit ndjehet i lirë të adhurojë Atë që  i dha frymë, Atë që e ngjizi, Krijuesin e gjithësisë.

 

(Revista Drita Islame, Shkurt 2013)

 

 

You must be logged in to post a comment Login